12 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

A e njihni Shekspirin?

Më të lexuarat

Kritiku dhe profesori i njohur i letërsisë në Harvard, Harold Bloom, shprehet se “Shekspiri na njeh përpara se ta njohim neve atë”. Si një nga njohësit më të mirë të veprës së gjeniut anglez, bashkë me kritikët Uilliam Hazliti dhe Samuel Xhonson, Bloom na fton të besojmë se Shekspiri e ka “rishpikur njeriun” sipas një trajte që duhet njohur medoemos e duhet pasur në vëmendje në çdo kohë se është pikërisht njeriu që nuk e njeh më veten përballë pushtetit, parasë apo tradhtisë. Për arsyen e vetme se nuk është vënë më parë në provë. Në një vështrim të thjeshtë, në fakt, mjafton që secili nga ne të sjellë ndër mend disa prej zhgënjimeve nga miqtë e tij e të kërkojë të gjejë përse tjetri, apo edhe ai vetë, ndryshoi kur përballë tij u shfaq rruga e pushtetit – sidomos pushteti politik apo ekonomik.

Shekspiri na përballi me nevojën për vëzhguar me vëmendje pasojat që i sjell njeriut zotërimi i pushtetit, parasë dhe tradhtisë, duke i kërkuar gjithkujt që të vlerësojë atë që mund të përbëjë kurthin më të madh të vetes përballë së pamenduarës, përballë së papriturës me të tilla ndryshime të vetes apo të miqve.

Por a është e lehtë kjo njohje e njeriut që sugjeron Shekspiri? Në përgjigje të kësaj pyetjeje, vlen edhe një herë të pyesim: A kemi dashur vërtet ndonjëherë ta njohim Shekspirin?

Nuk besoj se mund të shterojmë përgjigjet për këtë, por duke iu referuar njeriut modern, të paktën do të hamendësonim lehtësisht se Shekspiri na ka njohur prej kohësh, por nuk kemi qenë ne në gjendje të vendosim në vëmendje dhe të vlerësojmë atë që ai na e la përmes “shpikjes” apo “shpikjeve të veprave të tij”. Ky vlerësim has plot pengesa në një botë, në të cilën ka prioritet spektakli e ku instinktet dhe frikërat drejtojnë shumë nga jetët e njerëzve që njohim.

Poeti francez Bodler pati shpjeguar gati 150 vite më parë,-pra më përpara se Kamy të sillte Pol Mersonë te romani “I huaji”- se rrymat e reja të artit do të ishin pasqyrë e kotësisë së njeriut, që vjen si pasojë e largimit të tij nga e përjetshmja, nga e shkuara, nga tradita e për pasojë edhe nga gjykimi moral mbi atë që ndodh me të dhe me të tjerët përballë tij. “Moderniteti është kalimtarja, ajo që arratiset tutje, e pasigurta, gjysma e artit, ndërkohë që gjysma tjetër e së cilës është e përjetshmja dhe e pandryshueshmja”, do të shprehej poeti, duke na lënë një thirrje të rëndësishme për të rimenduar atë çfarë na duhet sot- të përballim njeriun që sapo mbërrin, që beson tek arsyetimi i tij i çastit, në shpërfillje të plotë të së shkuarës e aq më pak të moralit dhe të së drejtës. Për njeriun e sotëm ka rëndësi të jetë i njohur, të mos humbasë ritmin e tij të shqisave, të mos merret me gjykime morale.

Në fakt, një njeri i bombarduar nga e tashmja dhe nga spektakli, që fokusohet në frikëra e zhgënjime – pra në zvetënimin e përditshëm të jetës–është një njeri që largohet gjithnjë e më shumë nga qëndrimet morale për veten dhe të tjerët. Duke hedhur tutje të përhershmen dhe të përtejshmen, ai kthehet në një njeri që jeton duke besuar vetëm te rezultati, çka rrezikon vetëfajësimin për gjithçka që nuk mundi ta arrinte.

Pikërisht këtu, në këtë hendek mes arsyes sonë dhe së pamenduarës e fatit, Shekspiri na pret prej shekujsh, duke parë sesi në një çast ne nuk e njohim më veten, sidomos përballë pushtetit. Kjo, edhe për faktin se njeriu i sotëm, duke besuar vetëm në kohën dhe përvojën e tij, shkon përballë pushtetit pa fuqinë e madhe të lidhjes me të shkuarën, pa traditën e sidomos i larguar gjithnjë e më shumë nga besimi.

Një shtyrje të madhe për njeriun që vijon të divorcohet nga çdo përvojë e botës dhe nga gjykimet morale e jep arti i sotëm i programuar përgjithësisht si tallava-kulturë, ku gjithçka mbështetet mbi instinkte e epshe. Në këtë fushëbetejë rrezikohemi nga e dhëna vetëm pas mbijetesës, e cila fsheh frikë dhe zhgënjim, duke sulmuar pikërisht fuqinë e madhe që ka njeriu për të ndryshuar – kurajën!

Shekspiri na ka parakaluar prej kohësh duke na sjellë përpara pyetjet e duhura. Ka ngritur pyetje për pushtetin, dashurinë, paranë dhe tradhtinë përmes Makbethit, Hamletit, Mbretit Lir, Jagos, Kleopatrës e shumë personazheve të tjerë. Monologët e personazheve të tij si një proces njohjeje të vetvetes janë një botë, së cilës ne i jemi larguar çdo ditë e më shumë, sidomos në erën e jetës online, në të cilën gëlon ushtria vëzhguese e atyre që jetojnë me jetët e të tjerëve, pa mundur kurrë të kuptojnë se çdo të bënin ata vetë dhe se çfarë është e mirë për ta. Ndaj, nëse duhet të bëjmë ndonjë hap drejt vetes sonë, ia vlen të pyesim: A dëshironi ta njihni Shekspirin?

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit