9.1 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

7 vepra të cilave u vazhdon shpërblimi edhe pas vdekjes

Më të lexuarat

Enes ibën Malik (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), transmetohet se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!), ka thënë:
“Janë shtatë vepra, shpërblimi i të cilave i vazhdon njeriut në varrin e tij, pas vdekjes së tij: Lënia trashëgimi e diturisë së dobishme (t’ju lësh njerëzve dituri nga e cila do të përfitojnë), t’u mundësosh të përfitojnë nga uji i një lumi (hapja e një vije që të kalojë uji), hapja e një pusi (apo burimi), mbjellja e një palme (hurme arabe, apo e çdo peme tjetër të dobishme), ndërtimi i një xhamie, dhurimi i një Mus’hafi (Kurani), si dhe të lësh pas, fëmijë të edukuar, të cilët luten dhe kërkojnë falje për ty pas vdekjes tënde.” El Albani (Allahu e mëshiroftë!), në librin e tij “Sahihul xhamiu” me nr 3596, e ka vlerësuar si hadith hasen.

Medito rreth këtyre veprave dhe nxito të veprosh prej tyre atë që ke mundësi ta kryesh, e mos vono, pasi vitet ikin njëri pas tjetrit e jeta mbaron. E s’ka dyshim se çfarëdo të mire që e depoziton njeriu për veten e tij, atë do ta gjejë te Allahu, ashtu siç ka premtuar në Kuranin e madhërishëm: “…Çfarëdo të mirë që bëni për veten tuaj, do ta gjeni tek Allahu” {El Bekare: 110}

E para: Lënia trashëgimi e diturisë së dobishme. Pra, t’u lësh njerëzve dituri nga e cila do të përfitojnë pasi t’i të kesh vdekur.
Me ‘dituri të dobishme’ këtu, është për qëllim dituria fetare e cila i afron njerëzit me fenë dhe besimin, si dhe i njeh ata me Zotin e tyre, të Vetmin i Cili e meriton adhurimin. Këtu vihet në dukje vlera dhe pozita e nderuar e dijetarëve dhe hoxhallarëve, të cilët këshillojnë për atë që është më e mira. Cilido që kontribuon për shpërndarjen e mësimeve dhe diturisë së tyre, duke i botuar librat e dijetarëve dhe duke shpërndarë diturinë e tyre, do ketë hisen (pjesën) e tij të shpërblimit dhe sevapeve.

E dyta: T’u mundësosh (njerëzve) të përfitojnë nga uji i një lumi (apo përroi).
Me këtë është për qëllim hapja e një kanali në të cilin do të kalojë uji dhe do të përfitojnë njerëzit, duke ujitur të mbjellat e duke u bërë të mundur bagëtive të tyre të pijnë prej tij. Shpërblimin e kësaj punë të mirë, e përfitojnë edhe ata të cilët shtrijnë tubacione për kalimin e ujit nga ndonjë rezervuar, lum apo përrua, e po ashtu edhe ata të cilët vendosin depozita apo çezma në vendet publike, në mënyrë që ato t’u bëjnë dobi njerëzve.

E treta: Hapja e një pusi. Kjo vepër e mirë, është e së njëjtës natyrë me atë që përmendëm. Në hadithin e saktë, transmetohet se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!), ka thënë:
“Dikë, i cili ishte në udhëtim e kishte kapluar etja. Ai arriti te një bunar (pus), zbriti në brendësi të tij dhe piu ujë. Kur doli nga bunari, pa një qen i cili për shkak të etjes së madhe, kishte nxjerrë gjuhën e po lëpinte pluhur. Atëherë njeriu tha: ‘Edhe këtë qen e paska kapluar etja njësoj si mua’. Atëherë ai zbriti përsëri në bunar, hoqi këpucën e tij dhe e mbushi me ujë, pastaj e kapi me dhëmbë, u ngjit nga bunari e i dha ujë qenit. Allahu i Madhëruar, për këtë vepër të tij, e falënderoi dhe ia fali mëkatet.”
Të pranishmit e pyetën:” O i Dërguari i Allahut, a kemi shpërblim edhe kur u japim ujë kafshëve?” Ai u përgjigj:“Për çdo krijesë të gjallë keni shpërblim, (kur i jepni ujë, kur e ushqeni dhe kur silleni mire me to).” Buhariu dhe Muslimi.
Kështu pra, Allahu i Madhëruar e falënderoi dhe ia fali mëkatet atij njeriu, sepse ai i dha ujë për të pirë një qeni të etur. Si do të ishte puna me atë njeri i cili e hap një pus apo një burim, dhe bëhet shkak që të shuhet etja e kushedi se sa njerëzve dhe kafshëve?! Natyrisht që puna e tij është për t’u pasur zili, për t’u admiruar e për t’u përgëzuar.

E katërta: Mbjellja e një palme (hurme arabe). S’ka dyshim se kjo përfshin çdo pemë tjetër të dobishme, siç është ulliri, fiku, shega, limoni etj. Cilido që e mbjell një hurmë arabe, apo çfarëdo peme tjetër të dobishme, do të ketë shpërblim tek Zoti, për çdo kokërr nga e cila do të përfitojnë njerëzit, sa të jetë ajo pemë. I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!), ka thënë: “Çdo pemë apo bimë që e mbjell muslimani, nga e cila ushqehet ndonjë shpend, njeri, apo kafshë, do t’i llogaritet atij sadaka (çdo gjë që është ngrënë prej saj).” Muslimi.

E pesta: Ndërtimi i një xhamie. Xhamitë janë vendet më të dashura tek Allahu, ashtu siç na ka treguar për këtë i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!), i cili thotë: “Vendet më të dashura tek Allahu janë xhamitë.” (”Muhtesaru Muslim” 241 dhe “El Mishkah” 696.)
Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kush e ndërton një xhami, në të cilën përmendet Allahu i Madhëruar, Allahu do t’ia ndërtojë atij një shtëpi në Xhenet.” Buhariu dhe Muslimi.

E gjashta: Dhurimi i një Mus’hafi (Kurani), apo lënia vakëf në xhami apo në bibliotekë.
Kjo bëhet duke kontribuar për botimin e Kuranit, apo ta blesh atë dhe ta lësh dhuratë në xhami, apo në bibliotekë, apo t’ia dhurosh dikujt i cili e lexon atë.
Ndoshta xhami nuk ndërtojmë dot, pasi ka njerëz që përpiqen për dekada me rradhë e nuk ndërtojnë dot një shtëpi ku të strehoet ai dhe familja e tij, mirëpo dhurimi i një Kurani, apo i një libri të dobishëm nuk kushton shumë.

E shtata: Të lësh pas vetes fëmijë të edukuar, të cilët luten dhe kërkojnë falje për ty pas vdekjes tënde. Fëmija është amanet nga Allahu për prindërit e tij. Edukimi i mirë i fëmijës është një sfidë e vështirë që kërkon përpjekje të vazhdueshme.
Prindi duhet të bëjë ç’është e mundur që ta edukojë fëmijën e tij në mënyrën më të mirë. Përveç arsimimit të duhur, prindi duhet të përpiqet që të kultivojë te fëmija, vlerat e moralit të mirë e fisnik, si dhe ndjenjën e besimit dhe mbikëqyrjes së Zotit. Nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!), transmetohet se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!), ka thënë: “Kur biri i Ademit (njeriu) vdes, i ndërpriten të gjitha veprat, me përjashtim të tri prej tyre: Sadakaja (lëmosha) rrjedhëse, dituria e dobishme dhe fëmija i mirë i cili lutet për të” Muslimi.

Shejhu i nderuar Dr. Abdurrazak bin Abdulmuhsin El BEDËR

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit