A doli Rama më i fortë nga kjo betejë?

0
20

Fitim Zekthi

Ndonëse mund të duket sikur kalimi datës 30 qershor, i datës së zgjedhjeve të mbajtura forcërisht në mënyrë të njëanshme nga qeveria, po i qetëson gjërat dhe jeta, sidomos ajo politike do të rikthehet më e qetë, e vërteta është krejtësisht ndryshe. Kriza është shumë e thellë dhe nuk zgjidhet kurrë nga kalimi i një date apo mbajtja e zgjedhjeve në mënyrën që ato u mbajtën.

Shqipëria ka një qeveri të kapur publikisht para gjithë botës duke përdorur shtetin, policinë, krimin e organizuar, trafikun ne drogës për të blerë zgjedhjet. Shqipëria ka një qeveri e cila për katër vite mburrej, lëvdohej dhe ulëriste për suksese, punën e madhe kundër krimit të ministrit të Brendshëm, ndërkohë që ky ministër sot është në akuzë zyrtare për bashkëpunim me krimin dhe krijim strukturash kriminale. Pa u zgjatur me krizën në ekonomi apo me korrupsionin e qeveritarëve, do të mjaftonte vetëm kaq që çdo qeveri në botë të zhytej në kolaps dhe të mos dilte kurrë pa u larguar nga pushteti.

Çdo lloj truku, çdo lloj rruge force apo rruge e njëanshme e qeverisë për të kaluar këtë situatë do të ishte pa kuptim. Pak kohë më parë parlamenti britanik u zhyt në një krizë të plotë (nuk ka dalë ende) për shkak se marrëveshja për të dalë nga BE-ja nuk po miratohej.

Kryeministrja May bëri gjithçka, negociojoi me këdo në BE, në partinë Laburiste, në partinë e saj Konservatore, por nuk mundi të gjejë një zgjidhje. Gjatë rrugës ajo kërkoi një mocion besimi nga grupi i saj parlamentar duke kërcënuar me largim. Situata u bë shumë e rëndë, deputetët ishin kundër May-it, por nuk donin largimin e saj në atë moment, ndërkohë që kërcënimi i daljes nga BE, me marrëveshje të keqe ose pa marrëveshje, rrinte mbi kokat e deputetëve. Kjo krizë, e mosmiratimit të marrëveshjes së daljes nga BE-ja, është quajtur kriza më e rëndë politike e Britanisë pas Luftës së dytë Botëtore. May e fitoi mocionin. Shumë njerëz po thonin se tashmë ajo doli më e fortë, se tashmë ajo do t’u imponohej palëve, sidmos partisë së saj.

Peter Barnes, një nga analistët krysorë në BBC, tha se May është po aq e dobët sa ishte para votimit. Problemet që ishin para votimit janë edhe tashmë pas votimit. May ishte një zombie kryeministre para votimit, është një zombie kryeministre tani pas votimit. Pati njerëz që thanë se May po tregohet një mjeshtre e mbijetesës në një kohë që askush nuk e kishte menduar.

Në fakt, May mbeti vërtet një zombie. Për shkak të krizës së thellë fitorja e mocionit nuk i shërbeu për asgjë. Ajo tentoi sërish të miratojë marëveshjen për të dalë nga BE, por dështoi. May dha dorëheqjen.

Sigurisht që kriza në të cilën ndodhet kryeministrei Rama nuk ka asnjë lidhje me krizën në Britani. Kriza në Britani ishte një krizë politike në cilën faktorët politikë, sidomos brenda partisë Konservatore për shkak të bindjeve të tyre ideologjike, interesave dhe pozicioneve politike që mbrojnë, nuk gjejnë dot një marrëveshje. Kriza jonë është një krizë e thellë legjitimiteti e qeverisë, e cila është kapurt duke vjedhur dhe bashkëpunuar me krimin, është një krizë ekonomike, papunësie dhe dëshpërimi ekonomik, krizë institucionale ku të gjitha institucionet, me përjashtim të Presidentit janë nën kontrollin e Kryeministrit dhe, sigurisht një krizë e rëndë politike.

Në këtë kuptim sikur çdo të dielë të bëjë zgjedhje Kryemimistri dhe në çdo të dielë të marrë rezultatin që mori, ai nuk do ta zgjidhë kurrë krizën, përkundrazi do të zhytet gjithnjë e më shumë. Sikur çdo të hënë, pas raportit që rrëzon zgjedhjet të ODIHR-it (por edhe sikur raporti i ODIHR t’i vlerësojë mirë zgjedhjet), të ketë një deklaratë qesharake të zëdhënëses së komisioneres Mogherini që vlerëson zgjedhjet, apo të ketë deklarata diplomatësh se zgjedhjet janë të rregullta, Kryeministri dhe vendi nuk do të ketë dalë nga kriza.

Ai ishte një zombie-kryeministër para 30 qershorit, vazhdon të jetë një zombie-kryeministër pas 30 qershorit. Asnjë problem që ishte para 30 qershorit nuk është zgjidhur. Çdo përpjekje si kjo për të shkarkuar Presidentin, apo përpjekje të tjera për të ndryshuar qeverinë me emra të tjerë (ndryshimet drastike të fillimvitit ishin kot dhe nuk sollën asgjë sepse nuk mund të sjellin asgjë), nuk do zgjidhin asgjë. Sado që kryeminsstri të shkojë në plazh apo të mbajë fjalime ku sulmon opozitën, kriza nuk do të zgjidhet.

Kriza do të jetë aty dhe do të vijë duke u bërë më e rëndë. Përpjekjet antipluraliste për të zëvendësuar opozitën mund të rriten dhe do të shihen si zgjidhja e vetme e kryeministrit, por ato do të rezultojnë pa asnjë rezultat. Kriza zgjidhet vetëm politikisht duke rikthyer legjitimitetin.

Nuk ka patur kurrë bota deri më sot pushtet të fituar pa mundur kundërshtarin. Kundërshtari mundet ose me luftë ose me vota. Rama nuk ka fituar, as me pushkë as me vota. Mundjet e kundërshtarit me pushkë ne i kemi lënë pas me komunizimin dhe me Partinë e Punës, por gjithsesi ato për mendjet totalitare janë forma legjitime të fitimit të pushtetit. Gjithsesi në rendin që jemi Rama duhet ta mundë kundërshtarin me vota.

Të gjithë e dinë që zgjedhjet e 30 qershorit nuk prodhojnë asnjë pikë legjitimiteti. Rama e di këtë, bota e di këtë, opozita e di këtë.

Kështu, ndonëse duket sikur gjendja është më e qetë, ndonëse duket se Rama kaloi një pengese dhe doli më i fortë, ndonëse duket se opozita humbi dhe është e dëshpëruar, e vërteta është krejt tjetër.

Ky është vetëm perceptim i një momenti psikologjik. Rama, si njeri me 21 vite përvojë në politikë, e di shumë mirë që ajo që bëri do të rezultojë fatale, se nuk ka truk apo marifet politik që të nxjerr nga kjo gjendje, vetëm se zgjedhjet e reja politike dhe lokale. Se në ç’mënyrë ai do të shkojë drejt saj mbetet të shihet. Basha, megjithë kritikat që mund të derdhen drejt tij dhe PD-së, bëri diçka të madhe sepse ekspozoi me tërë përmasat e saj atë që përfaqëson qeveria, si sundim autokratik i një njeriu dhe e shtyu atë drejt një akti plotësisht të verbër dhe ilegjitim, si zgjdhjet e 30 qershorit.

Regjime si ai i Ramës, që janë projeket të gjata të mbështetura me para, me njerëz, me struktura, me lobime ndërkombëtare prej vitesh, dhe kanë uzurpuar gjithë jetën e vendit, nuk bien për shkak të disa protestave, por kërkojnë këmbëngulje, qëndrueshmëri dhe deligjitimim të vazhdueshëm. Më vonë, kur Rama të bjerë apo dalë nga politika, do të kupotohet se çfarë makinerie e tmerrshme është ajo që ai ka ngritur sot dhe se sa e rëndësishme ka qenë ajo që ka bërë opozita.