1.9 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

A keni dëgjuar për rregullin 25-5 nga Warren Buffett?

Më të lexuarat

Nga Justin Bariso, autor

Përveçse është një nga njerëzit më të pasur dhe më të suksesshëm në botë, Warren Buffett ka demonstruar inteligjencë të jashtëzakonshme emocionale në shumë raste.

Për shembull, a keni dëgjuar ndonjëherë për rregullin e tij 25/5?

Një koleg i suksesshëm i imi, Jeffrey Towson, kohët e fundit ndau në LinkedIn historinë se si ai e ka zbatuar këtë rregull në karrierën e tij.

Ja si mund t’ju sjellë dobi ky rregull.

25/5: I thjeshtë por i shkëlqyeshëm

Sipas tregimit, Mike Flint, i cili ka punuar si pilot personal i aeroplanit të Buffett për një dekadë, po diskutonte prioritet e karrierës me shefin e tij kur Buffett i tregoi atij një ushtrim të thjeshtë.

Së pari, Buffett i tha Flint të bënte një listë me 25 qëllimet e tij më të mira në karrierë.

Pastaj, Buffett i tha t’i nënvizonte pesë qëllimet e para.

Buffett rekomandoi një përdorim shumë unik të kësaj liste.

Raportohet se, Buffett i tha Flint-it të:

  1. qëndrojë i përqendruar në arritjen e qëllimeve 1 deri 5, dhe
  2. t’i qëndrojë larg qëllimeve 6 deri në 25.

Çfarë mund të mësojmë nga kjo? 

“Gjithçka ka të bëjë me përqendrimin”, thotë Towson. “Ju nuk do t’i arrini 25 gjëra në jetën tuaj. Nëse vërtet përqendroheni në termin afatgjatë, mund t’i arrini tri deri në pesë qëllime të mëdha, ndoshta. Dhe shpërqendrimi do të vijë prej numrave 6 deri në 25, sepse këto gjithashtu janë gjëra që ju interesojnë. Këto janë shpërqendrimet tuaja më të mëdha”.

Ky rregull i thjeshtë është një mënyrë e shkëlqyeshme për të aplikuar inteligjencën emocionale në jetën tuaj të përditshme.

Është e lehtë t’i gjeni pesë gjëra që me të vërtetë dëshiron t’i bëni. Por është edhe më e lehtë të hutoheni nga kënaqësitë e përkohshme të gjërave që nuk janë aq të rëndësishme.

Dhe kjo është arsyeja pse është thelbësore t’i identifikoni qëllimet 6 deri 25 – për t’ju ndihmuar t’i identifikoni gjërat që po ju shpërqendrojnë.

Si ta bëni rregullin 25-5 të funksionojë për ju

Në tregimin që e përmenda më lart, Buffett këshillonte se si të arrini qëllimet tuaja më të mëdha të karrierës ose jetës. Por ju mund ta përdorni këtë rregull për t’ju ndihmuar edhe me detyrat tuaja ditore, javore dhe mujore.

Për shembull, çdo mëngjes, ju mund të bëni një listë me pesë deri në 10 gjëra që me të vërtetë dëshironi t’i realizoni në një ditë.

Pastaj, nënvizoni vetëm detyrën kryesore (ose dy, maksimumi). Mos bëni asnjë nga detyrat e tjera deri sa ta përfundoni detyrën kryesore.

Bëni të njëjtën gjë edhe për javën. Identifikoni 10 gjëra që dëshironi t’i përfundoni, por zgjidhni vetëm dy ose tri më kryesoret. Bëni këto detyra prioritetin tuaj kryesor dhe mos lejoni që detyrat tjera t’ju shpërqendrojnë.

Ju mund të përsërisni të njëjtin proces për muajin tuaj, për vitin tuaj, apo edhe për strategjinë tuaj pesë-vjeçare. Pasi lista juaj të jetë e plotë, bëjeni zakon t’i bëni vetes pyetjet e mëposhtme kur të përballeni me alternativa se si ta kaloni kohën tuaj:

A do të më ndihmojë kjo detyrë të arrij qëllimin tim të ditës?

A do të më ndihmojë ky projekt të arrij qëllimet e mia kryesore të vitit?

A do të më ndihmojë kjo strategji të arrij qëllimet e mia përfundimtare të karrierës?

Apo, a bën pjesë kjo detyrë në kategorinë e dytë: interesante, diçka interesante por një shpërqendrim?

Përdorni rregullin 25-5 dhe jo vetëm që do të arrini përqendrim ekstrem- por do të bëni që emocionet të punojnë për ju, në vend që t’ju kundërshtojnë.

INC

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit