AAK: Adem Grabovci shpifë për t’i mbuluar dështimet e qeverisë në veri

0
56

Nuk ka vonuar shumë, dhe AAK ka reaguar ndaj deklaratës së shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovcit,, i cili për gazetën “Express” kishte deklaruar se “deputetë të AAK-së kanë nënshkruar për nismën e PDK-së për seancë të jashtëzakonshme për veriun”.

Në reagim thuhet:

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), për hir të informimit korrekt të opinionit publik, bën të ditur se deklarata e shefit të GP të PDK-së, Adem Grabovci, dhënë në një të përditshme kosovare, se “AAK ka lëvizur nga qëndrimet e saj dhe e përkrah PDK-në në nismën për seancë të jashtëzakonshme në Kuvend”, është shpifje ordinere, qëllimkeqe dhe me pretendime për manipulim të opinionit publik.

Kreu i grupit parlamentar të partisë në pushtet, po synon që, me deklarime të tilla, t’i ikë përgjegjësisë parësore që e ka kjo parti dhe qeveria që ajo udhëheqë, për humbjet e mëdha dhe të njëpasnjëshme, të shkaktuara në veri të vendit.

AAK bën të ditur se që nga viti 2008, menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ka kërkuar plan dhe qasje serioze nga Qeveria e Kosovës, për zgjidhjen e çështjes së veriut dhe integrimin e qytetareve të asaj pjese të vendit. Kjo ide ishte refuzuar nga Qeveria Thaçi, e verbuar asokohe nga pushteti dhe abuzimet. Kjo qeveri e nënvlerësoi rëndësinë e shtrirjes së sovranitetit dhe kushtetushmërisë në veri dhe mbrojtjen e integritetit të vendit. Si rezultat, sot veriu është i ndarë dhe jashtë juridiksionit të Kosovës, kurse pasojat po i bartin qytetarët tanë atje.

AAK konsideron se ky kryeministër, qeveria dhe strukturat e tij janë përgjegjësit direkt për situatën e krijuar në vend, sidomos për atë në veri.

Pikërisht kjo qeveri ka lejuar që veriu i Kosovës të jetë aneks pa pushtet, pa ligj e pa kushtetutë, të bëhet oazë e krimit të organizuar dhe e kontrabandës dhe vend-defilim i lirë për kriminelët nga Serbia. Po kjo qeveri, aty ku dështoi në shtrirjen e Kushtetutës, pati sukses në shtrirjen e bizneseve të paligjshme.

Andaj, nisur nga tërë këto të vërteta, AAK konsideron se shpifjet e Adem Grabovcit janë në vazhdën e spekulimeve dhe keqpërdorimeve që partia në pushtet po ia bën pandalë Kosovës dhe opinionit të saj publik./koha/kohaislame