10.2 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

A do t’i mbijetojë presidenca amerikane këtij presidenti?

Më të lexuarat

Eric Posner &Emily Bazelon “NYT”/Ndërsa presidenti Trump kaloi nga kriza në krizë javën e fundit, ai i kujtoi vendit një leksion të cilin ai vetë s’ka realisht nevojë ta mësojë: pasuria më e madhe e një presidenti është besimi. Pasi ai e ka humbur atë, nuk mund të qeverisë. Gafat e rënda seriale të zotit Trump, mund të ndryshojnë jo vetëm rrjedhën e presidencës së tij, por edhe vetë presidencën.

Çfarëdo që të ndodhë me të, nuk është shumë shpejt për të pyetur se çfarë do të ndodhë me presidencën, kur ai të jetë larguar. Për dekada, fuqia e degës së ekzekutivit ka qenë në rritje, një prirje që Kongresi e ka inkurajuar, si aktivisht ashtu edhe në heshtje. Dhe gjykatat, leva tjetër kontrolluese e ekzekutivit, kanë qenë shpesh të gatshme t’i nënshtrohen prerogativave të presidentit.

Por, fjalët dhe veprimet e presidentit Trump, janë duke tensionuar marrëdhëniet mes ekzekutivit dhe degëve të tjera të pushtetit, në mënyra që në fund të fundit mund të zvogëlojnë fuqinë e zyrës ovale. Duke dëshmuar se është i padenjë për besimin që gëzon zakonisht një president, zoti Trump ka trimëruar në thelb Kongresin, gjykatat dhe madje edhe burokracinë për të vepruar kundër tij. Dhe këto institucione janë duke e vënë përfund presidentin.

Shkarkimi i James Comey si drejtor i FBI-së, tregon se si fjalët e pamatura të presidentit kanë krijuar probleme në mesin e të cilave e gjen veten tani, duke i hapur rrugën emërimit javën e kaluar të një këshilltari të veçantë nga ana e Departamentit të Drejtësisë, për të hetuar lidhjet e mundshme midis fushatës së zotit Trump dhe ndërhyrjes ruse në zgjedhje.

Për një president, është tamam si të qëllonte veten në këmbë. Kini parasysh se për të shpjeguar shkarkimin e zotit Comey, kreu i agjencisë që po hetonte ndërhyrjen ruse, presidenti i tha Lester Holt të NBC-së: “Dhe në fakt, kur vendosa thjesht ta bëj këtë gjë, i thashë vetes ‘Ti e di, kjo çështja e lidhjes së Rusisë me Trump është një histori e shpikur”.

Dhe pastaj ishte raporti i të premtes, të cilin Shtëpia e Bardhë nuk e mohoi, sipas të cilit në një takim të këtij muaji me zyrtarët rusë në Zyrën Ovale, zoti Trump u tha atyre: “Unë e shkarkova kreun e FBI-së, pasi ai është i çmendur. U përballa me një presion të madh për shkak të Rusisë. Kjo punë mori fund”, dhe shtoi. “Unë nuk jam nën hetim!”

Sido që të jetë, këto komente dhe raporte të tjera, kanë ngritur shqetësimin se presidenti ishte duke u përpjekur të pengonte hetimet e FBI-së. Tashmë i takon Robert Mueller, këshilltarit të veçantë të sapoemëruar, të përcaktojë nëse është kryer apo një krim. Por, Kongresi, si një degë e barabartë, ka gjithashtu përgjegjësinë për të hetuar akuzat për keqbërje. Dhe në fakt, Kongresi e ka përjetuar më parë këtë, me paditë e ngritura kundër Richard Nixon dhe Bill Clinton, që të dy të akuzuar për pengim të drejtësisë.

Tani çështja është nëse republikanët që kontrollojnë komisionet hetimore në Kongres, do të ushtrojnë presionin e nevojshëm për të zbuluar nëse zoti Trump ka abuzuar apo jo me pushtetin e tij, si dhe shkelur betimin presidencial. Në një zhvillim të rëndësishëm, Komisioni për Mbikëqyrjen dhe komisione të tjera të Kongresit, kanë kërkuar të gjitha materialet që lidhen me komunikimet mes Trump dhe Comey.

Edhe Komiteti i Inteligjencës në Senat, bëri gjithashtu me dije se e mirëpret dëshminë publike të zotit Comey pas Ditës së Memorialit. Megjithatë, mbetet të shihet nëse udhëheqësi i shumicës në Senat, Mitch Mcconnell, dhe Kryetari i Kongresit Paul Ryan, do të jenë të angazhuar për zbulimin e të vërtetës, pavarësisht kostove të saj të mundshme për Partinë Republikane.

Nëse anëtarët e udhëheqjes republikane, mendojnë se emërimi i zotit Mueller e mënjanon Kongresin nga përgjegjësia, e kanë gabim. Autoriteti i tij është i kufizuar. Ai punon për Departamentin e Drejtësisë të presidentit Trump. Mueller nuk ka përgjegjësi të publikojë rezultatet e tij në formën e një aktakuze. Dhe hetimi i tij mund të zvarritet për vite me radhë, para se të mësojmë ndonjë gjë.

Duke pasur parasysh këtë, është e domosdoshme që Kongresi të përmbushë mandatin e tij për të shqyrtuar të gjitha ato që po ndodhin, dhe t’i raportojnë publikun ato çka janë zbuluar. Si një ngrehinë strukturore, Kongresi është institucioni më i mirë pozicionuar për të trajtuar dëmet që është duke shkaktuar Presidenti Trump, përfshirë edhe shkeljen e normave që e ndajnë politikën nga zbatimi i ligjit, dhe dëmtimin e pozitës së Amerikës jashtë vendit, si dhe konflikteve mundshme të interesit që vijnë nga bizneset e tij të shumta brenda dhe jashtë vendit, si dhe punësimin e anëtarëve të familjes në postet kyçe të Shtëpisë së Bardhë.

Gjykatat nga ana e tyre, kanë shërbyer tashmë si një sistem paralajmërimi i hershëm për kontrollin e presidentit. Shembulli më i qartë është beteja ligjore mbi të rishikuar urdhër-ndalimin e Trump për hyrjen në SHBA të qytetarëve nga 6 vende me shumicë myslimane, i dyti pas premtimit të tij të fushatës për një “ndalim të plotë të hyrjes së myslimanëve në Shtetet e Bashkuara”.

Këtë muaj, në një nga seancat për sfidimin e këtij urdhër-ndalimi, gjyqtarë nga dy gjykatat e apelit mbrojtën dyshimet e tyre se akti i presidentit, ka si qëllim themelor të ndalojë hyrjen e myslimanëve, më tepër se sa të mbrojë vendin nga terroristët. Zakonisht gjyqtarët nuk kanë dëshirë të shohin përtej tekstit të një urdhri ekzekutiv, përkundrazi priren të hyjnizojnë motivimet e presidentit, veçanërisht në fushën e sigurisë kombëtare dhe emigracionit, ku kompetencat e tij janë më të mëdha se kurrë më parë.

Por, gjykatësi William H. Orrick në San Francisko nuk u mjaftua me shpjegimin zyrtar. “Ka dyshime për synimin e këtij urdhri, presidenti dhe Prokurori i Përgjithshëm i kanë fshirë ato me komentet e tyre publike”- shkroi gjykatësi Orrick, duke theksuar se zoti Trump e quan urdhrin“një armë” dhe Prokurori i Përgjithshëm, Jeff Sessions kërcënon të “zhvatë” fondet që janë dhënë tashmë për reformën mbi emigracionin.

Me gjykatat dhe organet e zbulimit që janë rreshtuar gjithnjë e më shumë kundër tij, dhe Kongresin që tashmë po lobon për të hetuar veprimet në zyrën e tij, zoti Trump e gjen veten në një presidencë shumë më të zvogëluar. Nëse ai qëndron në detyrë për një periudhë të gjatë në këtë gjendje të dobësuar, ka gjasa që Kongresi dhe gjykatat ta kandisin në thelb presidencën në një lloj falimenti kushtetues deri në fundin e mandatit të tij.

Dhe si do të dukej e gjitha kjo? Është e vështirë të thuhet, por do të qe një hap i jashtëzakonshëm prapa në pushtetin presidencial. Pasi Watergate e çoi presidencën në pikën më të ulët, presidentët e mëvonshëm e forcuan sërish pushtetin, kryesisht me pranimin e heshtur të Kongresit dhe gjykatave. Të dy Bushët dhe Barack Obama treguan muskujt e tyre ekzekutivë.

Bush shtoi kontrollin e presidentit mbi sigurinë kombëtare pas sulmeve të 11 shtatorit, duke hapur Guantanamon, duke nxjerrë të dyshuarit për terrorizëm para gjykatave ushtarake, dhe autorizuar përgjimin pa mandate gjykate. Zoti Obama ndërmori veprime agresive të njëanshme, për të reduktuar emetimet e gazrave serrë dhe reformën e emigracionit.

Ata u larguan nga presidenca më të fortë se kur hynë. Edhe pse politikat e tyre qenë të diskutueshme, të dy presidentët u nderuan dhe vlerësuan, pasi ata bënë gjykimet e tyre në mënyrë të ndërgjegjshme, dhe e drejtuan qeverinë në mënyrë profesionale. Ndërkohë zoti Trump ka krijuar një problem krejtësisht të ri për Kongresin, gjykatat dhe agjencitë: Çfarë duhet të bëjnë ato, kur vetë presidenti është rreziku më emergjent? Ndryshe nga presidentët e tjerë, zotit Trump i ka munguar aftësia themelore për të menaxhuar qeverinë.

Nëse Kongresi dhe gjykatat e zvogëlojnë fuqinë e Zyrës Ovale për ta kufizuar atë, a mund ta lënë presidencën aq të dobët, në masën që presidentët e ardhshëm të jenë në gjendje të qeverisin në mënyrë efektive? Përgjigja është, se me vendin e rrezikuar të dëmtohet rëndë nga zoti Trump, dëmi ndaj presidencës është dytësor. Presidenti i ardhshëm thjesht duhet të mbledhë dhe ngjisë pjesët.

Përshtati për Tirana Today, Alket Goce

Shënim: Eric Posner është profesor në University Chicago Law School. Emily Bazelon është një kolumniste në “The New York Times Magazine” dhe pedagoge në Yale Law School.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit