6.5 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

A je i gatshëm të jetosh për fenë tënde?

Më të lexuarat

Kjo është pyetja, sidomos në realitete, kur njerëzve u mjegullohet pamja, jashtë vullnetit të tyre, duke u ngritur si pa u ndjerë, tymnaja ç’orientuese, që e dëmtojnë imazhin e fesë dhe e bëjnë atë skëterrë para syve të njerëzimit…

Ndoshta, ndërhyrja e qetë dhe e vendosur e presidentit turk, ditën e djeshme, për ndarjen e Islamit nga terrori, (njësoj siç realisht ai ndahet nga e keqja, terrori dhe dhuna), ishte një rreze e munguar në qiejt e trazuar nga retë e hirta mbi kokat e njerëzimit!

Kur’ani Famëlartë është i mbushur me rrëfime nga jeta e të parëve; Pejgamberë e njerëz të mirë, përmendja e të cilëve ishte forcim për zemrën e të Dërguarit (a.s.), udhëzim deri në ditën e fundit për mbarë njerëzimin.

Poashtu, rrëfimet nga jeta e sahabëve dhe njerëzit e shquar pas tyre, janë për ne busulla udhëzimi, që na frymëzojnë përherë e më shumë për ta jetuar paqen islame, krenarinë dhe dinjitetin e të qenit muslimanë.

Pa dyshim, një ndër këta shembuj është edhe gruaja e nderuar e fisnike, Um Haram bint Milhan, historia e së cilës rrezaton përherë madhështinë e besimit dhe krenarinë që ai përhap në qenien njerëzore.

Tezja e sahabiut të nderuar Enes ibn Malik, Um Harami kishte edhe një lidhje qumështi me Hz. Muhammedin (a.s.), që e kishte si tezen e tij.

Kjo grua e nderuar u bë pjesë e historisë së lavdishme islame në vitin 27 h., kur muslimanët në kohën Hz. Osmanit (r.a.) iu përgjigjën romakëve në Qipro, nëpërmjet flotës së parë islame në histori.

Beteja përfundoi me triumfin e muslimanëve nën drejtimin e Hz. Muavije ibn Ebi Sufjanit. Ato ditë, Um Harami (r.a.) dorëzoi shpirtin si dëshmore në këtë betejë. Dhe, historia zgjat me detaje e stacione të rëndësishme, që nuk janë objekt i këtyre shënimeve.

Pyetja që del nga kjo histori dhe personazhi i saj, në raport me të sotmen tonë si muslimanë, është, se sa të gatshëm jemi sot, të lexojmë drejtë të shkuarën e të parëve tanë, për ta kthyer në energji pozitive që mban gjallë shpirtin e besimit ndër ne?

Sa të aftë jemi sot, ne muslimanët e kësaj kohe, të jetojmë për fenë tonë dhe me shpirtin e saj, për t’u dëshmuar si qytetarë të denjë të kësaj bote të përkohëshme, ku jemi të ftuar të ndërtojmë vlera, bazuar mbi themele të forta besimi, dijeje, dinjiteti e krenarie legjitime?

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, më 3 shkurt 2017

(Reflektime nga hytbeja e xhumasë, mbajtur sot në xhaminë e “Dy Vajzave”, Shkodër)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit