12.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

22 pyetje dhe 22 përgjigje për diabetin, gjithçka mbi sëmundjen e sheqerit

Më të lexuarat

Si t’i përdorni medikamentet, nga çfarë të ruheni

Keni vite që vuani nga diabeti dhe çdo ditë ju lindin pyetje të reja rreth sëmundjes suaj? Çdo ditë përballeni me dilemat rreth ushqimeve që duhet të hani? Çfarë ndikon në ngritjen e nivelit të sheqerit? Si ta kontrolloni diabetin? Specialistët e shëndetësisë kanë dhënë përgjigje për 22 pyetjet e përditshme të pacientëve të sheqerit.

Si ndikojnë emocionet në ekuilibrin e diabetit?
Ekuilibri i diabetit është shumë i ndjeshëm ndaj emocioneve dhe gjendjes shpirtërore. Ekziston një lidhje e ngushtë funksionale ndërmjet sistemit endokrin dhe atij nervor. Qetësia shpirtërore dhe emocionale stabilizon gliceminë dhe lehtëson kontrollin e diabetit. Në të kundërt, shqetësimet, fatkeqësitë, grindjet, ankthi dhe frika, në përgjithësi pasohen nga çlirimi në gjak i adrenalinës dhe kortizoilit, hormone që bllokojnë veprimin e insulinës, duke u bërë shkak për rritjen e glicemisë. Në këtë rast mund të lindë nevoja për të rritur dozën e zakonshme të mjekimit që ju përdorni.

Çfarë masash të shpejta duhet të marrë, kur glicemia është shumë e lartë?
Kur glicemia është shumë e lartë mund të normalizohet në këtë mënyrë:
-Për të kompensuar humbjen e lëngjeve duhet të shtoni sasinë e ujit. Edhe kur ndjeheni keq ose keni të vjella, përpiquni të merrni gllënjka të shpeshta uji. Kur të vjellat zgjasin disa orë dhe bëhen të pakontrollueshme, për zëvendësimin e lëngjeve duhet të shtroheni në spital për të marrë infuzion venoz.
-Injekto insulinë neutrale për të ulur nivelin e glicemisë.
-Matni gliceminë dhe acetonin në urinë, në intervale të rregullta. Në përputhje me rezultatet vazhdoni injektimin e insulinës neutrale.

Si ruhet insulina?
Megjithëse prodhuesit rekomandojnë që insulinën ta mbani në frigorifer, injektimi i insulinës së ftohtë është më i dhimbshëm. Prandaj rekomandohet mbajtja e insulinës në temperaturë dhome. Në këtë temperaturë, ajo reziston afërsisht një muaj. Sidoqoftë insulina duhet të mbahet larg ambienteve të ngrohta, jo mbi 25-50 gradë. Sasia rezervë duhet të mbahet në frigorifer në temperaturë 2-8 gradë. Evitoni ngritjen, sepse mund ta dëmtojë insulinën.

A janë më të shpeshta sëmundjet e lëkurës tek diabetikët?
Po, sëmundjet e lëkurës takohen më shpesh tek diabetikët. Një e treta e tyre, gjatë jetës kanë dëmtime të lëkurës nga diabeti. Më të shpeshta janë infeksionet nga bakteret, infeksionet mykotike dhe kruarjet. Këto lidhen me kontrollin e keq të diabetit. Infeksionet e lëkurës nga njëra anë prishin ekuilibrin e diabetit, nga ana tjetër favorizojnë infeksionin. Në këtë rast është i domosdoshëm përdorimi i antibiotikëve. Për të evituar infeksionet e lëkurës, diabeti duhet të mbahet në ekuilibër, si dhe t’i kushtohet kujdes higjienës së lëkurës. Kur ajo është e thatë, duhet të zbutet me kremra hidratantë, si dhe duhen përdorur sapunë të përshtatshëm.

Mund të kryejnë ndërhyrje kirurgjikale diabetikët?
Falë kontrollit të glicemisë që realizohet sot, diabetikët mund t’i nënshtrohen çdo ndërhyrjeje kirurgjikale. Është e rëndësishme parapërgatitja e mirë, kujdesi gjatë anestezisë dhe monitorimi i kujdesshëm gjatë operacionit. Me këto masa çdo gjë shkon normalisht, si tek njerëzit e zakonshëm.

Pse shkaktohen komplikacionet kronike të diabetit?
Komplikacionet kronike përbëjnë sëmundjen e vërtetë të diabetit. Hiperglicemia e zgjatur në kohë është shkaktare e dekompensimit glukomatabolik. Sa më të dekompensuar të jeni dhe sa më gjatë në kohë, aq më i lartë është rreziku për komplikacione. Fillimisht ato mund të jenë të heshtura, por mbas disa vitesh shfaqen hapur duke dominuar sëmundjen. Komplikacionet mund të prekin organe dhe sisteme të ndryshme. Në mënyrën klasike dëmtojnë enët e mëdha të gjakut duke goditur zemrën, trurin dhe anësitë e poshtme, si dhe enët e vogla të gjakut, duke prekur sytë dhe veshkat. Ekziston gjithashtu neuropatia diabetike, që dëmton veshkat.

Nëse një diabetik Tip 1, dentisti refuzon të heqë dhëmballën, sepse ka frikë nga ndonjë hemorragji apo infeksion, si duhet të veprojë?
Diabetikët duhet të sigurojnë higjienë korrekte të gojës dhe kontroll të shpeshtë te dentisti, madje më shpesh se njerëzit e tjerë, sepse hipoglicemia favorizon shumimin e baktereve në gojë, sidomos kur dhëmbët nuk lahen rregullisht. Është mirë që diabeti të jetë i ekuilibruar para mjekimit te dentisti, për të evituar rrezikun e hiperglicemisë dhe hipoglicemisë. Por kurrsesi nuk është e justifikuar frika nga hemorragjia, apo kapaciteti i ulët i anestezisë, si dhe frika nga infeksioni pas heqjes së dhëmbëve. Dhëmbët te diabetiku kurohen si te të gjithë njerëzit e tjerë.

A bëjnë mirë zarzavatet e gjelbra për diabetin?
Po, veçanërisht të gjalla (të papërpunuara) duhet t’i përdorni çdo ditë, në drekë dhe darkë, në sasi të bollshme. Zarzavatet e gjelbra përmbajnë antioksidantë, vitamina, kripëra minerale dhe fibra. Të gjitha perimet përmbajnë vitaminë C në përqindje të ndryshme, sipas llojit të bimëve. Njëzet e katër orë pas këputjes, ato humbin 10-15% të vitaminës C. Gjatë gatimit humbin jo vetëm gjithë vitaminën C, por dhe shumicën e mineraleve. Por uji në të cilin ato janë zier përmban mikromineralet e dobishme, si kaliumi, magnezi dhe zingu, prandaj dhe mund të përdoret për të gatuar supë. Nisur nga veçoritë e mësipërme, zarzavatet e gjelbra janë shumë të dobishme për diabetikun.

Çfarë pune mund të bëjë diabetiku?
Kur diabetiku është i ekuilibruar mund të kryejë çdo punë, si gjithë njerëzit e shëndoshë. Megjithatë duhen evituar aktivitete me shumë stres dhe shumë sedentare. Gjithashtu duhen evituar punët me turne dhe punët që sjellin rrezik për veten dhe të tjerët, nga një hipoglicemi e mundshme, tek ata që trajtohen me insulinë, siç mund të jenë punë të tilla si pilot avioni, makinist treni, shofer autobusi etj.

Çfarë është diabeti i Tipit 1?
Diabeti i tipit 1, më i riu, është një sëmundje auto-agresive në të cilën qelizat e pankreasit që prodhojnë insulinë janë shkatërruar; i dyti, është një sindromë që karakterizohet nga rezistenca e insulinës (hormoni që transformon sheqerin në energji) ose nga një prodhim i tij i zvogëluar, dhe nga alterime të ndryshme të metabolizmit, si dhjami në bark, hipertensioni, rritja e kolesterolit të keq dhe zvogëlimit të atij të mirë, tepricë e triglicerideve.
Kush janë ndryshimet mes diabetit të tipit 1 dhe 2?
Diabetik është kushdo që e ka gliceminë (nivelin e glukozit) të barabartë apo mbi 126 mlg për decilitër të gjakut, por që në nivelin e 110 mlg duhet të bjerë kambana e alarmit.

Diabeti i tipit 1 (5-10 për qind të rasteve)
Quhet ndryshe dhe diabeti i ri, pasi prek moshat e reja, por mund të shfaqet deri në 40 vjeç. Kjo është një sëmundje autoimune: pankreasi është i paaftë të prodhojë insulinë dhe prodhon shumë pak, dhe si pasojë rritet shumë glicemia. Mekanizmi ndoshta lidhet me antikorpet e drejtpërdrejtë kundër qelizave të pankreasit.

Diabeti i tipit 2 (85-90 për qind të rasteve)

Ky tip shfaqet në moshën e pjekur, zakonisht mbi 40 vjeç, por kohët e fundit është vënë re një prekje më e madhe në moshat e reja, e lidhur mbi të gjitha me obesitetin. Disa alterime metabolike dhe të sjelljes të shoqëruara me rritjen në peshë, janë shkaqe të kësaj forme të diabetit dhe obesiteti provokon alterime të mëtejshme metabolike.

Këshilla
1- Pacientët me diabet duhet të kontrollojnë peshën
2- Duhet të kufizojnë sheqernat e rafinuara
3- Duhet të rrisin sasinë e fibrës në dietë
4- Yndyrnat duhet të jenë vajra me 1 lidhje dyfishe (si p.sh. vaji i ullirit)
5- Duhet t’i shtojnë dietës së tyre arra
6- Efikase edhe bajamet

Shenjat
1- Dhimbje barku
2- Frymëmarrje të ngadalta e të thella
3- Prani e ketoneve në gjak dhe në urinë

Ilaçet
1- Tiazolidinedionet, veprimi është i menjëhershëm, por në disa raste mendohet se ulin rezistencën periferike ndaj insulinës.
2- Glinidet, ky lloj bari shkakton sekretim të shpejtë të insulinës. Merren para buke dhe ndihmojnë në kontrollin e glukozës postprandiale (pas ngrënies).
3- Akarboza, është frenues i alfa-glukozidazës intestinale që ngadalëson ritmin e përthithjes të glukozës në gjak.

Kur shfaqet diabeti i shtatzënisë?
Kjo është një sëmundje e përkohshme që manifestohet gjatë shtatzënisë dhe sjell një rrezik më të lartë të diabetit në vitet që do të vijnë. Gratë në mbipeshë janë më të predispozuara dhe ato prindërit e të cilave vuajnë nga diabeti.

Si ta parandalojmë sëmundjen?
Nëse diabeti i ri nuk mund të parandalohet, për atë madhorin ekzistojnë disa zakone të shëndetshme: një dietë e balancuar (më pak yndyrë dhe sheqer, më shumë fruta dhe perime), kontrolli i peshës, jo duhan, ushtrime fizike. Ecja gjysmë ore në ditë në gjashtë ditë të javës, zvogëlon rritjen e diabetit dhe vdekjen në 45 për qind.

Shkenca, diabeti i patrashëgueshëm
Në kuptimin e përgjithshëm mjekësor nuk trashëgohet diabeti si sëmundje, por ekziston predispozicioni për t’u sëmurë. Trashëgohen genet që mbartin vetitë e organizmit, qoftë ato të sëmura. Që ky predispozicion që trashëgohet të bëhet diabet sheqeri, duhet që tek njerëzit të ndikojnë disa faktorë mjedisorë.

Njohuri të përgjithshme mbi sëmundjen e sheqerit
1. Diabeti i sheqerit (diabetes mellitus) është sëmundje që ka si tipar rritjen e nivelit të glukozës në gjak.
2. “Diabet” do të thotë “urinim i shpeshtë”. Në diabetin e sheqerit, nivelet e rritura të glukozës në gjak shkaktojnë rritje të sasisë të glukozës në filtratin parësor të prodhuar nga glomeruli; efekti osmotik që shoqërohet me sasinë e shtuar të glukozës shkakton rritje të sasisë të urinës dhe urinim të shpeshtë.
3. Diabeti insipid është sëmundje krejt tjetër. Në diabetin insipid, urinimi i shpeshtë shkaktohet nga mungesa e hormonit antidiuretik ose nga paaftësia e veshkave për t’iu përgjigjur hormonit antidiuretik.
4. Diabeti i sheqerit është 2 llojesh:
a. Diabeti tip I shkaktohet nga mungesa e insulinës, që vjen si pasojë e shkatërrimit të ishujve të Langerhansit nga sistemi imun. Këta pacientë janë zakonishtë fëmijë ose adoleshentë të dobët.
b. Diabeti tip II shkaktohet nga mungesa e insulinës, që vjen si pasojë e nevojave të shtuara për insulinë. Pacientët me diabet tip II janë zakonisht të rritur dhe mbipeshë.
5. Komplikimet:
a. Infeksionet: Candida, Mucor, S aureus.
b. Sëmundja vaskulare: (i) Prekja e enëve të mëdha: infarkt cerebral, sëmundje koronare. (ii) Enët e vogla: retinit, nefropati diabetike, ulcera të këmbëve.
c. Neuropatia: pakësim i ndjeshmërisë në gjymtyrë, parestezi, djegie e duarve, pamjaftueshmëri autonomike — parezë gastrike dhe impotencë.

Diabeti tip I
1. Prek zakonisht moshat e reja.
2. Njihet edhe si diabet që s’trajtohet dot pa insulinë (angl: insulin dependent diabetes mellitus).
3. Shkaktohet nga shkatërrimi i qelizave beta të ishujve të Langerhansit prej sistemit imun.
4. Shenjat dhe simptomat: pacienti ha shumë, pi shumë, urinon shpesh, humbet peshë, dhe mund të ketë kriza të ketoacidozës diabetike.
5. Diagnoza:
a. Glukoza mbi 200 mg/dl, ose…
b. Glukoza esëll mbi 125 në 2 raste të ndryshme, ose…
c. Testi i tolerimit të glukozës: glukoza mbi 200 mg/dl 2 orë pas marrjes të 75 g glukozë.
6. Trajtimi: insulinë (shih më poshtë).
7. Ketoacidoza diabetike:
a. Ketoacidoza shkaktohet nga mungesa e insulinës. Në mungesë të insulinës, mëlçia prodhon trupat ketonikë (beta-hidroksibutirat, acetoacetat, aceton).
b. Shenjat dhe simptomat: dhimbje barku, dehidrim, frymëmarrje e tipit Kussmaul (frymëmarrje të ngadalta e të thella), rritje e hendekut anionik (anion gap), prani e ketoneve në gjak dhe në urinë, hiperkalemi, hiperglicemi.
c. Trajtimi i ketoacidozës diabetike: lëngje intravenoze, kalium, dhe insulinë. Insulina jepet për të frenuar ketogjenezën, jo për të trajtuar hipergliceminë. Prandaj, nëse glukoza normalizohet, insulina vazhdohet e shoqëruar me glukozë.

Diabeti tip II
1. Prek zakonisht moshat e rritura, të sëmurët shpesh kanë histori familjare me këtë sëmundje.
2. Njihet edhe si diabet që nuk varet nga insulina (angl: non insulin dependent diabetes mellitus).
3. Shkaktohet nga:
a. Mosfunksionimi i mirë i qelizave beta, ose…
b. Nga rezistenca e indeve ndaj insulinës; ishujt e Langerhansit fillimisht përpiqen të kapërcejnë rezistencën periferike ndaj insulinës duke prodhuar më shumë insulinë. Me kalimin e kohës, ishujt e Langerhansit bëhen të paaftë për të prodhuar insulinë (plaken para kohe).
3. Shenjat dhe simptomat: dehidrim, polidipsi, polifagi, poliuri, humbje peshe, lodhje.
4. Diagnoza:
a. Glukoza mbi 200 mg/dl, ose…
b. Glukoza esëll mbi 125 në 2 raste të ndryshme, ose…
c. Testi i tolerimit të glukozës: glukoza mbi 200 mg/dl 2 orë pas marrjes të 75 g glukozë.
5. Trajtimi:
a. Dieta është shumë e rëndësishme. Pacientët me diabet duhet të kontrollojnë peshën, duhet të kufizojnë sheqernat e rafinuara, dhe duhet të rrisin sasinë e fibrës në dietë. Yndyrnat duhet të jenë vajra me 1 lidhje dyfishe (si p.sh. vaji i ullirit).
b. Hipoglicemikët oralë përdoren për trajtimin e diabetit tip II, por jo për diabetin tip I.
c. Insulina përdoret edhe me diabetin tip II nëse sëmundja nuk i përgjigjet trajtimit me hipoglicemikë oralë.
d. Inhibitorët e ACE-s e frenojnë përparimin e nefropatisë diabetike.
6. Mbikqyrja:
a. Trajtimi i diabetit është i suksesshëm nëse parandalohen ose vonohen e komplikimet.
b. Studimi i quajtur DCCT (Diabetes control and complications trial) tregoi se është e rëndësishme që niveli i hemoglobinës të glikoziluar të mbahet rreth 7-7.5%.
c. Hemoglobina e glikoziluar (HbA1c) është treguesi kryesor i kontrollit afatgjatë të glukozës. HbA1c tregon pak a shumë vlerën mesatare të glukozës në gjak gjatë 3 muajve të fundit.
d. Fruktozamina e serumit tregon vlerën mesatare të glukozës gjatë 2 javëve të fundit.
7. Ketoacidoza diabetike nuk është e shpeshtë në pacientët me diabet tip II.
8. Koma hiperosmolare hiperglicemike:
(a) Shkaktohet nga hipovolemia, stresi (infeksionet, trauma).
(b) Glukoza shpesh është mbi 1000 mg/dl, pa acidozë, me konfuzion ose komë, me pamjaftueshmëri akute të veshkave.
(c) Trajtimi = rehidrim, mortaliteti arrin 50%./t.o

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit