6.4 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Abbas i bën thirrje shoqërisë ndërkombëtare për të ndalur masakrën e Izraelit në Gazë

Më të lexuarat

Presidenti i shtetit të Palestinës, Mahmud Abbas duke e cilësuar ambasadën e ShBA-së në Jerusalem si “një vendbanim i ri hebre”, i bëri thirrje shoqërisë ndërkombëtare për të ndalur masakrën e Izraelit në Gazë.

Udhëheqja e Palestinës e kryesuar nga Presidenti Abbas, u mblodh në një mbledhje urgjente në Pallatin Presidencial në qytetin Ramallah në Bregun Perëndimor.

Abbas, i cili shpalli tre ditë zie në vend për 55 dëshmorët palestinezë të rënë në Gazë, bëri thirrje për organizimin e një greve të përgjithshme me rastin e 70-vjetorit të Nekbe-s (Fatkeqësisë së Madhe).

Duke vënë në dukje se Izraeli është duke kryer masakra ndaj palestinezëve në Gazë dhe Bregun Perëndimor që mbahen nën rrethim, Abbas tha se “Organizatat terroriste sioniste në vitin 1948 detyruan popullin palestinez në shpërngulje nga trojet e tyre”.

Kreu i shtetit të Palestinës përsëriti se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë humbur rolin e ndërmjetësuesit në bisedimet e paqes mes Izraelit dhe Palestinës, ndërkaq për ambasadën amerikane, përurimi i së cilës u bë dje, tha: “Ajo nuk është ambasadë, por një vendbanim i ri hebre. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat dikur ndihmonin Izraelin në ndërtimin e vendbanimeve hebreje në territoret tona, sot ata në po këto territore ndërtuan një vendbanim të ri hebre”.

Abbas bëri të ditur se Izraeli duke manipuluar me të vërtetat historike bën përpjekje për të shkatërruar realitetin në territoret palestineze, ndërsa shtoi se palestinezët do të vazhdojnë me rezistencë deri në formimin e shtetit të tyre.

Ai nënvizoi se territoret e Palestinës janë territoret e gjyshërve të tyre, ndërsa i bëri thirrje shoqërisë ndërkombëtare për të ndalur përdorimin e dhunës së Izraelit ndaj protestave paqësore dhe të sigurojnë mbrojtje për popullin palestinez.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit