8.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

A na gënjejnë sondazhet?

Më të lexuarat

Ergys Mërtiri
Si çdo garë, zgjedhjet elektorale shoqërohen me shumë pikëpyetje mbi rezultatet. Njerëzit kanë kuriozitetin të dinë paraprakisht se kush do fitojë dhe kjo i ndez shqisat e publikut për çdo parashikim. Pikërisht, sondazhet ofrojnë këtë lloj ushqimi, shumë të kërkuar nga publiku megjithëse nuk ngop askënd. Ato janë mjete në ndihmë të parashikimeve, të cilat mund të na ndihmojnë për të krijuar një ide mbi çfarë pritet të ndodhë. Por a mund të jenë ato të sakta në parashikim?

Fillimisht duhet të pranojmë se në shkencat sociale parashikimi nuk është thjesht dhe vetëm parashikim. Siç ka treguar që herët Karl Popper, parashikimi shoqëror, për sa kohë bëhet publik, nuk është i shkëputur nga objekti i parashikuar. Duke qenë se shoqëria përbëhet nga subjekte të vetëdijshme për veprimet e tyre, këto subjekte nuk mund të mos reagojnë ndaj vetë parashikimit, objekt i të cilit janë. Kjo do të thotë se vetë parashikimi ka efekt mbi atë çfarë parashikohet. Pra ai ndikon mbi ngjarjet duke i nxitur apo penguar ato. Kjo do të thotë se parashikimi bëhet në njëfarë mënyre, paracaktim, duke humbur kuptimin në vetvete.

Fakti që politikanët janë gjithmonë reagues ndaj rezultateve të sondazheve parazgjedhore, tregon se ata e kuptojnë mjaft mirë efektin e tyre elektoral. Duke krijuar një perceptim, sondazhi mund të motivojë apo demotivojë njerëzit për të dalë në votime si dhe mund të orientojë votën e tyre. Pikërisht, për këtë arsye, edhe nëse ka ndonjë mënyrë për të ofruar sondazhe të sakta, është e vështirë që instrumente të tilla të lihen pa u përdorur politikisht, për sa kohë që një fushatë angazhon interesa dhe mjete të mëdha në betejë.

Autorë të shumtë kanë shprehur rezerva të mëdha ndaj mundësive që sondazhet kanë për të na formuar matje të sakta. Problemet shfaqen, jo vetëm në gjetjen e një kampionimi përfaqësues të popullatës që vëzhgohet, por edhe në mënyrën se si merret informacioni, e më pas, se si interpretohet ai. Në mjaft raste përgjigjet e marra nga të intervistuarit janë përgjigje të pasakta, të dhëna sa për të kaluar radhën, ndërsa shpesh pyetjet janë të keqkuptueshme prej tyre. Një studiues i shkencave sociale, George Bishop, e ka provuar këtë, nëpërmjet një sondazhi të posaçëm me pyetje kurth, të tilla si: “ç’mendoni për ligjin e metaleve metalike”? Të dhënat treguan se shumica e të intervistuarve, rreth dy të tretat e tyre, dhanë mendimin e tyre mbi këtë çështje. Pra, njerëzit në sondazhe mund të japin mendime për gjithçka, edhe kur ajo për të cilën pyeten nuk ka kuptim.

Shqiptarët kanë ndoshta përvojat më negative në raport me sondazhet zgjedhore. Kemi parë në mënyrë të vazhdueshme sondazhe me rezultate aq të gabuara sa ia kalojnë edhe hamendësimeve më sipërfaqësore. Sondazhet në Shqipëri janë më të pabesueshme se kudo, jo vetëm për subjektivitetin e madh të atyre që i hartojnë, por shpesh edhe për vështirësitë që ka në terren nxjerrja e rezultateve objektive.

Edhe sondazhi i zhvilluar së fundmi nga IPR Marketing shfaq probleme të mëdha të cilat fillojnë që në kampionim, pa hyrë më pas në detaje që kanë të bëjnë me formulimin dhe strukturimin e pyetjeve. Siç u publikua edhe në shtyp, të dhënat e sondazhit të kësaj kompanie për zgjedhjet vendore të 2015-s gabonin deri në 10-15 për qind, një shifër kjo tmerrësisht e lartë për matje të tilla.

Drejtori i kompanisë z. Antonio Noto, tha se 15 deri në 18 për qind e të pyeturve kanë refuzuar të përgjigjen. Sipas tij këta janë zëvendësuar me të intervistuar të tjerë me të njëjtat të dhëna, për të ruajtur numrin e kampionimit. Në fakt, kjo e prish kampionimin. Kjo kategori të intervistuarish duhet të ishte llogaritur si pjesëmarrëse, pasi ajo përfshin zgjedhës me një vullnet tjetër, nga ata që pranojnë të përgjigjen. Mosllogaritja e tyre vë në dyshim serioz rezultatet.

Gjithashtu, një tjetër kategori përgjigjedhënësish që rrezikon rezultatet e një sondazhi është edhe ajo e atyre që nuk tregojnë të vërtetën. Nëse i bashkojmë këta, me ata që kanë refuzuar të përgjigjen, situata mund të na i përmbysë plotësisht rezultatet.

Z. Noto u përgjigj në lidhje me këtë problem se, nuk ka arsye që gënjeshtarët të jenë të një force politike dhe jo të një tjetre. Sipas tij, gënjeshtra nuk ka përkatësi politike dhe se për çdo gënjeshtar të majtë kemi një gënjeshtar të djathtë, gjë që nuk na e rrezikon vërtetësinë e të dhënave. Në fakt, ky është vetëm një hamendësim, që një studim i mirë do të duhej ta kish provuar në mënyrë shkencore dhe jo ta merrte apriori për të mirëqenë. Vërtet gënjeshtra nuk ka përkatësi politike, por arsyet për të gënjyer dhe perceptimi si nevojë për fshehjen e votës ka lidhje doemos me përkatësinë e tyre politike.

Një votues i opozitës, i frikësuar se intervistuesi mund të jetë një provokator që mbledh informacion për hesap të qeverisë, i cili mund ta penalizojë, bie fjala, me largim nga puna, patjetër që është më i interesuar të mos e deklarojë të vërtetën se sa një tjetër që ndihet komod me pushtetin aktual. Mosmarrja në konsideratë e dukurive të tilla dhe mospërdorimi i pyetjeve kurth për të zbuluar masën në të cilën ndikon ky fenomen, është një handikap i madh që vë në dyshim besueshmërinë e rezultateve të këtij sondazhi.

Problemi me sondazhet krijohet nga fakti që edhe nëse nuk janë në shërbim të një politike të caktuar, ato hartohen dhe konceptohen shpesh nga të huaj, që nuk e njohin sa duhet terrenin shqiptar dhe nuk kanë hipotezat paraprake të duhura mbi pritshmëritë mbi të cilat duhen ndërtuar pyetësorët. Për këtë arsye, dashur pa dashur ata bëhen më shumë faktorë prodhues të rezultateve zgjedhore se sa parashikues të tyre.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit