5.6 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

525 vite që nga spastrimi dhe dëbimi i muslimanëve nga Spanja

Më të lexuarat

Ishte rënia e qytetit të Granadës (Gharnatah në arabisht), në ditën e dytë të 1492-shit, në duart e mbretërve katolikë të Kastijës, duke i dhënë fund kështu afro tetë shekujve të sundimit arabo-islamik në Gadishullin Iberik dhe duke mbyllur një nga kapitujt më të rrahur në historitë e dy qytetërimeve; atij islamik e atij të krishterë. Ndodhi pikërisht dhjetë muaj përpara se Kolumbi të zbriste në Botën e Re.

Sipas disa burimeve historike arabe, rezulton se ushtritë muslimane arritën fillimisht në gadishull më 711 të erës sonë, me kërkesën e një prej palëve të përfshira në një luftë civile të përgjakshme që po zhvillohej në Spanjën visigote asokohe, si pasojë e ndasive politike të sundimtarëve vendas. Nga arkivat arabe del se qeverisja muslimane u pranua vullnetarisht nga shumë spaniardë dhe një numër prej tyre pranuan në masë edhe besimin e ri (nuk e dimë me siguri sa mund të ketë qenë numri i tyre, por mendohet se konvertimi ishte i konsiderueshëm). Më 732, pikërisht 100 vjet pas vdekjes së Mohamedit, trupat arabe kaluan Pireun, për të bërë kështu përpara më thellë në Europën Perëndimore. Avancimi i tyre përfundimisht ndaloi në Poitiers (në Francë), në një betejë që shënohet me tone të larta në legjendat perëndimore, por që tregimet historike, si dhe arkivat islamike e kujtojnë thjesht si një konflikt të vogël e të parëndësishëm (pak a shumë, siç ndodh me Skënderbeun në këndvështrimin e historiografisë osmane). Arabët u tërhoqën shpejt nga planet e tyre për të ndenjur në Francën jugore dhe u përqendruan më shumë në themelimin e Islamit në Spanjë, në territoret që ata i quajtën “el-Andalus”. Shoqëria që ata zhvilluan, sipas dokumenteve, ishte në thelb tolerante për kohën dhe heterogjene (ose siç preferohet të thuhet sot: multikulturore), e përbërë nga emigrantë arabë e berberë që jetonin krah për krah me spaniardët muslimanë( të konvertuar tashmë), të krishterë e hebrenjtë spanjollë.

Përpara rënies së Granadës dëshmohet se popullsia vendase e përzier në grupime heterogjene, kishte jetuar relativisht pa trazira në zonat kristiane, gjë e cila vazhdoi e tillë edhe për një kohë të gjatë. Banorët e qytetit kishin marrëdhënie të mira dhe një shkallë të lartë lirie fetare. Në vitin 1499, megjithatë, garancitë e monarkëve katolikë u prishën dhe nisi një periudhë e dhunshme konvertimi. Një pjesë e popullatës me origjinë arabo-muslimane u rebelua, por shpejt revolta u shtyp. Ndërkohë, kishte nisur një epokë e re, e ethshme, e drejtuar nga jezuitët, të cilët nisën një kryqëzatë të vërtetë ndaj muslimanëve e hebrenjve rreth vitit 1500. Atyre iu bë e qartë se alternativa e vetme ishte të konvertoheshin në katolikë, ose të dëboheshin nga Spanja. Pasoi në fakt një valë e gjerë konvertimi, ndërkohë që të tjerë vazhduan të praktikonin fenë e tyre në fshehtësi, për t’iu ruajtur ndëshkimit të inkuizicionit, kurse pjesa tjetër zgjodhi shpërnguljen, kryesisht përmes Mesdheut në Afrikën Veriore. Ndërkohë, shumë hebrenj parapëlqyen madje të shkonin në territoret e administruara nga osmanët, të cilat asokohe po dëshmoheshin shumë tolerantë ndaj tyre, duke u ofruar liri fetare dhe mundësi për të avancuar ekonomikisht.

Megjithëse sundimi maur në Spanjë kishte përfunduar, trashëgimia intelektuale e kulturore e pasur e el-Andalusit mbijetoi. Elemente të trashëgimisë së saj mund të gjenden në të gjithë Spanjën dhe në vitet e fundit Spanja moderne ka treguar se ndihet krenare për këtë pjesë të historisë së saj. Shumë emra vendesh (toponime) të tilla si qyteti port i Algesiras, lumi Guadalkuivir (nga el-Uadi el-Kebir, lumi i madh) dhe rajoni jugor i Andaluzisë vetë, të gjitha vijnë nga arabishtja e përdorur në el-Andalus. Gjuha spanjolle vetë është influencuar jo pak nga arabishtja, veçanërisht pasurimi i fjalorit dhe shumë terma me origjinë arabe janë kaluar nëpërmjet spanjishtes në anglisht e kështu kanë mbijetuar deri në epokën e globalizmit. Gjithashtu, një element i rëndësishëm i kësaj kulture dhe madje shumë i prekshëm, është ai i arkitekturës. Disa nga monumentet më të famshme të arkitekturës së Spanjës datojnë nga ajo periudhë. Arkitektura në Spanjën Jugore dhe Amerikën Latine ka marrë shumë elemente e motive nga ndërtuesit arabë, si nga ana e materialeve të përdorura, tjegullat, stuko, ashtu dhe në elementet dizenjative në oborret qendrore, zbukurimet abstrakte dhe një përdorim më të efektshëm të ujërave e shatërvanëve. Punët e mjeshtërve të asaj kohe mund të shihen edhe sot në të gjithë Andaluzinë në rezidencën mbretërore të Seviljes, Alkazari (nga arabishtja el-Kasr, që do të thotë pallati), për shembull. Përveç tyre, edhe instrumentet muzikore, motivet muzikore, ritmet, konventat vokale e struktura në përgjithësi, si dhe organizimi i muzikës andaluziane, kanë pasur gjithashtu ndikimin e tyre në muzikën spanjolle, dhe deri diku në atë amerikano-latine. Po kështu, ajo periudhë njohu e trashëgoi më pas një seri ndikimesh në art, letërsi, mjekësi e filozofi, duke u përcjellë të dy qytetërimeve një seri të vlefshme veprash e idesh.

Nga fundi i vitit 1491, ushtritë e Ferdinandit dhe Izabelës ishin në portat e Granadës. Kishte mbetur vetëm një akt final për t’u luajtur, mjaftonte një kambanë e gjithçka do të merrte formën e një legjende. Arkivat arabë sugjerojnë se sunduesi i Granadës, Muhamed XII Ebu Abdullah, i njohur në perëndim si Boabdil, ra dakord në fshehtësi t’ua dorëzonte qytetin spanjollëve, si shkëmbim për kalimin e tij të sigurt jashtë Spanjës. Në fakt, ky nuk duket të jetë kështu në historiografinë spanjolle. Për reagimin e Boabdilit në ato çaste flet më së miri Stanley Lane-Poole, në veprën kushtuar kësaj periudhe të vitit 1887, me titull “Maurët në Spanjë”: Nëna e tij, Aisha, qëndroi pranë tij: “Ti mund të qash si grua, tha ajo, për çfarë t’i nuk munde të mbroje si burrë”. Aty Boabdili i dha një shikim të fundit lamtumire të trishtuar qytetit të tij, nga i cili ai u dëbua përgjithmonë dhe që mban deri sot e kësaj dite emrin e “el ultimo sospiro del Moro” (psherëtima e fundit e maurëve). Kështu, më 2 janar 1492, sovranitetit politik arab në Spanjë i erdhi fundi. (Fragmente të shkëputura nga një artikulli i përgatitur nga Armand Plaka…)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit