A ka ndonjë të keqe këtu?

0
50

Pyetja:

Kam një vella më të madh se unë dhe më i madhi në familje. E dua shumë për hir të Allahut, por edhe ai më do. Tani është fejuar me një muslimane dhe gjithashtu e dua edhe atë shumë për hir të Allahut. Nuk dua që asnjë e keqe t’ju ndodhë atyre dhe nuk dua që ata të jenë të mërzitur, nuk dua që të kenë shumë mundime. Gjithmonë qaj për ta kur u ndodh diçka dhe kur i shoh të mërzitur. Gjithmonë i lutem Allahut që varfërinë që ka shkruar për ta të ma kthej mua dhe t’i dhurojë rriskun tim dhe sprovat që janë për ta të m’i kthej mua dhe t’i bëjë të lumtur ata. Por, nuk e di, ai me tregon çdo gjë, shumë gjera, është shumë i sinqertë me mua, edhe unë me të, por kur nuk më tregon diçka hidhërohem e shumë shpejt më kalon dhe pastaj kërkoj falje nga Allahu dhe i kërkoj hallallin. Nuk e di pse, por gjithashtu ndodh edhe me të fejuarën e tij. Ajo ka një shoqe që e njeh që prej shumë vitesh dhe është moshatare me të. Ajo e do atë më shumë, sillet me të më lirshëm dhe unë mendoj se përse ajo nuk sillet me mua si me të? Nuk e di pse me vijnë këto mendime dhe shumë herë mundohem t’i largoj, i largoj, por prap më shfaqen. Si t’ia bëjë, a ka ndonjë të keqe këtu?

Përgjigja:

Nga letra juaj kuptoj se ju keni një dashuri të madhe ndaj vëllait tuaj më të madh, ndjeni respekt dhe jeni krenare për të. Pa dyshim, e tërë kjo dashuri është fryt i kohës që keni jetuar së bashku në gjirin tuaj familjar, kështuqë keni momente të ndryshme të jetës që i ndani në mes vete. Prandaj, unë të përgëzoj ty dhe vëllain tënd, për shkak se Allahu mbi ju ka zbritur dy dhunti, dashurinë e natyrshme që e ndien çdonjëri nga ne ndaj vëllait të tij apo anasjelltas dhe dhuntia tjetër që është më vështirë të gjindet e ajo është se ti e ke vëllain edhe një shokë apo mik të sinqertë gjë që shumë njerëz ëndërrojnë për të pasur një gjë të tillë.

Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Njeriu nuk mund të ketë begati më të çmuar pas imanit (besimit) se të ketë shokë të sinqertë.” Vlerën e shokut të sinqertë do ta kuptojnë edhe banorët e zjarrit, pasiqë të hynë në të. Allahu i Lartësuar na tregon se çfarë thonë ata: “E tani për ne nuk ka ndonjë ndihmës (ndërmjetësues). Nuk ka as ndonjë mik të sinqertë (i cili do të na ndihmonte).” (Shuara, 100-101)

Prandaj është e njohur thënia se miku i vërtet njihet në vështirësi.

Pasi kuptuam këtë, atëherë duhet ta kemi parasysh edhe atë se njeriu për ta ruajtur këtë dhunti duhet të posedojë urtësi dhe mendjemprehtësi, për shkak se kjo është një çështje e ndjeshme dhe mund të prishet shpejt apo kjo miqësi të zbehet, nëse bëjmë sjellje që ndikojnë në të.

Të jemi më konkret dhe them se ajo që duhet të kuptoni është se përkundër miqësisë që keni ndërmjet jush, janë disa çështje private apo personale te secili nga ne që nuk dëshiron të hapet për to me askënd. Prandaj t’i duhet të jesh e vetëdijshme në këtë dhe ta marrësh si normale këtë çështje.

Gjithashtu kësaj mund t`i shtoj edhe atë se është e mundur që ju të ndieni xhelozi pas fejesës së vëllait, gjë që është normale pasi tani ai shumë gjëra do t’i planifikojë, kuvendojë apo këshillohet me partneren e tij, pra me gruan e tij. Këtë ju duhet ta merrni si diçka normale. Dhe nëse dëshironi ta ruani miqësinë që keni, atëherë duhet patjetër ta ndalosh veten të hulumtosh për ato gjëra që nuk të tregon vëllai, apo nuk ka dëshirë të flaës për to. Vetëm në këtë mënyrë mund të kesh sukses në vazhdimin e miqësisë, ashtu si keni qenë më herët.

Dëshiroj ta bëjë me dije, gjithashtu, edhe një gjë, shumë nga ato gjëra të pakta që nuk di ti për vëllain apo ai nuk të tregon, dije se janë gjëra të thjeshta dhe nuk çojnë asnjë peshë nëse ti i di apo nuk i di, por shejtani me anë të këtyre vesveseve dëshiron të arrijë qëllimin e tij, si prishja e miqësisë, apo nëse këtë nuk mundet, atëherë ka arritur që ty mos të të lejë të qetë apo së paku ka arritur të preokupojë me këtë dhe të largojë nga ajo që është më e dobishme për ty.

E njëjta vlen edhe me të fejuaren e vëllait tënd nëse ajo nuk hapet me ty në disa gjëra, kurse hapet me ndonjë shoqe tjetër, atëherë ti duhet ta marrësh këtë normale, për shkak se siç e cek edhe ti ajo njihet me atë shoqen një kohë më të gjatë dhe është më e afërt me të. Sido që të jetë, ti duhet të kuptosh natyrshmërinë e të tjerëve dhe të respektosh mendimet e tyre. Dhe mos bë imponues ndaj të tjerëve se kjo e ul vlerën tënde dhe e humb respektin që kanë ndaj teje. Së fundi të deshiroj sukses në këtë botë dhe në botën tjetër!

Alaudin Abazi

25.11.2005