10.6 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

A të ka vdekur prindi?

Më të lexuarat

Një mik i imi më tha: a të ka vdekur prindi?

Vallë, i ke patë këto ndjenja më herët..?

Nëse nuk ke patë ndjenja të këtilla më herët, eja ti përshkruaj…

Për një çast dhe moment humbet nga jeta jote ai që ishte shkak për jetën tënde, humbet dhe le pas vete me qindra kujtime që ta mbushin mendjen dhe zemrën. Humbet befasisht, pa paralajmërim. Kështu vazhdimisht bën vdekja, vjen në befasi dhe nuk bën dallim mes të madhit dhe të voglit.

Bërtasim për lajmin e mërzitshëm se na ka vdekur baba, madje edhe nuk na besohet se kjo ka ndodhur. Ishte me mua para disa ditëve, flitnim me te për martesën, shtëpinë, familjen. Ai e mbushte shtëpinë me gëzim dhe qeshje me komentet e tija komike.

I dashuri vëlla, ajo që nuk e di, ndoshta edhe e di, mirëpo e injoron, është fakti se të gjitha krijesat nuk e kuptojnë vlerën e asaj që e posedojnë përpos se kur ta humbin, andaj edhe ti nuk do ta kuptosh vlerën e babës tënd, përpos se kur do ta humbësh, mos dhashë Zoti, atëherë të rikthehen kujtimet me te dhe i parashtron vetes një pyetje, por e cila bartë me vete zhurmën e mija topave në mendjen dhe qenien tënde…

Vallë vdiq e shkoi duke qenë i kënaqur me mua?

Vallë, i ka marrë me vete gabimet dhe sjelljet e këqija të mija apo mi ka falur me zemrën e tij të mëshirshme, zemrën e prindit, i cili nuk bartë urrejtje dhe mllef për bijtë e tij çka do që i bëjnë ata?

Nëse mi ka falur, si ta dijë këtë gjë?

A kishte qenë e mundshme të arrija grada më të larta te ai?

E nëse nuk mi ka falur gabimet dhe sjelljen e keqe time, e i ka mbetur diçka në zemrën e tij ndaj meje, si ta dijë këtë gjë?

A kam mundësi të shpaguaj këtë mëkat?

Këtu përfundoi fjala e mikut tim, nuk mundi të vazhdojë bisedën e tij, sepse e kaploi vaji, kurse unë e shikoja me dhembshuri, sepse kjo fatkeqësi ishte shumë e rëndë për te.

Në këtë moment mu kujtua Ijas ibën Muaviu, i cili kur i vdiq e ëma qau, e i thanë: pse po qanë? Tha:

(كان لي بابان مفتوحان من الجنة فأغلق واحد وإني لأرجو ألا يغلق الآخر حتى أدخل أنا و أبي سوية إلى الجنة)

“Kisha të hapur dy dyer të xhennetit, e mu mbyll njëra, kurse shpresoj që mos të më mbyllet edhe tjetra, derisa të hyjmë unë dhe babi im bashkë në xhennet”.

Në këto çaste mu kujtuan edhe shumë tregime të muslimanëve të parë dhe bamirësia e tyre ndaj prindërve të vet.

Memuni thotë se nuk ka pa njeri më bamirës ndaj babës së vet se sa Fadl ibën Jahja. Vazhdon në bisedën e tij dhe na e sjell këtë tregim:

“Babai i tij çdo herë merrte abdest me ujë të nxehtë. Kur hynë në burg, në një natë të ftohtë, gardiani, rojtari i burgut, nuk u lejoj që të fusin dru në qeli. Kur ra në gjumë babai i Fadlit, ai e mori enën e ujit dhe e vendosi mbi llambë dhe ashtu qëndroi deri në mëngjes. Kur u zgjua babai i tij në mëngjes i mundësoi të merrte abdest me ujë të ngrohtë. Natën e ardhshme kujdestarët e burgut e larguan edhe llambën, atëherë Fadli e mori enën e ujit dhe e futi nën rrobat e tija dhe e vendosi në bark që ta nxeh ujin me ngrohtësinë e barkut, duke duruar kështu të ftohtin e ujit dhe kohës”.

Vëlla i dashur ja edhe një tregim, i cili e shtyri të qanë Omerin, radijAllahu anhu, dhe ata që ishin përreth tij…

Në disa libra tregohet se Umeje Kenaniu ishte i pari i fisit të vet, kishte një djalë që e kishte emrin Kilab. Ata kishin bërë hixhret në Medinë në kohën e Omerit, radijAllahu anhu. Ata qëndruan një kohë në Medinë dhe u njoftuan mirë me banorët e Medinës dhe shokët e Muhammedit, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem. Në një takim me shokët e Muhammedit, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, Kilabi u parashtroi pyetjen:

Cila është vepra më e mirë në Islam?

I thanë: xhihadi në rrugë të Allahut.

Kilabi shkoi te Omeri, radijAllahu anhu, duke kërkuar pjesëmarrje në ndonjë luftë. Omeri, radijAllahu anhu, e dërgoi me ushtrinë muslimane në persi. Kur mori vesh babai i tij, e kapi për qafe e i tha: mos i le vet prindërit e tu pleq dhe të dobët. Ata të kanë rritur kur ishe i vogël, e tani kur ata kanë nevojë për ty, ti do ti lësh?

U tha: do t’ju lë vet për një vepër, e cila është më mirë për mua.

Pasi që mori pëlqimin e prindërve doli me ushtrinë islame. Mirëpo kthimi i tij u vonua shumë kohë.

Babai dhe nëna e tij një ditë ishin të ulur nën hijen e një hurme të tyre dhe ndërkohë erdhi një pëllumb në folenë e vet dhe lozte dhe argëtohej me zogun e vet. Kur pa plaku këtë pamje qau, qau edhe plaka. Ndërkohë babait iu dobësua shikimi.

Pasi që kthimi i djalit nga kjo detyrë u vonua shumë shkoi te Omeri, radijAllahu anhu, në xhami e i tha: “Omer, pasha Allahun, nëse nuk ma kthen sa ma shpejtë djalin tim do të lutem kundër teje në Arafat”.

Omeri, radijAllahu anhu, menjëherë u shkroi komandantëve të vet që ta kthejnë këtë djalë te prindërit e vet. Kur u kthye djali nga luftimet hyri te Omeri, radijAllahu anhu, e Omeri e pyeti: cila ka qenë vepra më e mirë që ke bërë ndaj prindërve tuaj?

Tha: çdo herë i jepja përparësi atyre dhe ia kryeja të gjitha nevojat e tyre. Kur doja të mjelja për ta qumësht shkoja në ahur të deveve, shikoja devenë me më shumë qumësht, e rehatoja dhe e leja që të pushojë, pastaj ia laja sisët derisa të ftoheshin, pastaj e mjelja e ua jepja që ta pinë.

E thirri Omeri, radijAllahu anhu, babain e tij. Kur erdhi, i kërrusur, i ligështuar, me shikim të dobët, dhe hyri te Omeri, Omeri, radijAllahu anhu, i tha: si je Ebu Kilab?

Tha: si më sheh, kryetar i muslimanëve.

Tha: çka kishe dashtë më së shumti sot?

Tha: asgjë nuk dua sot, asnjë lajm nuk më gëzon dhe asnjë e keqe nuk më ç’rehaton.

Omeri i tha: asgjë, asgjë.

Tha: po, do të kisha dashur që Kilabi, djali im të ishte këtu afër meje, t’ia marr erën dhe ta përqafoj para se të vdes.

Qau Omeri, radijAllahu anhu, dhe i tha: do të arrish atë që do me lejen e Allahut.

Omeri, radijAllahu anhu, e urdhëroi Kilabin që të shkojë dhe të mjelë qumësht nga deveja për babin e vet, ashtu sikurse bënte para se të dilte në luftë dhe t’ia sillte. Kur ia solli qumështin Omerit dhe Omeri këtë qumësht ia dha Ebu Kilabit duke i thënë: pije këtë. Kur e afroi buzën e tij afër pjatës që ta pinte tha: O kryetar i muslimanëve, pasha Allahun, jam duke marrë erën e duarve të Kilabit. Omeri, radijAllahu anhu, qau e tha: ja ku e ke Kilabin, ta kemi sjellë nga lufta. U ngrit shpejt e përqafoji djalin e tij dhe e shtrëngoi fortë duke qarë, kurse edhe Omeri me ata që ishin të pranishëm qanin. Pastaj Omeri, radijAllahu anhu, tha: Djali im, kujdesu për prindërit dhe në bamirësi ndaj tyre bën xhihad sa të jenë gjallë, e pastaj kujdesu për veten tënde pas tyre.

Eja, vëllai im i dashur, nxito dhe sillu mirë me prindërit tu, ji sikur këta kolosë të mëdhenj, para së të gdhimë ndonjë ditë para fatkeqësisë së befasishme, e njerëzit përreth të na thonë: Allahu të dhashë sabrin dhe të përpjektë me të në xhennet, se të ka vdekur baba…

Marrë nga: islammemo.cc

http://www.islammemo.cc/article1.aspx?id=20050

Përktheu: Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit