Doktrina dhe Metodologjia e Ehli Sunneh uel Xhemah

0
93

(Vërejtje e përkthyesit: Ky material i përmbledhur i përket fushës së besimit prandaj nuk lejohet që të keqinterpretohet apo të nënkuptohen prej tij diçka tjetër nga ajo që kanë dash të thonë autorët e tij. Në rast paqartësie apo për hollësi të më tejshme i kërkojmë lexuesit që t’u kthehet librave më të zgjeruar të kësaj fushe apo njerëzve kompetentë.)

Akidja dhe metodologjia e Ehli Sunneh uel Xhemah

Njohja:

Akidja e Ehli sunneh uel xhemah përfaqëson akiden e atyre që besojnë në mënyrë të padiskutueshme tek Allahu xheleshanuhu dhe i binden urdhrave të Tij. Ashtu siç besojnë tek engjëjt e Tij, librat e Tij, tek të dërguarit e Tij, tek Dita e Gjykimit, te Kaderi dhe tek çdo gjë e fshehtë për të cilën është vërtetuar autenciteti i saj për çka ka ndodhur apo do të ndodh.

Themelimi:

I Dërguari i Allahut (salallahu alejhi ue selem) është ai që me shpalljen e tij hyjnore nga Allahu themeloi këtë besim, i cili anulon të gjithë besimet e tjera që nuk pajtojnë me të. Ky besim është quajtur si Akidja e Ehli Sunnetit, sepse të gjithë ata që e ndjekin atë kapen mbas Sunnetit të Profetit (salallahu alejhi ue selem) dhe është quajtur si Akide e El-xhemah, sepse ky është besimi i Xhematit të Islamit të cilët janë të bashkuar me njëri-tjetrin rreth së vërtetës dhe nuk janë përçarë në fe. Ata në këtë kanë ndjekur rrugën e prijësve të së vërtetës dhe nuk janë larguar nga ata në asnjë çështje të akides. Ata janë Ehli Etheri (pasuesit e gjurmëve të të parëve) ose Ehli Hadithi (ndjekësit e haditheve) apo Pala fitimtare ose Grupi i shpëtuar.


Bazat e akides së Ehli Sunneh uel Xhemah: 

Këto baza janë bazat e Islamit i cili është një besim pa sekte dhe tarikate. Për këtë arsye rregullat dhe bazat e Ehli Suneh uel Xhemah nxirren nga:

– Libri i Allahut, Sunneti i të dërguarit të Tij dhe Ixhmai (unanimiteti) i të parëve tanë të mirë (selefu salih).

– Çdo gjë që ka ardhur në Kuranin fisnik është ligj për myslimanët dhe çdo gjë që vërtetohet prej Sunnetit të Profetit (salallahu alejhi ue selem) është e detyrueshme që të pranohet edhe nëse janë hadithe Ahad (të vetme)[1].

– Për të kuptuar Kuranin dhe Sunnetin i kthehemi pjesëve të tyre që sqarojnë njëra-tjetrën po ashtu për të kuptuar këta të dy ne i kthehemi kuptimit të të Parëve tanë të mirë (selefu salih) dhe të gjithë atyre që ndoqën rrugën e tyre.

– Të gjitha bazat e fesë janë sqaruar nga Profeti (salallahu alejhi ue selem), prandaj askujt kushdo qoftë ai nën asnjë lloj mbulese nuk i lejohet që të fusë në fe diçka të re duke pretenduar se kjo gjë i përket fesë.

– Ky besim na urdhëron dorëzimin tek Allahu dhe tek Sunneti i Profetit (salallahu alejhi ue selem) haptazi dhe fshehtazi. Nuk kundërshtohet asgjë e Kuranit dhe e Sunnetit autentik, me anë të analogjisë (kijasit), shijeve personale, vizioneve të pretenduara, fjalë të dykuptimta të ndonjë shehu a hoxhe, fjalë të ndonjë Imami, ëndërr apo çfarë çdo gjë tjetër qoftë ajo.

– Logjika e saktë përputhet me tekstet e vërteta (Kuranin dhe Sunnetin e vërtetë) dhe në mënyrë të prerë nuk ekziston konflikt ndërmjet tyre. Në rastet kur krijohet një përshtypje e tillë atëherë ju jepet përparësi teksteve Kuranore dhe haditheve të sakta profetike.

– Është e detyrueshme që në akide të përdoren terma dhe fjalë të sheriatit dhe të shmangen fjalët dhe termat bidat të huazuara.

– Pagabueshmëria i përket të Dërguarit të Allahut (salallahu alejhi ue selem) dhe Umetit në tërësi i cili nuk mund të pajtohet i gjithi në diçka të gabuar. Ndërsa çdo individ më vete nuk është i pagabueshëm kushdo qoftë ai. Në rast mosmarrëveshje kthimi për zgjidhje bëhet te Libri Allahut dhe te Sunneti i Profetit (salallahu alejhi ue selem) duke i dhënë arsye justifikuese atij dijetari muxhtehid të Umetit që ka gabuar për ndonjë çështje.

– Ëndrra e mirë ekziston dhe është e vërtetë, ajo është një pjesëz e vogël e profecisë. Po ashtu largpamësia (firaseh) e realizuar ekziston dhe është e vërtetë dhe ajo i përket keramateve[2] dhe sihariqeve me kusht që ato të mos bien në kundërshtim me Sheriatin. Por duhet të themi se këto fenomene nuk janë aspak burim nga ku mund të nxirren norma të akides apo Sheriatit.

– Polemikat në fe janë të papëlqyeshme ndërsa diskutimet në mënyrë të pranueshme janë të ligjëruara. Po ashtu nuk lejohet që të futesh në gjëra për të cilat dihet me siguri se është e ndaluar të flasësh.

– Është e detyrueshme që gjatë replikimeve të ndiqet metoda e Shpalljes (Kuranit dhe Sunnetit) dhe nuk lejohet që bidatit t’i kundërvihesh me një bidat tjetër. Po ashtu nuk lejohet që ekstremizmit t’i dalësh përballë me liberalizëm e njëjta gjë vlen edhe për të kundërtën.

– Çdo gjë që shpiket në çështjet e fesë është një bidat dhe çdo bidat është një humbje dhe çdo humbje çon në zjarr.

Njësimi në njohjen e Allahut:

– Baza mbi të cilën mbështetet njohja e emrave dhe cilësive të Allahut është ajo që na ka informuar Allahu për veten e Tij dhe ajo që na është thënë nga Profeti i Tij. Duke pasur parasysh që këto cilësi dhe emra të mos i shëmbëllejmë me askë, të mos bëjmë asnjë përshkrim se si janë, po ashtu të mohojmë për Të gjithçka që Ai e ka mohuar nga vetja apo e ka mohuar për Të i Dërguari i Tij (salallahu alejhi ue selem) pa deformuar në këtë asgjë dhe pa i mohuar. Ashtu siç thotë Allahu xh.sh:

 

Askush nuk i shëmbëllen Atij, Ai është Dëgjuesi, Shikuesi[3]

Duke besuar te kuptimet e fjalëve që janë përmendur në Kuran dhe Sunnet dhe ke çfarë ato argumentojnë.

– Besimi tek engjëjt në përgjithësi. Ndërsa besimi me hollësi rreth tyre bazohet në atë për të cilën ka argument autentik qoftë për emrat, cilësitë apo punët e tyre.

– Besimi te të gjithë Librat e zbritur nga Allahu dhe se Kurani është më i miri i tyre i cili i ç’fuqizoi ata që ishin para tij. Po kështu ata Libra që ishin para tij tekstet e tyre iu janë nënshtruar ndryshimeve dhe për këtë arsye dhe atë që përmendëm më sipër është e obliguar që të ndiqet Kurani dhe askush tjetër që erdhi para tij.

– Besimi te Profetët dhe të Dërguarit e Allahut. Besojmë se ata janë njerëzit më të mirë sesa gjithë njerëzit e tjerë, kushdo që pretendon ndryshe ka bërë kufër.

– Besimi se Shpallja nga Allahu është ndërprerë mbas Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) dhe se ai është Vula e gjithë Profetëve dhe të Dërguarve. Kushdo që beson ndryshe ka bërë kufër.

– Besimi te Dita e Kiametit dhe gjithçka që do të ndodh para dhe pas saj. Kjo vetëm duke u bazuar tek lajmet autentike që na kanë mbërritur.

– Besimi te Kaderi i mirë apo i keq qoftë ai i gjithi vjen prej përcaktimit të Allahut. Kjo ndahet në besimin se Allahu e dinte gjithçka që do të ndodhte para se ajo të ndodhte dhe e shkroi këtë në Leuhi Mahfudh dhe çfarë do Ai bëhet dhe çfarë nuk do Ai nuk bëhet, pra se asgjë nuk bëhet veçse me dëshirën e Tij dhe Allahu për gjithçka është i mundshëm, Ai është krijuesi i çdo gjëje dhe veprues i asaj që dëshiron.

– Besimi për gjithçka autentike që ka të bëjë me gajbin (të fshehën), siç është Arshi, Kursia, Xheneti, Xhehenemi, ndëshkimi dhe shpërblimi i varrit, ura e Siratit dhe Peshorja e punëve…etj. Pa i interpretuar ato si alegorike apo simbole por i besojmë ashtu siç kanë ardhur.

– Besimi se Shefati (ndërmjetësimi) në Ditën e Kiametit do tu jepet Profetit tonë (salallahu alejhi ue selem), engjëjve, pejgamberëve, njerëzve të mirë etj. Ashtu siç është shpjeguar në argumentet autentike.

– Besimi se besimtarët do ta shohin Zotin e tyre në Xhenet dhe në Mahsher (vendgrumbullimi). Ai që e mohon atë apo e keqinterpreton është i devijuar dhe i humbur. Ky shikim nuk i ka ndodhur askujt deri më sot në dynja.[4]

– Keramatet e evliave dhe njerëzve të mirë janë të vërteta. Por duhet theksuar se jo çdo gjë e jashtëzakonshme që mund të ndodh është një keramet. Ato mund të jenë magji apo të ndikuara nga shejtanët. Ajo që bën përcaktimin ndarës në këtë pikë është pajtimi apo mospajtimi me Kuranin dhe Sunnetin.

– Çdo besimtarë është evlia (i dashur) i Zotit dhe çdo besimtarë sipas gradës së besimit ka pjesën që i takon për evlia.

Njësimi i qëllimit dhe i kërkesës (teuhidi i adhurimit):

– Allahu është një dhe i vetëm, nuk ka ortak në zotërimin e Tij, hyjninë e Tij, adhurimin e Tij, emrat dhe cilësitë e Tij. Ai është Zoti i botëve dhe vetëm Ai ka të drejtë që t’i kushtohen të gjitha llojet dhe format e adhurimit (ibadetit) dhe askush tjetër veç Tij nuk e ka këtë të drejtë kushdo qoftë ai.

– Kryerja e këtyre ibadeteve siç janë p.sh. duaja, kërkimi i shpëtimit në raste rreziku, kërkimi i ndihmës, zotimi, kurbani, mbështetja, frika, shpresa, dashuria, sexhdja, namazi… etj, në se i drejtohen dikujt tjetër veç Allahut atëherë kjo gjë konsiderohet shirk kushdo qoftë ai të cilit i janë drejtuar këto ibadete: engjëll i afërm i Zotit, pejgamber i dërguar apo njeri i mirë apo cilido qoftë ai pa asnjë lloj përjashtimi.

– Një nga themelet mbi të cilat mbështet adhurimi është parimi se Allahu adhurohet me dashuri me frikë dhe me shpresë të gjitha të marra së bashku, ndërsa adhurimi i Zotit me vetëm njërën prej këtyre elementëve i pashoqëruar me elementet e tjerat është humbje, dhe dalje nga rruga e drejtë.

– Dorëzimi, kënaqësia dhe bindja e plotë ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij janë pjesë të këtij besimi. Besimi se Allahu është Gjykues vjen nga besimi se Ai është Zot (zotërues i gjithçka) dhe Hyj (i adhuruar), prandaj Ai nuk ka ortak në gjykimin e Tij dhe as në çështjet e Tij. Po ashtu nuk lejohet gjykimi me diçka për të cilën nuk ka dhënë leje Allahu. Të pranosh të gjykohesh te tagutët[5]apo tek ata që nuk ndjekin Sheriatin e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) konsiderohet kufër. Kufër konsiderohet gjithashtu edhe nëse zëvendësohet diçka prej Sheriatit të Allahut me ligje të tjera. Çdo kush që pretendon se dikujt i lejohet që të dalë jashtë këtij Sheriati ka bërë kufër.

– Gjykimi me atë që nuk e ka zbritur Allahu përbën kufër të madh[6], por ndonjëherë ai mund të jetë edhe kufër i vogël. E para ndodh kur ndiqet Sheriat tjetër nga ai Islam ose shikohet si i lejuar gjykimi me të. Ndërsa e dyta në ato raste kur kemi shmangie praktike në zbatimin e Sheriatit të Allahut për shkaqe dobësie ndërkohë që Sheriati është baza me të cilin gjykohet.

– Ndarja e fesë në Hakikat[7] dhe Sheriat ku të parës i takojnë një pjesë e caktuar e njerëzve ndërsa në të dytën përfshihen të gjithë njerëzit është një ndarje e gabuar e pavlefshme dhe e pa pranueshme nga ana e fesë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për atë që e ndan fenë nga shteti dhe politika. Çdo gjë e cila bie në kundërshtim me Sheriatin qoftë ky hakikat apo pushtet dhe politikë apo çfarëdo lloj gjëje tjetër konsiderohet si kufër ose humbje, sipas gradës së tij.

– Askush nuk e di gajbin (të fshehtën) veç Allahut. Të besuarit se dikush tjetër veç Allahut e di gajbin përbën kufër. Por pranohet gjithashtu se Allahu disa të fshehta ua ka treguar Profetëve të Tij.

– Të besosh se astrologët dhe fallxhorët thonë të vërtetën është kufër, ndërsa thjesht të shkuarit tek ta përbën një gjynah të madh.

– Uesilja (mjeti për tu afruar tek Allahu) i cila është urdhëruar në Kuran, konsiderohet çdo akt bindje që i bëhet Allahut, e që të afron sa më afër tek Ai dhe që natyrisht duhet të jetë e ligjëruar nga ana e Sheriatit. Kjo ndahet në tre lloje:

1- E lejuar: Të kërkosh të afrohesh tek Allahu duke iu lutur me emrat dhe cilësitë e Tij apo me ndonjë punë të mirë të vetë personit apo edhe me lutjen e ndonjë njeriu të mirë që është prezent dhe i gjallë.

2- Bidat e ndaluar: Të kërkosh të afrohesh tek Allahu me diçka që nuk përmendet nga Sheriati, siç është të kërkuarit ndërmjetësim në emër të pozitës së profetëve, njerëzve të mirë apo në emër të qenieve të tyre, apo në emër të hakut të tyre apo në emër të hyrmetit (shenjtërisë ) të tyre…etj.

3- Shirk e ndaluar: Konsiderimi i të vdekurve, kushdo qofshin ata, si ndërmjetës në ibadetin (adhurimin) ndërmjet robit dhe Zotit, tu drejtohesh atyre me lutje dhe tu kërkosh realizimin e nevojave, të kërkosh zgjidhjen e problemeve prej tyre, të kërkohet që ata të vinë në ndihmë…etj. Të gjitha këto konsiderohen shirk.

– Mbarësia (berekeh) vjen vetëm prej Allahut, ndërsa disa prej krijesave të Tij u takon aq sa Ai do nga kjo mbarësi dhe nuk mund të pohohet për asnjë kjo mbarësi vetëm se me argument nga Kurani dhe Sunneti. Mbarësi do të thotë shtim dhe shumëfishim i së mirës ose qëndrueshmëri dhe vazhdimësi e saj.

– Mbarësia është prej çështjeve e cila i përket diçkaje të mbyllur nga ana fesë dhe nuk lejohet që të kërkohet mbarësi vetëm nga ajo për të cilën ka ardhur argumenti nga Kurani dhe Sunneti.

– Veprimet e njerëzve te varret dhe gjatë vizitave të tyre ndahen në tre lloje:

1- E lejuar: Siç është vizita e varrezave për të kujtuar vdekjen dhe botën tjetër apo për t’i dhënë selam dhe për tu lutur për të vdekurit.

2- Bidat që bën të mangët teuhidin dhe bëhet mjet që të çon drejt shirkut: Siç është të adhuruarit e Allahut te varret me qëllim afrimi tek Ai, vizita e varreve me qëllim që të kërkohet mbarësi prej tyre, vizita për tu zbritur atyre sevape, ngritja dhe ndërtimi i varreve, zbukurimi dhe vënia qiri e drita tek to, shndrimi i varreve në xhamia apo vende faljesh, udhëtimi me qëllim madhërimi drejt tyre…etj. Të gjitha këto dhe të tjera për të cilat ka ardhur ndalimi nga ana e fesë janë të ndaluara.

3- Shirk që mohon tërësisht teuhidin: T’i bësh ndonjë ibadet të vdekurit duke iu lutur për shembull atij në vend të Zotit, t’i kërkosh ndihmë apo shpëtim të vdekurit, të sillesh rrotull rreth varrit, prerja e kurbanit në emër të tij jo në emër të Allahut…etj.

– Mjetet marrin gjykimin e qëllimeve, çdo mjet që të çon drejt shirkut në ibadetin e Allahut apo çon drejt bidatit është e detyrueshme që të bllokohet, sepse çdo shpikje në fe është bidat dhe çdo bidat është një humbje.

Imani:

– Imani (besimi) është fjalë dhe vepër, shtohet dhe pakësohet. Ai është fjalë e zemrës dhe e gjuhës, si dhe punë e zemrës, e gjuhës dhe gjymtyrëve. Fjalë e zemrës është besim-bindja dhe pranimi, fjalë gjuhës është pohimi i tij, punë e zemrës është dorëzimi dhe sinqeriteti i saj po ashtu edhe bindja, dashuria dhe vullneti për punë të mira janë prej punëve të zemrës. Puna e gjymtyrëve është veprimi urdhëresave dhe mosveprimi i ndalesave.

– Ai që kryen gjynahe të mëdha (përveç shirkut) nuk del nga besimi. Por ai në këtë botë është besimtar me mangësi në besim, ndërsa në botën tjetër nën dëshirën e Allahut nëse do e fal nëse do e ndëshkon. Ata të cilët e njësojnë Zotin dhe nuk i bëjnë ortak Atij që të gjithë do të hynë në Xhenet edhe nëse ndonjëri prej tyre do të ndëshkohet me zjarr përkohësisht, por asnjëri prej tyre nuk do të qëndrojë përjetësisht në të.

– Nuk lejohet që të përcaktohet se ky është për Xhenet dhe ky është për Xhehenem, përveç atij për të cilën ka ardhur argument i posaçëm.

– Kufri (akt mosbesimi) është një term fetar që i përket Sheriatit dhe ndahet në kategori: a) kufër i madh që të nxjerrë prej feje b) kufër i vogël i cili nuk të nxjerr prej feje dhe që ndonjëherë quhet edhe si kufri i punëve.

– Nxjerrja nga feja e njerëzve (tekfiri), pra konsideromi i tyre si kafira është një normë e Sheriatit për të cilën duhet t’i kthehesh Kuranit dhe Sunnetit. Nuk lejohet që një mysliman të konsiderohet si kafir për një fjalë apo veprim të caktuar përderisa për këtë fjalë dhe veprim të ketë argument nga ana e Sheriatit se ai është kufër. Nuk është aspak e thënë që nëse thuhet për një fjalë të lëshuar apo veprim të bërë se është kufër që edhe ai që e ka kryer këtë të jetë kafir, vetëm në rastet kur plotësohen kushtet dhe bien pengesat. Tekfiri (nxjerrja nga feja) është një nga normat më të rrezikshme të Sheriatit dhe nuk jepet nga kushdo, prandaj është e detyrueshme të sigurohesh dhe të kihet tepër kujdes nga bërja kafir e një myslimani.

Kurani dhe fjala:

Kurani është fjala e Allahut (germat dhe kuptimet e tij), i zbritur prej Tij dhe jo i krijuar, prej Tij erdhi dhe tek Ai do të kthehet. Kurani është një mrekulli gjë që argumenton se Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) është Profet i vërtetë dhe i pa gënjeshtërt. Kurani ka qenë dhe do të jetë i ruajtur deri në Ditën e Kiametit.

Kaderi:

Një nga shtyllat e Imanit është edhe besimi te Kaderi (përcaktimi) i hidhur apo i ëmbël qoftë ai, i gjithi vjen prej Allahut dhe ky besim përfshin:

– Besimin në të gjitha tekstet ku është përmendur Kaderi dhe shkallët e tij (dija, shkrimi, dëshira, krijimi). Askush nuk mund ta kthejë mbrapsht përcaktimin e Allahut as edhe ta ndryshoj dot gjykimin e Tij.

– Udhëzimi i njerëzve dhe humbja e tyre është në dorë të Allahut. Atë që do Allahu udhëzohet me mirësinë e Tij. Dhe ai që humb e meritoi këtë në bazë të drejtësisë së Zotit.

– Njerëzit dhe veprimet e tyre janë krijesa të Allahut veç të Cilit nuk ka krijues tjetër. Allahu pra është Ai që krijoi veprat e njerëzve dhe njerëzit janë ata që i kryejnë ato me të vërtetë.

– Allahu çdo veprim e kryen në bazë të një urtësie të caktuar (e njohur ose jo nga ne) ashtu siç çdo shkak ka efekt vetëm me dëshirën e Zotit.

Xhemati dhe udhëheqësia (imameti):

– Xhemati janë sahabet e Profetit (salallahu alejhi ue selem) dhe të gjithë ata që erdhën pas tyre duke ecur më së miri në gjurmët e tyre, ata që kapen pas gjurmëve të tyre deri në Ditën e Kiametit pikërisht ata janë grupi i shpëtuar.

– Kushdo që i përmbahet menhexhit (rrugës, metodologjisë) të tyre ai i përket Xhematit edhe nëse gabon në disa gjëra jo kryesore.

– Nuk lejohet përçarja në fe dhe as futja e fitneve mes myslimanëve. Është e obligueshme që për çdo gjë për të cilën myslimanët kanë mosmarrëveshje t’i kthehen Librit të Allahut dhe Sunnetit të Profetit (salallahu alejhi ue selem) dhe asaj në të cilën ishin të parët e këtij Umeti (selefu salih).

– Ai që largohet nga Xhemati duhet patjetër të këshillohet të ftohet që ai të kthehet dhe po qe nevoja të debatohet me të me mënyrën më të mirë duke ia bërë të qartë çdo gjë me argument derisa të pendohet në të kundërt ndëshkohet sipas ligjeve të Sheriatit.[8]

– Prej njerëzve kërkohet që të dinë dhe të zbatojnë ato parime të cilat janë të argumentuara forcërisht nga Kurani dhe Sunneti dhe Ixhmai (unanimiteti). Nuk lejohet sprovimi i njerëzve të thjesht në çështje të holla dhe kuptime tepër të thella.

– Origjina te të gjithë myslimanët është se ata nisen nga qëllimi i mirë dhe besimi i drejtë përderisa të shfaqet prej tij e kundërta e kësaj. Në origjinë çdo fjalë që vjen prej tyre e shohim me syrin e mirë, ndërsa për atë që bëhet e qartë keqdashja dhe kryeneçësia e tij atëherë nuk lejohet që të sforcohemi për t’i interpretuar ato (për mirë)[9].

– Udhëheqësia e madhe (kalifati) vendoset me Ixhma (unanimitet) të Umetit, apo nga besa e dhënë nga njerëzit e Ehli Hali uel Akd-it[10]. Kushdo që arrin të marr pushtetin dhe arrin që t’i bashkojë njerëzit rreth tij[11] është e detyrueshme bindja ndaj tij në rastet ku urdhëron për të mira. Ashtu siç është e detyrueshme që ta këshillojmë atë sa më mirë dhe është haram të dalësh kundra tij vetëm në rastet kur prej tij shfaqet kufër i hapur dhe i qartë atëherë kemi prej Allahut një argument të fortë (për të dalë kundra).

– Namazi, Haxhi dhe Xhihadi janë të detyruara që të kryhen me Prijësin e myslimanëve edhe nëse ata kanë gjynahe.

– Është haram që myslimanët të luftojnë në mes vetes për interesa materiale apo fanatizma nacionaliste, ky gjynah konsiderohet si një gjynah i madh. Lejohet të luftohen Ehli bidati, kryengritësit[12]dhe të ngjashmit me ta nëse nuk është e mundur që ata të ndalen pa luftë. Ka raste kur edhe mund të jetë e obliguar të bëhet një gjë e tillë sipas nevojës dhe gjendjes që paraqitet.

– Sahabet e nderuar që të gjithë janë njerëz të drejtë, ata janë më të mirët e këtij Umeti. Të dëshmuarit se ata ishin besimtarë dhe meritojnë respekt të veçantë është një nga domosdoshmëritë që duhet ta dijë nga feja çdo besimtarë. Dashuria për ta është pjesë e fesë dhe e besimit ndërsa urrejtja e tyre është kufër dhe nifak. Duhet mbajtur gjuha për atë që ndodhi mes tyre dhe mos diskutimi i gjërave të cilat ulin prestigjin e tyre.

– Më i miri i tyre është Ebu Bekri pastaj Umeri pastaj Uthmani pastaj Aliu -Allahu qoftë i kënaqur prej tyre-. Këta ishin edhe Kalifët e drejtë (të këtij Umeti ) post të cilën ata e merituan sipas radhës që e morën.

– Dashuria dhe respekti për Familjen e të Dërguarit të Allahut vjen nga feja, po ashtu i duam, i miqësojnë dhe e respektojnë pozitën e tyre të lartë. Kjo gjë vlen edhe për gratë e Profetit (salallahu alejhi ue selem) të cilat janë nënat e besimtarëve. Po ashtu i duam Imamët e selefve (të parët e këtij Umeti), dijetarët e Sunnetit dhe ata që ecën në gjurmët e tyre ashtu siç u largohemi Ehli Bidatit dhe atyre që e marrin fenë sipas qejfit.

– Xhihadi në rrugë të Allahut është kulmi i Islamit dhe ai do të vazhdojë deri në Ditën e Kiametit.

– Urdhërimi për të mira dhe ndalimi nga e keqja përbën një nga simbolet më të mëdha të Islamit dhe një nga shkaqet për ruajtjen e Xhematit të tij. Këto dy urdhëresa janë të obliguara për çdo besimtarë sipas mundësisë dhe nevojës për to.

 

Veçoritë më të rëndësishme dhe dalluese të Ehli Suneh Uel Xhemah

Ehli Sunneh uel Xhemah janë grupi i shpëtuar dhe pala e ndihmuar. Ata kanë një menhexh (rrugë, metodologji) të tyre ashtu siç kanë dhe rrugën e tyre të plotë i cili rregullon çdo çështje që i duhet myslimanit në jetë. Menhexhi i tyre është i Islami i plotë të cilin Allahu e zbriti tek i Dërguari i Tij (salallahu alejhi ue selem). Sigurisht që ndjekësit e Ehli Sunnetit janë në nivele të ndryshme nga njeri-tjetri, por ata dallohen nga të tjerët në këto gjëra:

– U kushtojnë rëndësi Librit të Allahut: Leximit dhe memorizimit të tij, ashtu siç i kushtojnë rëndësi edhe komentit të tij. U kushtojnë rëndësi hadithit: Njohjen dhe kuptimin e tij, dallojnë sahihun (autentikun) nga daifi (i dyshimti). Ata e pasojnë dijen që kanë me veprime dhe punë konkrete të cilën e kërkon kjo dije.

– Futja tërësisht në fe dhe besimi te çdo gjë që thuhet në Kuran. Besojmë te tekstet që flasin për premtimin e shpërblimit (el-uad) dhe tek ato që flasin për ndëshkimin (el-ueid), besojmë te tekstet që flasin për ekzistencën e emrave dhe cilësive të Allahut, si dhe te tekstet që flasin për shenjtërinë dhe pametësinë e Allahut. Ehli Sunneh bashkojnë njëkohësisht ndërmjet besimit te kaderi i Allahut dhe tek ekzistenca e vullnetit të lirë, vetëveprimit e dëshirës së njeriut, po ashtu bashkojnë ndërmjet përkushtimit ndaj dijes dhe ibadetit, ndërmjet forcës dhe mëshirës, ndërmjet punës me shkaqet e saj dhe zuhdit (asketizmit).

– Ata ndjekin fenë dhe nuk sajojnë bidate në të, mbajnë bashkimin dhe flakin tutje sektarizmin dhe divergjencat në fe.

– Udhëzohen dhe udhëhiqen nga prijësit e drejtë dhe të udhëzuar në fe, ata udhëhiqen nga këta në dije në punë dhe në daua. Këta prijës janë sahabet dhe ata që ecën në rrugën e tyre dhe aspak ata që devijuan nga shtegu i tyre.

– E mesmja: ata në akide janë ndërmjet sekteve ekstremiste dhe atyre liberale, po ashtu në punë dhe në sjellje ata gjenden ndërmjet tepruesve dhe neglizhuesve.

– Janë gjithmonë vigjilent që myslimanët t’i bashkojnë në një fjalë të vetme rreth së vërtetës, të bashkojnë rreshtat e tyre mbi bazat e teuhidit dhe pasimit dhe të shmangin çdo shkak që çon në përçarje dhe mosmarrëveshje ndërmjet tyre.

– Nuk e dallojnë veten nga Umeti në bazat e fesë me ndonjë emër tjetër përveç Sunneh uel Xhemah[13]. Nuk miqësohen dhe armiqësohen vetëm për shkak të Islamit dhe Sunnetit.

– Daua e tyre për tek Allahu përfshin çdo fushë, akiden, ibadetin, sjelljen, moralin dhe në çdo aspekt të jetës për të cilën ka nevojëmyslimani. Ata i ruhen këndvështrimit të njëanshëm të fesë. I mbrojnë si vaxhibet dhe sunnetet po ashtu edhe çështjet e akides dhe ato degëzoret (të fikhut). Po ashtu përfitojnë nga çdo gjë e re përderisa ajo është brenda Sheriatit. Urdhërojnë për të mira dhe ndalojnë nga e keqja, luftojnë në rrugë të Allahut, ringjallin Sunnetin dhe punojnë për rimëkëmbjen e fesë, zbatimin e Ligjit të Allahut nga imtësitë më të vogla deri tek ato më madhoret, duke u ruajtur dhe parandaluar nga gjykimi i tagutëve apo gjithçka tjetër që nuk i përket ligjit të Allahut.

– Drejtësia: Ata gjithmonë kanë parasysh të drejtën e Allahut dhe jo të drejtën personale apo atë të grupit, për këtë arsye ata nuk e teprojnë në dashurinë dhe respektin ndaj individëve ashtu siç nuk e kalojnë as kufirin ndaj armikut. Ata nuk ia mohojnë vlerat atij që i ka, kushdo qoftë ai. Ata nuk i shenjtërojnë as njerëzit dhe as Imamët (prijësit) e tyre dhe as nuk i konsiderojnë ata si të pagabueshëm, parimi i tyre është: Fjala e kujtdo pranohet ose kundërshtohet përveç Profetit (salallahu alejhi ue selem). Asgjë nuk është e pagabueshme përveç Shpalljes (uahjit) dhe Ixhmait të selefve (unanimitet i të parëve) që vjen në rend të dytë.

– Ata pranojnë brenda tyre ekzistencën e Ixhtihadetve[14] të ndryshme për disa çështje për të cilat ka pasur mospajtime edhe nga ana të selefëve (të parëve) rreth tyre, por duke mos e konsideruar për këto çështje opozitarin si njeri i humbur apo i devijuar. Ata në këtë pikë njohin edukatën e mosmarrëveshjeve të cilën ua mësoi Zoti i tyre dhe Profeti (salallahu alejhi ue selem)

– Ata preokupohen për dobitë dhe dëmet që kalon ky Umet dhe përkujdesen për gjëra të tilla duke e ditur që Feja erdhi për të sjellë të mirat dhe dobitë dhe për të pakësuar dhe zhdukur të këqijat dhe dëmet. Rregulli bazë në këtë është se shmangies së dëmit i jepet përparësi ndaj përfitimit të dobisë.

– Ata kanë një pozicionim të caktuar për fitnet (sprovat, telashet) që ata kalojnë; në momente sprovash kryejnë atë që i ka urdhëruar Allahu për raste të tilla.

– Fitnes së kufrit dhe mjeteve të tij i përgjigjen me luftë argumentesh dhe faktesh, por edhe me armë, kjo sipas nevojës dhe mundësisë.

– Ata janë të bindur se mos përzierja në raste fitnesh është gjëja më e mirë dhe e pa zëvendësueshme. Përveç nëse e vërteta bëhet e qartë për ta nëpërmjet argumenteve të Sheriatit atëherë ata e mbrojnë dhe e ndihmojnë sa të mundin këtë të vërtetë.

– Ata janë të mendimit se bidatçinjtë nuk janë të gjithë njëlloj në largësinë apo afërsinë që kanë me Sunnetin. Çdo kujt i japin hakun që i takon. Prej këtej mund të themi se bidati ndahet në tre kategori:

a) Në bidat, ndjekësit e së cilit nuk konsiderohen kafirë siç janë p.sh. Murxhiat, Shiat të cilët vetëm mbivlerësonin Aliun[15](elmufadale).

b) Në bidat për të cilin ka mospërputhje mendimi nëse konsiderohen kafira apo jo, siç janë Haurixhët dhe Rafidhat[16].

c) Dhe së fundi në bidat, ndjekësit e së cilit konsiderohen si kafirë siç janë p.sh. Xhehmijet.

– Ehli Sunneh bëjnë dallim ndërmjet akuzës së përgjithshme për kufër, fisk apo gjynah që u bëhet atyre që pasojnë bidatet në përgjithësi dhe akuzës për ndonjërin në veçanti. Kjo e fundit nuk mund të bëhet vetëm mbasi t’i bëhet e qartë atij personi me fakte dhe argumente duke zhdukur çdo dilemë dhe paqartësi se fjala e tij bie në kundërshtim me Sunnetin.

– Nuk lejohet që tu bëhet tekfir (të nxirren nga feja), apo tefsik (të konsiderohen si fasika) apo qoftë edhe të konsiderohen si mëkatarë dijetarët myslimanë për shkak të një Ixhtihadi të gabuar apo një interpretimi të pasaktë, sidomos në çështjet për të cilat ka mosmarrëveshje.

– Ehli Sunneh në marrëdhënie me njerëzit bëjnë dallim ndërmjet atij i cili e fsheh bidatin e tij dhe atij i cili e shfaq dhe e propagandon atë.

– Po ashtu bëjnë dallim ndërmjet bidatçinjve në radhët e myslimanëve sado qoftë bidati i tyre dhe ndërmjet atyre që dihet pa asnjë pikë dyshimi nga Islami se janë kafira siç janë: idhujtarët, çifutët të krishterët etj. Kjo gjë ka të bëjë vetëm me hukmin[17](vendimin) që ju jepet atyre në përgjithësi në këtë botë, nga pamja e jashtme që ata paraqesin, megjithëse dihet që shumë prej bidatçinjëve në vetvete janë munafikë dhe kafira.

– Ata kryejnë detyrën e tyre që u takon në drejtim të bidatçinjve duke u bërë të qartë njerëzve gjendjen e tyre dhe duke i paralajmëruar që të ruhen nga ata dhe duke u treguar atyre rrugën e drejtë dhe të Sunnetit të cilën bidatçinjt e kanë gabuar. Ehli Sunneh i kundërvihet bidatit sipas rregullave të cilat ka vënë Sheriati

– Falen së bashku dhe me xhemat qofshin këto namaze ditore, xhumaje apo Bajrami mbas çdo Imami i cili nuk shfaq bidate apo shthurje. Ata nuk i kundërpërgjigjen bidatit me bidat.

– Nuk e lejojnë Namazin mbas një njeriu që shfaq bidate apo shthurje në rast se ekziston mundësia që të falen mbas dikujt tjetër. Por edhe në rast se kryhet atëherë ai namaz konsiderohet si i rregullt. Ai që falet mbas një njeriu të tillë e konsiderojnë si gjynahqarë, përveç në rasteve kur është i detyruar për të shmangur një të keqe më të madhe. Në rast se nuk gjendet njeri tjetër, por veçse si ai apo edhe më i keq atëherë lejohet që namazi të falet mbas këtij njeriu, dhe nuk lejohet që namazi me xhemat të lihet. Ai njeri i cili gjykohet si kafir atëherë nuk lejohet të falesh mbas tij. Nëse kryhet një falje e tillë atëherë ai namaz është i pasaktë (i pavlefshëm).

– Sektet e dala nga Sunneti janë të kërcënuara që të gjitha me zjarr, ky kërcënim i përfshin ata ashtu siç përfshin të gjithë ata që kërcënohen me ndëshkim, përveç atyre që në të vërtetë janë kafirë.[18]

– Sektet e dala jashtë Islamit pjesëtarët e tyre në përgjithësi konsiderohen si kafirë dhe trajtohen si murtedë (felënës).

– E gjithë kjo nuk e pengon Ehli Sunne-tin që ata të bëjnë dua për bidatçinjt, që ata të udhëzohen dhe Allahu t’i falë dhe mëshiroj, me përjashtim të atyre që diheshin se ishin munafikë dhe kafira.

– Ehli Sunneh gjithashtu ka një menhexh të plotë për edukimin dhe pastrimin e shpirtit, ndreqjen e zemrave dhe pastrimin e tyre. Nëpërmjet ndreqjes së zemrës rregullohet e gjithë veprimtaria e trupit nga faktorë të tillë si:

– Përkushtimi me sinqeritet në adhurimin e Allahut duke iu larguar shirkut dhe bidatit, gjëra të cilat e dobësojnë apo e fshijnë nga themelet Imanin.

– Njohja e Allahut nëpërmjet emrave të Tij të bukur dhe cilësive të Tij të larta. Studimi dhe kuptimi i tyre dhe të punuarit sipas mësimeve që nxirren prej tyre. Këto emra dhe cilësi ngjallin te shpirti i njeriut dashurinë, bindjen, nënshtrimin, frikën dhe madhërimin e Allahut.

– Bindja ndaj Allahut dhe ndaj të Dërguarit të Tij, duke kryer obligimet dhe nafilet (gjërat fakultative). Po ashtu i kushtojnë rëndësi dhikrit, këndimit të Kuranit, salavateve ndaj Profetit (salallahu alejhi ue selem) agjërimit, dhënies së zekatit, kryerjes së Haxhit e Umres dhe plot gjëra të tjera të cilat na i ka bërë obligim Zoti.

– Largimi nga haramet dhe dyshimet dhe qëndrimi larg gjërave të papëlqyera.

– Të qëndruarit larg murgërisë kristiane dhe të bërit haram të gjërave që Allahu i ka bërë hallall. Ashtu siç duhet qëndruar larg dëgjimit të muzikës dhe këngëve…etj.

– Të ecurit në rrugën drejt Zotit me frikë dhe me shpresë duke e adhuruar Atë me dashuri, frikë dhe shpresë.

-Një nga dallimet e tyre kryesore është edhe: Pajtimi në mendime dhe ngjashmëri në pozicionime, me gjithë largësinë kohore dhe gjeografike që mund t’i ndajë. Ky fryt është rezultat i njësimit të burimit nga i cili ata e marrin fenë.

– Mirësjellja, mëshira dhe edukata me mbarë njerëzit është një nga cilësitë e tyre. Ata udhëhiqen në marrëdhëniet me njeri-tjetrin apo me të tjerët nga Kurani, Sunneti dhe shembulli i të parëve tanë të mirë (selefve).

– Ehli Sunneh beson se feja është këshillë dhe merret nga Allahu, Libri i Tij, Profeti, prijësit e myslimanëve dhe mbarë besimtarët.

– Ehli Sunneh i kushton rëndësi halleve të myslimanëve dhe mundohen t’i ndihmojnë ata duke ju dhënë hakun që ju takon dhe duke mos i dëmtuar ata.

– Dashuria ndaj besimtarit për aq sa besim ai ka dhe armiqësia ndaj kafirit edhe nëse është njeriu më i afërm.

-Nuk konsiderohet si bidatçij apo ekstremist ai që shfaq një Ixhtihad për të shpjeguar bazat e akides së Ehli Sunneh Uel xhemah, përderisa ai nuk bie në kundërshtim me këtë Akide.

-Kushdo që ka besim të bindshëm te bazat e Ehli Sunneh uel Xhemah dhe punon sipas saj ai i përket Ehli Sunnetit edhe nëse bie në ndonjë gabim për të cilat ata që s’kthehen konsiderohen si bidatçinj.[19]

Allahu e di më së miri, Paqja dhe bekimi i Tij qofshin mbi Profetin tonë (salallahu alejhi ue selem)

 


[1] Hadithe Ahad sipas terminologjisë së shkencës së hadithit janë ato hadithe të cilat nuk kanë aq shumë rrugë transmetimi sa të mbërrijnë në gradën e hadithit Muteatir, autenciteti i të cilit për shkak të numrit të madh të transmetuesve është i padiskutueshëm.

[2] Keramatet janë ndodhi të jashtëzakonshme që mund tu ndodhin besimtarëve dhe janë në një shkallë më poshtë se mrekullitë (Muxhize) të cilat nuk shfaqen vetëm se nga Profetët.

[3] Suretu Shura: 11

[4] Ekziston një mospërputhje mendimesh mes Sahabeve rreth kësaj pike në e pa Profeti Allahun natën e Miraxhit apo jo. Mendimi më i pranueshëm dhe më i argumentuar që kuptohet edhe nga hadithet të çojnë në konkluzionin se Profeti nuk e ka parë Allahun atë natë. Allahu alem.

[5] Tagut konsiderohen të gjithë ata që adhurohen përveç Allahut apo që pretendojnë ndonjë nga cilësitë e Tij unike, si p.sh. dija e së fshehtës.

[6] Kufri i madh të nxjerr jashtë feje ndërsa i vogli jo por përbën gjynah të madh.

[7] Term ky që përdoret nga tarikatet sufije dhe që për ta nënkupton njohja apo arritja e së vërtetës nëpërmjet rrugëve të tjera që nuk gjenden në Sheriat.

[8] Aty ku është e mundshme kjo gjë.

[9] Pra se gabimi është gabim dhe duhet pranuar kushdo qoftë ai që e ka bërë atë.

[10] Ehli hali uel Akd janë njerëzit me autoritet dhe pushtet në mesin e myslimanëve si p.sh. dijetarët e mëdhenj. Allahu alem.

[11] Këtu bëhet fjalë për udhëheqës besimtarë mysliman dhe jo për pushtetarët laikë dhe ateistë.

[12] Qofshin rebelë apo opozitarë që kërkojnë të përmbysin pushtetin me dhunë.

[13] Këtu duhet sqaruar se termi selefi apo Xhemati i hadithit që përdoret në disa vende është brenda kufijve të ehli sunneh uel xhemah e të dala nga sheriati dhe kanë të njëjtin kuptim, kjo bëhet në disa raste për tu dalluar nga ata që pretendojnë pa të drejtë se janë prej Ehli Sunneh uel Xhemah. (shih për më tepër sqarimHukmul Intima të Bekr Ebu Zejd)

[14] Ixhtihadi është opinion dhe mendimi i një dijetari për të cilin nuk ka argument të prerë nga ana e fesë.

[15] Këtu nuk bëhet fjalë për shumicën e Shiave që ekzistojnë sot por për ata Shia të cilët e shikonin Aliun si më të mirin e Sahabeve dhe se Kalifati më mirë i takonte atij para të tjerëve, por që nuk hedhin poshtë sahabet e tjerë dhe as nuk i konsiderojnë ata si kafira siç bëjnë shumica e shiave sot. Ky drejtim i shiave sot gjendet kryesisht në Jemen dhe njihen me emrin Zejdij, por që po vjen duke u zhdukur në favor të Ehli Sunnetit.

[16] Rafidhat janë sekt i shiave, por që sot ata përbëjnë pothuajse shumicën e tyre.

[17] Pra dallimi që bëhet ndërmjet tyre.

[18] Kjo s’do të thotë aspak që këta njerëz që nuk janë kafirë prej tyre do të hynë patjetër në zjarr, por ama frika ekziston përderisa ekziston kërcënimi. Por edhe nëse hyn ata nuk do qëndrojnë atje përjetë. Allahu e di më së miri seç do të bëjë me secilin prej tyre.

[19] Kjo duke vlerësuar se kanë gabuar pa e kuptuar dhe se nuk iu është bërë e qartë çështja.

 

Marrë nga libri Enciklopedia e thjeshtësuar e feve, medh’hebeve dhe fraksioneve të kohës

Vol.1 fq. 36-46. Botim i WAMY-it. Riad 1420.h

Përktheu: Justinian Topulli