18.1 C
Pristina
Tuesday, April 16, 2024

A është paraja me të vërtetë motivuesja e veprimeve tona?

Më të lexuarat

Po dalin në pah gjithnjë e më tepër fakte që sugjerojnë se shpërblimet financiare mund të mos jenë nxitëset më të mira për një punë, apo performancë të caktuar, sikundër pretendohet shpesh kur flitet për shembull për bonuset e larta të bankierëve në botë, si dhe të ekzekutivëve të lartë të botës së biznesit.

A është i vlefshëm një shef banke sa 1000 infermiere të marra së bashku? Kjo pyetje provokuese është bërë në fillim të këtij viti kur u njoftua se Bob Diamond, shefi ekzekutiv i bankës britanike “Barclays Bank” mori një të ardhur në total prej 25 milionë eurosh. Një shumë e tillë do të ishte e mjaftueshme për të paguar plot 1019 infermiere, apo 859 punonjës socialë, apo 2156 punëtorë. Dhe bankieri e mori një shumë të tillë astronomike pavarësisht se banka nuk kishte dalë aspak me fitim.

Që nga fillimi i krizës financiare 5 vjet të shkuara, politikanët kanë qenë të gatshëm t’ua përplasin në fytyrë bankierëve. Të paktën me fjalë. Presidenti amerikan, Obama, në një fjalim të tijin i quajti shpërblimet bankare tepër të larta “të turpshme”. E ndërsa një pjesë janë kundër parave të mëdha që përfitojnë ekzekutivët e lartë, ata që janë pro tyre e çojnë debatin në një tjetër rrjedhë duke argumentuar se këto janë tipare të pragmatizmit dhe se paratë janë të nevojshme për të tërhequr dhe bërë për vete talentet bankare dhe njerëzit që kanë aftësi që të shumëfishojnë paratë, pra stafin e talentuar.

Ndërkaq, shkenca që merret me studimin e sjelljeve të njeriut dhe stimulimit të tyre thonë se paketat shumëmilionëshe në këmbim të performancës së lartë janë një vlerësim që duhet parë dhe vlerësuar me kujdes, sepse ka të ngjarë që të mos jetë pikërisht kështu. Performanca e lidhur me pagesën e lartë është shndërruar në një model të vërtetë të të gjithë mënyrës së funksionimit të marrëdhënieve të punës në kapitalizëm, dhe jo vetëm. Madje, ky koncept është futur kaq thellë në mënyrën e të vepruarit dhe të trajtuarit sa janë të paktë ata që e vënë në të vërtetë në diskutim vërtetësinë e tij. Shumë shkencëtarë dhe psikologë janë marrë me një fenomen të tillë. Njëri prej tyre është Edward Deci i cili në fillim të viteve ’70 ndërmori një studim në lidhje me një fenomen të tillë. Ai studioi studentët e universitetit në të cilin punonte, atë të Rochester në Nju Jork dhe zbuloi se studentëve të cilëve u ofroheshin çmime në para për të zgjidhur probleme apo ushtrime të ndryshme kishin më pak shanse që të vazhdonin punën e tyre, pas kryerjes së pagesës krahasuar me studentët të cilëve për zgjidhjen e një ushtrimi nuk u ofroheshin para.

Studimi i këtij psikologu ndihmoi në qartësimin e marrëdhënies mes motivimit të quajtur intrinsik dhe atij estrinsik, pra kryerjes së punëve apo veprimtarive për shkak të kënaqësisë që të falin dhe kryerjes së tyre vetëm për shkak të shpërblimit financiar që merr prej tyre. “Njerëzit kanë tri nevoja psikologjike – të ndihen autonomë, të ndihen kompetentë dhe të ndihen të lidhur me të tjerët”, deklaron psikologu. Pagesa, sipas kërkimeve shkencore të tij nuk përmbush asnjërën nga këto nevoja të njeriut. Fiksimi i tepruar në çështjen financiare dhe në shpërblimin financiar minon autonominë dhe motivimin e brendshëm.

Dhe ky ndikim negativ ka një rëndësi shumë të madhe. Nga bankierët për shembull kërkohet një punë me një cilësi shumë të lartë. Kërkohet mendim dhe, kërkohen zgjidhje për problemet, njerëz që të jenë kreativë dhe përdorimi i sasive të mëdha të parave për t’i motivuar ata nuk do të japë rezultatin e pritshëm. Ndoshta pyetja që duhet bërë është se sa motivim i mirë është paraja? Një tjetër shkencëtar që studion pikërisht lidhjet e performancës në këmbim të shpërblimit financiar jep këtë shembull: “Nëse të kërkoj që të ndërrosh gomën e makinës sime për nder ti vjen dhe ma bën me dëshirë, pra më ndihmon, por nëse të them që të ma ndërrosh në këmbim të 5 dollarëve ka shumë mundësi që ta refuzosh, sepse të duket vetja i shitur dhe i bjerrë në vlerat njerëzore”. Me fjalë të tjera, futja e parave, apo vlerësimit me para në një miqësi, apo marrëdhënie njerëzore shpesh krijon probleme në motivimin e tjetrit për të kryer një detyrë, apo për të bërë një shërbim.

Paraja në këmbim të një pune shndërrohet edhe në formë presioni dhe jo të gjithë janë rezultativë në punën e tyre nën presion, i çfarëdolloji qoftë ky. Koncepti i një dështimi në një performancë në presion njihet shumë mirë, për shembull në sport. Një shembull i famshëm është lojtari francez i golfit, Jean Van de Vedle të cilit i duhej që të zhyste topin në vrimë me 6 goditje në turneun e vitit 1999. Këtë e kishte bërë më parë me tri goditje dhe i vënë tani nën presion e bëri për shtatë në vend të gjashtë dhe më pas edhe humbi plotësisht lojën në presionin e madh nën të cilin ishte vënë.

Një problem kyç me të cilin janë ndeshur specialistët e fushës  në të shkuarën ka qenë edhe matja e vështirë e motivimit përmes përdorimit të testeve psikologjike dhe pyetësorëve. Por rritja e përdorimit të teknologjive të shikimit të funksionimit të trurit  në shkencën e neurologjisë ka sjellë metoda të reja dhe më të mira në studimin e ndjesive të tilla. Këto teknika po aplikohen aktualisht për të parë aspekte të ndryshme të motivimit. Kështu, sot është arritur që të shihet përmes mjeteve të ndryshme, apo skanerëve reagimi i një truri nën një situatë presioni. Ajo që ka dalë nga vëzhgime të tilla është se truri nën presionin e parasë nuk funksiononte mirë, pra dukej që nuk ishte motivimi optimal për të dhënë rezultatet e duhura. Pra, aktiviteti i dendur në zonat e trurit që lidhen me motivimin mund të dominojnë aftësitë tona vendimmarrëse duke na çuar drejt bërjes së gabimeve.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit