15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

A është perëndimi “El-Dorado” i shqiptarëve?

Më të lexuarat

Vajada Keçi Manjani

Perceptimi i kufinjve pas gati 50 vite mishërim të tyre në komunizëm mbetet të jetë shumë i gjallë tek ne shqiptarët. Perceptimi i popullit tonë si i mbyllur në kafaz imagjinar, përtej se cilit nuk mund të kalohet, vërehet të jetë i gjallë edhe sot e kësaj dite. Prej kohësh populli ynë ka ëndërruar perëndimin sikur të ishte “El Dorado”, prej të cilit na ndajnë veç disa kufij. Të tillë, shume syresh kanë lënë jetën në përpjekje për ta kaluar atë. “El Dorado” në imagjinarin kolektiv paraqitet si i mbushur me flori. I tillë gjendet në ndërtesa, në rrugë në rrobet e njerëzve, në vetë njerëzit dhe perceptimet e tyre. Vetë perëndimi e ka paraqitur veten si të tillë. Si vendi i demokracisë, i vlerave politike dhe ekonomike të pa kontestueshme, si vend ku ëndrrat për liri dhe prosperitet nuk çfarë të bëhen veç se realitet. Mitizimi i “El Dorados” së perëndimit tashmë ka përfshirë çdo qelizë të shoqërisë sonë. 
Vështirë të kuptohet nga një perëndimor qasja e shqiptarëve ndaj perëndimit. Natyrisht, që shumica prej nesh, duke mos dalë ndonjëherë jashtë shtetit për të perceptuar dallimin real midis asaj që mediat shfaqin nëpër ekrane dhe asaj që në realitet jetohet nëpër ato shoqëri, marrin përsipër për të qënë çkado lloj reference që iu ofrohet. Thonë se të nëjtët individë, të cilët punuan për propagandën komuniste, janë ata të cilët punojnë sot për formimin e opinionit të shqiptarëve në demokraci. A është e vërtetë që shumica e vlerave të cilat opinion-bëresit thonë se ne kemi si popull, egzistojnë akoma edhe nën peshën e ngarendjes kolektive drejt perëndimit? 
Ne jemi shembulli më i mirë i ndërrimit drastik të vlerave. Për disa do të perceptohej si herezi të pohosh se ishim pikërisht ne ata që përqafuam menjëherë mbas vitit 1945 në mënyrë drastike vlerat e komunizmit, të cilat i duartrokitëm me zellin më të madh, tek sa na shfarosnin me pompozitet traditat dhe kulturën. Ishim pikërisht ne që lamë adhurimin e Zotit për të përqafuar adhurimin e partisë-shtet me “profetë” që iknin e vinin në arenën e politikës së kohës. Ishim ne që, në fillim të viteve 1990, sa hap e mbyll sytë, hodhëm mbrapa krahëve, sikur të mos kishin ndodhur kurrë, vuajtjet e komunizmit. Mbase ky është një nga tiparet më të mëdha të popullit tonë: “Të harrosh shpejt”. 
Ashtu si çdo i ri, dhe unë kam qënë e indoktrinuar me mitin e “El dorados” perëndimore. Kanalet televizive të Mediasetit dhe Rai-t italian ishin ata ndiqeshin plot etje në mjedisin ku jam rritur. Adoleshecën e kam kaluar duke ndjekur modelet e paraqitur prej tyre, dhe duke i adaptuar brenda vetes ato modele. Sot e kuptoj se ato kanë qenë thjesht iluzione. Produkt i makinacioneve të marketingut televiziv. 
Ende më kujtohet paniku që përjetova ditët para të nisjes sime për studime në Itali. Perceptoja se edukimi im, i cili për arsyje fetare vinte në plan të parë integritetin moral dhe edukatën familjare, binte ndesh me shoqerinë në të cilën do të kaloja aq shumë vite studimi. Parashikoja një luftë të madhe të brëndshme për t’i rrezistuar modeleve dhe stereotipeve të rinisë së “hapur”, e cila me siguri do të binte ndesh me normat morale dhe edukatën fetare aq të shtrenjtë për mua. Parashikimet e mia katastrofale mbetën veç një kujtim kurioz sot mbas gati pese vitesh nga përjetimi i tyre. Nuk e mohoj se elementët që formuan këtë lloj paniku tek unë, – siç e zbulova më vonë, – kishin qënë të pa baza në realitet. Mjafton një analizë e vogël dhe një vështrim i shkurtër ne realitetin shqiptar, për të kuptuar se miti i perëndimit që gjallëron brenda nesh nuk përputhet me realitetin e vertetë të këtyre vendeve. Po a na bën mirë përqafimi pa kriter i gjithçkaje që serviret nëpër mediat tona si projektim i së ardhmes që po brendësojmë në vetvete? 
Nga çdo vlerë që na paraqitet si e tillë nga përëndimi, që efektivisht nuk e njohim aq thellë sa për ti bërë një filtrim të mirëfilltë atyre që mund ti quajmë si vlera prej tij. Kam frikë, se populli jonë me qasjen e pa kontrolluar dhe të pa filtruar ndaj gjithçkaje që vjen tek ne me markën “nga jashtë shtetit” te meret apriori dhe pa e venë në diskutim aspak. Të gjëndur në një tranzicion të cilit nuk po ja shohim fundin, nuk kemi arritur të bëjmë ende dallimin midis vlerave të cilat dëshirojmë t’i ruajmë në vetvete dhe atyre që dëshirojmë të përthithim nga perëndimi. 
Pamja e qartë dhe e ftohtë e një realiteti plot iluzione që udhëheq sidomos rininë shqiptare është alarmante. Modelet që na ofrohen artrtificialisht nga jashte apo nga mediat ndiqen verbërisht. Problemi qëndron në faktin se këto modele, nuk janë të pranuara as në vëndet që i kanë prodhuar dhe ideuar më parë. Edhe pse publikut i shiten per realitet, këto modele nuk janë gjë tjetër vetëm se formatues të një mjedisi, i cili vlen vetëm si objekt debatesh dhe reagimesh nga inteligjenca e këtyre vendeve në lidhje me problemet morale që ato shkaktojne ne shoqëri. Të paktën në shoqërinë italiane për shëmbull, këto dukuri janë dalluar nga masa e gjerë e popullsisë, si elementë që nuk përfaqësojnë jetën reale, madje as realitetin e rinisë së këtyre vendeve. 
Atëherë si është e mundur që programet televizive të krijuar enkas shpesh herë për të gjeneruar skandal dhe për pasojë shikueshmëri të lartë, tek ne nuk perceptohen si të tilla, por si modele që duhen ndjekur për të arritur standartet e modernitetit Evropian? 
Përthithja e antivlerave në këtë mish-mash perceptimesh të realitetit është një rrezik i cili duhet të pranohet si pjesë e kushteve për t’u “modernizuar”. Në këtë mënyrë edhe gjykimi mbi vlerat që ne pretendojmë të marim mbetet relativ. Ndonse në shumicën e shoqërive perëndimore që ne përpiqemi ti imitojmë verbërisht është arritur perceptimi se shthurja morale, mashtrimi e kriminaliteti nuk janë pjesë e lavdërueshme e shoqërive të tyre, ne i marrim ato si pjese të modernizimit, brenda në koston e biletës për në “El-Doradon” e propaganduar. 
Për këtë arsye na duhet të kemi kurajon për të thënë “jo”! Jo, nuk e dua imoralitetin, jo nuk e dua shthurjen, jo nuk e dua zvetënimin e familjes. Vlerat asnjëherë nuk vjetërsohën, asnjëherë nuk dalin jashtë mode. Individualisht, duhet të kemi kurajon të ndërtojmë kohën tonë, fatin tonë me një qëndrueshmëri prej heronjsh. Koha e sotme, e cila zhvesh njeriun nga frerët e nefsit (uni-t) të tij, bëhet armike e përpjekjeve për rikthimin nën drejtimin dhe kahje të qëndrueshme.

* Shkrimi është botuar më parë në “Revista Familja”. Ai vjen këtu i ndryshuar dhe përshtatur për formatin e kësaj faqeje.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit