7.8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Agjërimi dhe shëndeti juaj!

Më të lexuarat

Agjërimi gjatë muajit Ramazan është i dobishëm për shëndetin tuaj, po qe se kryhet siç është i paraparë. Kur trupi juaj ka mungesë ushqimi, ai fillon ta djegë yndyrën për të prodhuar energji. Kjo mund të çojë në humbjen e peshës. Megjithatë, nëse agjëroni për një kohë tepër të gjatë, trupi juaj mund t’i zbërthejë proteinat e muskujve për energji, gjë që nuk është e shëndetshme. Dr. Razin Mahruf-i, një mjek anestezist nga Oxford-i, thotë se ka një lidhshmëri të fortë në mes të dietës dhe shëndetit. “Ramazani nuk është menduar gjithmonë si një mundësi për humbjen e peshës, për shkak se më shumë është theksuar aspekti shpirtëror sesa ai shëndetësor”, thotë ai. Sidoqoftë, kjo është një mundësi e shkëlqyeshme për përfitimin e të mirave shëndetësore. Burimi i energjisë Ndryshimet të cilat ndodhin në trup përgjatë agjërimit varen nga gjatësia e tij (agjërimit). Trupi hyn në fazën e agjërimit rreth tetë orë pas ushqyerjes së fundit, atëherë kur lukthi përfundon absorbimin e vlerave ushqyese nga ushqimi. Në gjendjen normale glukoza e trupit, e cila është e depozituar në mëlçi dhe muskuj, është burimi kryesor i energjisë së trupit. Gjatë agjërimit, kjo depozitë e glukozës përdoret e para për prodhimin e energjisë. Më vonë, gjatë agjërimit, atëherë kur harxhohet glukoza, burimi tjetër me radhë për prodhimin e energjisë është yndyra. Në një agjërim që zgjat shumë ditë ose javë, trupi fillon t’i përdorë proteinat për energji. Kjo teknikisht njihet si “vuajtje urie”, gjë e cila është e dëmshme. Këtu përfshihen proteinat, të cilat lirohen nga zbërthimi i muskujve, çka është dhe arsyeja pse njerëzit që vuajnë urie duken shumë të thatë dhe të dobët. Sidoqoftë, ju nuk mund të arrini në fazën “vuajtje urie” përgjatë Ramazanit, për shkak se agjërimi ndërpritet për çdo ditë (në iftar). Tranzicion i lehtë Për shkak se agjërimi i Ramazanit zgjat vetëm nga agimi deri në mbrëmje, energjia e trupit mund të zëvendësohet me ushqimet përpara agimit e pas mbrëmjes. Kjo gjë mundëson një kalim të lehtë: nga përdorimi i glukozës, në përdorimin e yndyrës, si burim energjie; si dhe e parandalon zbërthimin e muskujve në proteina. Dr. Mahrufi thotë se përdorimi i yndyrës për energji ndihmon në humbjen e peshës. Kjo i mbron muskujt dhe e ul nivelin e kolesterolit. Përveç kësaj, humbja e peshës rezulton në kontrollim më të mirë të diabetit dhe e ul shtypjen e gjakut. “Gjithashtu ndodh edhe procesi i detoksifikimit, sepse çdo helm i grumbulluar në yndyrën e trupit tretet dhe hiqet nga trupi”, thotë dr. Mahrufi. Pas disa ditësh agjërimi, në gjak paraqitet një nivel më i lartë i endorfinës, e cila ju bën më vigjilent dhe ju bën të ndiheni përgjithësisht mirë. Konsumimi i balancuar i ushqimit dhe lëngjeve gjatë natës është po ashtu i rëndësishëm. Veshkat janë shumë efikase në mbajtjen e ujit dhe kripës në trup, siç është sodiumi dhe potasiumi. Sidoqoftë, këto mund të humben përmes djersitjes. Për ta parandaluar zbërthimin e muskujve, ushqimet duhet të përmbajnë mjaft burim energjie, siç janë karbohidratet dhe një sasi yndyre. “Dieta juaj gjatë agjërimit duhet të jetë e ngjashme me mënyrën se si duhet të ushqeheni edhe jashtë Ramazanit”, thotë dr. Mahrufi. “Ju duhet të keni një dietë të balancuar, me proporcione të duhura të karbohidrateve, yndyrës dhe proteinave.” Përktheu: Mr. Gëzim Zeqiri

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit