9.1 C
Pristina
Tuesday, March 19, 2024

6 fakte mbi Jezusin që jomuslimanët mund të mos i dinë

Më të lexuarat

-Sadaf Faruki

Isai, ose Jezusi, biri i Marisë siç njihet gjerësisht, është ndoshta prej shekujsh një nga njerëzit më të njohur në botë.

Ajo që shumë jomuslimanë, të cilët nderojnë dhe duan Jezusin, nuk e dinë, lidhet me faktin se Jezusi është një nga shumë profetët që përmenden vazhdimisht dhe specifikisht nga Zoti në Kur’an.

Në Kur’an, Zoti ka përmendur shumë nga cilësitë e tij të larta, përfshi detajet mbi ngjarjet e tij jetësore, si dhe të nënës së tij, Merjemit (Marisë).

Kur’ani shpall detaje mbi gjenealogjinë fisnike të Profetit Jezus, mbi faktin si gjyshja e tij nga nëna, një adhuruese e përkushtuar e Zotit, ia kushtoi fëmijën e saj të palindur shërbimit ndaj Zotit, ndërsa ishte akoma shtatzanë.

Maria u rrit për t’u bërë një grua jashtëzakonisht e drejtë. Adhuruese e përkushtuar e Zotit, ajo veçohej në mihrab për t’u tërhequr nga shoqëria që po degradonte moralisht me shpejtësi duke u zhytur në mëkate. Aty, Allahu i mundësonte ushqim të mjaftueshëm dhe caktoi Profetin Zekerija si kujdestarin e saj.

Falë virtyteve të saj të larta, Zoti i dërgoi një ëngjëll që ta përgëzonte me lindjen e një djali të drejtë dhe të përkushtuar. Fillimisht e tmerruar nga fakti se do të lindte duke mos qenë e martuar, në fund ajo u pajtua me këtë vendim, dhe u largua nga njerëzit për të lindur në pyll. Ky udhëtim ishte një provë e qartë e besimit dhe vetëpërmbajtjes së saj, që jo vetëm i solli dobi të panumërta në vazhdimësi, por gjithashtu ngriti statusin e saj në sytë e Allahut.

Zoti ka përshkruar të gjitha këto ndodhi, gjithashtu edhe virtytet dhe atributet e Profetit Jezus.

Shërbëtor i Zotit dhe Profet

Pasi Maria lindi Jezusin, dhe u kthye në shtëpi duke e mbajtur në djep, pjesëtarët e komunitetit të saj u skandalizuan nga lajmi, sepse ajo nuk kishte qenë asnjëherë e martuar.

Kur ata nisën ta demonizonin për lindjen e një djali, duke e akuzuar në mënyrën më të keqe që një grua e pastër dhe e ndershme mund të akuzohet, Zoti i dha dhunti Jezusit të vogël që të fliste nga djepi dhe të mbronte nderin e saj.

“Ai (Isai në djep) tha: “Unë jam rob i Allahut. Ai më ka dhënë Librin (Ungjillin), më ka bërë profet dhe më ka bërë të bekuar kudo që të jem. Ai më ka porositur që të falem e të jap zeqat sa të jem gjallë dhe që të jem i mirë ndaj nënës sime dhe nuk më ka bërë të ashpër dhe të padëgjueshëm.” (Kur’ani 19:30-32)

Që në vegjëli, Jezusi ishte tejet elokuent në mbrojtjen e të shtypurve, të margjinalizuarve dhe të dobtëve.

Ajo që vlen të theksohet, është se në ligjërimin e mësipërm ai deklaroi që para se gjithash është shërbëtor i Zotit (Abdullah në arabisht) dhe pastaj Profet i tij, pa i atribuuar vetes ndonjë cilësi hyjnore.

Adhurues i bekuar i Zotit

“…dhe më ka bërë të bekuar kudo që të jem. Ai më ka porositur që të falem e të jap zekat sa të jem gjallë…” (Kur’ani 19:31)

Jezusi e bëri të qartë, menjëherë pas lindjes, që Zoti nuk e kishte bërë thjesht një qenie njerëzore të bekuar (çka evidentohet nga fakti se i dha fuqinë të fliste që në djep), por se gjithashtu ishte urdhëruar të lutej dhe të bënte bamirësi për sa kohë që do të ishte gjallë.

Jezusi u dërgua jo thjesht për të qenë modest dhe i dhembshur ndaj shërbëtorëve të Allahut në tokë, por gjithashtu për t’ju bindur urdhrave të Zotit dhe për ta adhuruar atë përmes lutjeve dhe bamirësisë, njësoj si adhuruesit e tij të tjerë.

Një bir i drejtë

“…dhe që të jem i mirë ndaj nënës sime dhe nuk më ka bërë të ashpër dhe të padëgjueshëm.” (Kur’ani 19:32)

Profeti Jezus ishte i dashur dhe i mëshirshëm në raport me nënën e tij. Kur’ani shpjegon sesi më vonë, ai jetoi me të, në një vend të qetë dhe të begatë, të mundësuar nga vetë Zoti.

Statusi i tij si Profeti i Zotit nuk vuri kurrë në pikëpyetje modestinë dhe ndjeshmërinë e tij ndaj njerëzve të tjerë, veçanërisht ndaj nënës së tij, gruas tejet të fortë dhe të durueshme që u përball me vuajtje të rënda fizike dhe emocionale, por edhe me persekutimin e shoqërisë, për shkak të lindjes dhe rritjes së tij si nënë e vetme.

Kur’ani dëshmon se Jezusi nuk ishte as “xhabar”, tiran dhe shtypës, por as “shakija”, fatkeq dhe i drobitur. Përkundrazi, ai ishte i butë dhe i dashur ndaj të gjitha krijesave të Zotit, siç do të shtjellojmë në vijim.

Shërues i dhembshur dhe realizues mrekullish

Edhe sot e kësaj dite, emri i Profetit Jezus, konsiderohet si simbolikë e dashurisë, mëshirës, dhembshurisë dhe përunjësisë; një shtyllë qëndrueshmërie dhe vendosmërie përballë armiqësive dhe përsekutimit.

Kur’ani konfirmon sesi Jezusi kryente mrekulli me vullnetin dhe urdhrat e Zotit. Ai mund të ngjallte zogjtë prej balte duke fryrë në to (3:49), dhe me vullnetin e Allahut ai mund të kuronte njerëzit që vuanin nga sëmundje, paaftësi, si të lindurit të verbër dhe lebrozët, thjesht duke i prekur me dorën e tij. (5:110)

Afërsia e Profetit Jezus me njerëzit e tij dhe shqetësimi për ta, bëhet i qartë në ajetet e Kur’anit që përmendin sesi ai iu lut Allahut të zbriste një sofër nga qielli, pasi dishepujt e tij ( të njohur si hauari), i kërkuan që t’i lutej Zotit për këtë.

Suneti gjithashtu vërteton karakterin falës të Profetit Jezus në raport me njerëzit. Ebu Hurejre transmeton se Profeti a.s ka thënë: “Jezusi, pasi pa një person të vidhte diçka, e pyeti: ‘Vodhe diçka?’ Ai i tha: ‘Jo, për Zotin, për atë që i vetëm meriton të adhurohet.’ Jezusi tha: ‘I besoj Allahut dhe dyshoj në sytë e mi.” (Buhariu)

Incidenti i mësipërm qartëson qasjen ndaluese që të gjitha fetë, të shpallura përmes Profetëve të Zotit, patën ndaj mëkatit të akuzimit të padrejtë dhe të pabazuar në prova. Kur personi që Jezusi e akuzoi se kishte vjedhur, u betua në emrin e Allahut se nuk e kishte bërë këtë, Jezusi i mundësoi benefitin (përfitimin) e dyshimit dhe pranoi se duhet të ishin sytë e tij “që e kishin gënjyer.”

Profeti Muhamed dhe Profeti Jezus

Kur’ani konfirmon si Profeti Jezus parashikoi ardhjen e Muhamedit si profeti i Zoti që do ta pasonte atë. (61:6)

Profeti Muhamed a.s gjithashtu konfirmoi afërsinë e tij me Jezusin, si në kohë, ashtu edhe në pasimin apo trashëgimin e mesazhit të tij, por edhe sa i përket lidhjes mes tyre si profetë të zgjedhur të Allahut, që u dërguan të përcjellin të njëjtin mesazh të monoteizmit.

Ebu Hurejre përcjell se Profeti a.s ka thënë: “Si në këtë botë, por edhe në amëshim, unë do të jem njeriu më i afërt i Jezusit, birit të Marisë. Profetët janë si vellezër nga babai; nënat e tyre janë të ndryshme, por feja e tyre është një.” (Buhariu)

Lavdërimet e Kur’ani për pasuesit e Jezusit

Kur’ani jo thjesht ka përshkruar në disa vende virtytet e Marisë dhe birit të saj, profetit Jezus, por gjithashtu ka përmendur dy cilësi pozitive të njerëzve që ndoqën Jezusin, të atyre që u bënë pasues të fesë që Jezusi përcolli si profet i zgjedhur nga Zoti, përpara Muhamedi a.s:

“Pas tyre Ne çuam të dërguar të tjerë, mandej dërguam Isain, të birin e Merjemes. Ne i dhamë atij Ungjillin, kurse në zemrat e pasuesve të tij mbollëm butësi dhe mëshirë.” (Kur’ani 57:27)

Në Kur’an, zemrat e pasuesve të Jezusit janë përshkruar si strehuese të “rafah” dhembshurisë dhe “rahmah” mëshirës, si një parcaktim nga vetë Zoti. Këto janë dy cilësi që i mundësojnë butësi dhe dhembshuri të pamatë njerëzve që i mbajnë ato në gjirin e zemrës së tyre.

Në një tjetër ajet kur’anor, Zoti pohon se ata që vetëquhen “nasara”, fjala arabe e barazvleshme me të krishterët në botën moderne, janë njerëzit më të afërt dhe që tregojnë dashuri kundrejt besimtarëve muslimanë: “Me siguri do të vëresh se armiqtë më të ashpër të besimtarëve janë hebrenjtë dhe idhujtarët dhe se miqtë më të afërt të tyre janë ata që thonë: “Ne jemi të krishterë”. Kjo për shkak se ndër ta ka priftërinj (të dhënë mbas dijes) e murgj (të përkushtuar ndaj adhurimit) dhe se ata nuk janë kryelartë (ndaj së vërtetës).” (Kur’ani 5:82)

Konkluzioni: Mësime për ne nga jeta e Jezusit

“Ky është Isai, i biri i Merjemes. Kjo është fjala e vërtetë, për të cilën ata dyshojnë dhe diskutojnë.” (Kur’ani 19:34)

Islami mbështet mësimet monoteiste, autentike dhe me origjinë hyjnore që iu shpallën Profetit Jezus, dhe sipas Profetit Muhamed a.s, ai ishte vëllai i tij, pa profet tjetër të ndërmjetëm në linjën e trashëgimisë nga njëri tek tjetri.

Jezusi, biri i Marisë, na frymëzon të bëhemi shërbyes, të besojmë dhe të adhurojmë vetëm Zotin, dhe gjithashtu t’i ftojmë të tjerët vetëm tek ai; të jemi të përkushtuar ndaj prindërve tanë dhe të jetojmë në harmoni me ta; të kujdesemi për të shtypurit, të margjinalizuarit dhe të përvuajturit në shoqërinë tonë, dhe të luftojmë që të lehtësojmë dhimbjen e tyre; të lutemi dhe të bëjmë bamirësi; dhe të përpiqemi për drejtësi përballë persekutimit social.

Është konkluzion mëse i qartë që jomuslimanët duhet të përpiqen të studiojnë përkthimin e Kur’anit, për të zbuluar vetë çfarë Zoti ka thënë për Jezusin, birin e Marisë, dhe për nënën e tij të nderuar.

“Le të jetë paqja e shpëtimi mbi mua, në ditën që kam lindur, në ditën që do të vdes dhe në ditën që do të ringjallem!” (Kur’ani 19:33)

Burimi: aboutislam.net

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit