9.9 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

A i urdhëroni njerëzit që të bëjnë të mira e veten po e harroni?

Më të lexuarat

Allahu i Lartësuar thotë: “Vallë, a i urdhëroni njerëzit që të bëjnë të mira e veten po e harroni, ju që lexoni shkrimet?! A nuk arsyetoni?” (Bekare, 44)
Ky ajet kuranor ka zbritur në kontekstin e përkujtimit Beni Israilëve të dhuntive të Allahut të Lartësuar ndaj tyre. Qëllimi i ajetit – Allahu e di më së miri- është të sqarojë gjendjen e çifutëve dhe të atyre që janë si ata dhe që ecin sipas ligjeve të tyre. Ata kryenin detyrën e këshillimit dhe të mësimit ashtu siç bën zanatliu me zanatin e tij, tregtari me tregtinë e tij, punëtori me punën e tij, vetëm me përmbushjen e detyrës së tyre, me qëllim që të fitojnë kompensimin për atë që bëjnë. Ata nuk e shikojnë gjendjen e tyre kundrejt urdhrave me të cilat i urdhërojnë njerëzit.

Me fjalën “njerëzit” në ajet synohet masa e gjerë nga populli i çifutëve. Kuptimi i ajetit është: Si po i urdhëroni pasuesit tuaj dhe masën e gjerë që të bëjnë mirë, por po e harroni veten tuaj?

Gjithashtu, ajeti është edhe kërcënim për dijetarët e tyre sepse ata e dinë se ajo me të cilën ka ardhur i Dërguari i Allahut është e vërtetë. Ata i urdhërojnë pasuesit e tyre me këshilla e nuk dëshirojnë shpëtimin e vetvetes. Ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, gjatë komentimit të këtij ajeti thotë: “A po i ndaloni njerëzit nga mosbesimi (kufri), ndërsa po e lini veten tuaj? Ju po mohoni atë çfarë ka në Tevrat, po e kundërshtoni marrëveshjen Time dhe po mohoni atë që dini nga Libri Im.”

E mira nënkupton dobinë në vepra për çështjet e kësaj bote dhe të botës tjetër. Është transmetuar se e mira është në tri gjëra: “E mira në adhurimin e Allahut, e mira në kujdesin ndaj të afërmve dhe e mira në sjelljen ndaj të tjerëve”.

Qortimi në ajet është për shkak të lënies së veprës së mirë e jo për shkak të urdhërimit për në mirësi. Kështu Allahu i Lartësuar në Librin e Tij i ka qortuar ata njerëz, të cilët urdhërojnë për vepra të mira dhe nuk punojnë me to. I ka qortuar me një qortim, i cili lexohet edhe sot e kësaj dite. Urdhërimi në të mirë është obligim për dijetarin dhe më parësore është që i dijshmi të punojë bashkë me ata që i urdhëron e jo të largohet prej tyre. Shuajbi, paqja e Zotit qoftë mbi të, i drejtohet popullit të vet duke u thënë: “Unë nuk dëshiroj të bëj atë, që jua ndaloj juve.” (Hud, 88)

Urdhërimi në të mirë dhe të punuarit me të janë obligim dhe nuk bie njëra prej tyre e të lihet tjetra sipas mendimit më të saktë të dijetarëve. Harresa në fjalën e Allahut të Lartësuar (e veten po e harroni) ka për qëllim lënien, respektivisht po e lini veten tuaj nga obligimi i asaj që po i urdhëroni të tjerët.

Harresa النسيان vjen me kuptimin e lënies; këtë kuptim ka në këtë ajet. Ngjashëm me këtë ka ardhur edhe në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Ata e kanë harruar Allahun, por edhe Ai i ka harruar ata” (Tevbe, 67), gjithashtu fjala e Tij: “Kur ata i harruan paralajmërimet Tona” (En’am 44) e ajete të tjera. Gjithashtu, kjo fjalë e ka kuptimin e të kundërtës së të mbajturit mend dhe të kujtesës.

Fjala e Allahut të Lartësuar: “A nuk arsyetoni?!” nënkupton pyetjen e mohimit të arsyetimit të tyre dhe është pyetje në formë të mohimit dhe të qortimit. Çdokush që vazhdon të tregohet i pavëmendshëm për veten e vet dhe nuk mendon për të mirën e saj, pothuajse i ka humbur arsyetimi dhe logjika. Ndërsa për atë se ky veprim konsiderohet i keq nuk dyshon asnjë i mençur.

Qëllimi kryesor i kësaj porosie kuranore është tërheqja e vërejtjes për besimtarët në përgjithësi, e për thirrësit në veçanti, rreth domosdoshmërisë së pajtimit dhe bashkimit të fjalës dhe veprës, e jo që fjala e tyre të jetë në një luginë ndërsa vepra e tyre në një luginë tjetër. Dija më e dobishme është ajo që e vërteton vepra. Prandaj, ai që urdhëron në të mirën dhe në të dobishmen, duhet të nxitojë i pari drejt saj. Në hadithin e vërtetë, për të Dërguarin e Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, thuhet se: “Morali i tij ishte Kurani”. Sjellja dhe veprat e tij ishin në pajtueshmëri të plotë me atë që ka zbritur Kurani dhe ka urdhëruar për të. Puna është fryt i dijes dhe nuk ka dobi dija pa vepër.

Në fund po e përmbyllim bisedën tonë rreth këtij ajeti me fjalën e Ibrahim en Nahaij, Allahu e mëshiroftë, i cili thotë: “Unë i urrej rrëfimet për shkak të tre ajeteve kuranore. Fjala e Allahut të Lartësuar: “Vallë, a po i urdhëroni njerëzit që të bëjnë të mira…” (Bekare, 44), fjalën e Tij: “Përse thoni atë që nuk e bëni?” (Saf, 2), dhe fjalën e Allahut të Lartësuar: “Unë nuk dëshiroj të bëj atë, që jua ndaloj juve.” (Hud, 88)

E lusim Allahun e Madhërishëm të na bëjë prej atyre të cilët e punojnë atë që e urdhërojnë. “Ndërsa suksesi im varet vetëm nga Allahu. Tek Ai mbështetem dhe Atij i drejtohem.” (Hud, 88) 

Almedin Ejupi
12.4.2009

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit