1.9 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

A e prish gjaku abdestin?

Më të lexuarat

Pyetja:

I kam dy pyetje:

Pyetja 1. Mbas Fatihasë në namaz a duhet të këndohet besmelja para se të filloj suren tjetër.

2. Për abdestin a prish gjakderdhja abdestin p.sh. e lëndoj gishtin e fillon të rrjedhë gjak ose gjakderdhja e dhëmbëve si të jetë mundësia pak më detajisht të përgjigjeni Allahu ju shpërbleftë me xhenet.
Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Leximi i “besmelës” pas Fatihasë në Namaz:
Leximi i “besmeles”, pasi ta përfundojmë Fatihanë, nuk është gjithmonë e kërkuar. Kjo varet se çfarë këndojmë pas Fatihasë; nëse këndojmë ndonjë sure nga fillimi, atëherë duhet ta fillojmë suren me “besmele”, nëse fillojmë këndimin e sures nga ndonjë vend tjetër (p.sh. nga mesi i ndonjë sureje), atëherë “besmeleja” nuk këndohet.

A e prish gjaku abdesin:
Është vërtetuar se ka ixhma (konsensus) nëse gjaku del nga dy vrimat (sebilejn), atëherë ai e prish abdesin pa marrë parasysh a është shumë apo pak, kurse nëse gjaku rrjedh nga ndonjë vend tjetër ka mendime te ulematë:

Mendimi i parë: Mendimi i hanefive, hanbelive dhe i shumicës së ulemave është se gjaku i cili rrjedh nga trupi e prish abdesin.

Ata kanë argumentuar me këto argumente:

a) Ata kanë argumentuar me një numër të haditheve sikurse hadithi: “Duhet marrë abdes nga çdo gjak që rrjedh[1]”.

b) Thënia e Aliut radijallahu anhu kur i numëroi gjërat që e prish abdesin: “Për shtatë gjëra përsëritet abdesi; (ndër to) gjaku që rrjedh[2]”

c) Gjithashtu ata kanë thënë se gjaku është ndyrësirë dhe pasi del nga trupi, atëherë është e njëjtë sikurse ndyrësira që del nga dy vrimat (sebilejn).

Vërejtje: Medh`hebi i hanbelive kushtëzon që sasia e gjakut të jetë shumë për të prishur abdesin, kurse hanefit janë më rigoroz, megjithëse edhe ata thonë se një pikë ose dy pika që rrjedhin nuk e prishin abdesin[3].

Mendimi i dytë: Mendimi i shafive dhe malikive është se gjaku dhe qelbi nuk e prish abdesin. Ata argumentuan me këto argumente:

a) Në esencë nuk lejohet të thuhet se gjaku dhe qelbi e prish abdesin pa argument të qëndrueshëm (Beraetu aslije), kurse hadithet që përmenden për këtë si argumente nga pala tjetër, të gjitha janë të dobëta prandaj edhe nuk është e saktë thënia se gjaku dhe qelbi e prish abdesin.

b) Vërtetohet në hadithe të shumta se sehabët nuk e kanë konsideruar rrjedhjen e gjakut nga gjërat që e prishin abdesin, ndër to;

– Vërtetohet me një rast se një ensari ishte duke u falur dhe goditet me shigjetë nga largë dhe plagoset, por ai vazhdon namazin derisa goditet me tri shigjeta. Është shumë e qartë se njeriu kur të plagoset që gjaku fillon t`i rrjedh dhe po të ishte e njohur te sehabët se gjaku e prish abdesin atëherë ai do ta ndërpriste namzin[4].

– Nga Ibën Abasi vërtetohen se i dilte gjak nga hunda dhe ai e pastronte gjakun pastaj vinte dhe vazhdonte namazin (pa përsëritur abdesin)[5].

– Numri i transmetimeve arrin tevaturin se sehabët dhe selefi në përgjithësi faleshin ashtu të plagosur e duke u rrjedhur gjaku dhe nuk vërtetohet se ndonjëri nga ata përsëriste abdesin për shkak të gjakut. Vërtetohet se Hasan el Basriu ka thënë: “Muslimanët vazhdojnë të falen duke qenë të plagosur[6]”

– Ibn Omeri vërtetohet se shpërtheu puçrra në fytyrë, pastaj fali namaz pa përsëritur abdesin. Gjithashtu edhe Omeri vazhdoi namazin duke i rrjedhur gjaku derisa e humbi vetëdijen[7].

c) Argumentimi duke bërë analogji me ndyrësirat që dalin nga dy vrimat nuk është e qëndrueshme pasi që kjo është në llogari në haditheve të tjera dhe ndyrësira e gjakut nuk është në të njëjtën rang me urinën dhe nevojën e madhe.

Prandaj mendimi më i saktë në këtë është se gjaku nuk e prish abdesin, Allahu e di më së miri.

Alaudin Abazi

[1] Shënon Darekutniu dhe hadithi është i dobët.

[2] Shënon Bejhikiu.

[3] Qëndrimi se gjaku pa marrë parsysh a është shumë apo pak qoftë edhe nëse nuk rrjedh (vetëm se duket) e prish abdesin është mendimi i Zuferit nga hanefit, kurse esencë në medh`heb është se një pikë ose dy nuk e prish abdesin. Më gjërësisht shih “Hidaje” i botuar së bashku me “Nasbu raje” vëll.1, f. 101.

[4] Shënon Ebu Davudi, Darekutniu, Hakimi, Ibën Hibani, kurse Buhariu e shënon në sahihun e tij si mualek. Hadithin Albani e cilëson hasen.

[5] Shënon Maliku në Muveta.

[6] Buhariu e shënon si mualek kurse Ebi Shejbe e shënon me zingjir të plotë të transmetuesve.

[7] Shënon Maliku në Muveta.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit