20 këshilla speciale për të kuruar diabetin

0
72

Ushqimet dhe perimet që luftojnë sëmundjen e sheqerit Diabeti është një sëmundje kronike, që ndodh kur pankreasi nuk prodhon insulinë të mjaftueshme ose kur trupi nuk mund ta përdorë në mënyrë efektive insulinën, duke çuar në nivele të larta të glukozës në gjak (hiperglicemi).
Ka tre lloje kryesore diabeti: Diabeti i tipit 1 (i quajtur “diabet i varur nga insulina”) shkaktohet nga mosprodhimi i insulinës. Diabeti i tipit 2 (i quajtur “diabet i pavarur nga insulina”) vjen ngaqë trupi nuk mund ta përdorë në mënyrë efektive insulinën. Njerëzit që janë mbipeshë ose nuk kryejnë veprimtari fizike vuajnë shpesh nga ky tip diabeti. Diabeti i shtatzënisë, i shkaktuar nga sheqeri i lartë në gjak gjatë shtatzënisë. Për të frenuar komplikacionet që diabeti lë në organizëm është shumë e nevojshme shmangia e konsumit të atyre ushqimeve që kanë nivel të lartë yndyrash. Në këto kushte një dietë e mirë për personat që vuajnë nga diabeti duhet të konsistojë në konsum të sasive të bollshme të proteinave bimore, si: drithërat, patatet dhe proteinat e tjera që përmban mishi, peshku dhe veza.

Një tjetër grup i rëndësishëm është dhe futja e sheqernave në organizëm, orientimi i të cilave duhet të jetë drejt atyre me bazë bimore dhe sasi më të pakta shtazore, si dhe sheqernat e shpejta që janë në përmbajtje të qumështit apo frutave. Njëkohësisht edhe yndyrat luajnë një rol të rëndësishëm, por këto të fundit duhet të përzgjidhen me kujdes në grupin e yndyrave me bazë bimore. Kombinimi i këtyre elementeve mund të ndihmojë në largimin e problemeve dhe mbajtjen e një regjimi të rregullt të sëmundjes. Dietës ushqimore duhet ti shtohen edhe disa këshilla të rëndësishme siç është ecja në këmbë sa më shumë gjatë ditës, ushqimi në mënyrë të shëndetshme duke pirë sa më pak lëngje frutash të konservuara, pasi ato kanë shumë sheqer, pakësimin e orëve të qëndrimit para televizorit, kompjuterit dhe video-lojërave (veçanërisht për të vegjlit). Aktiviteti i rregullt fizik, si dhe orët e plota të fjetjes ndihmojnë më tej largimin e problemeve të diabetit. Vaktet e ngrënies së diabetit duhet të jenë sa më të rregullta, pasi vetëm në këtë formë organizmi merr në kohën e duhur sasinë e lëndëve të nevojshme ushqimore, duke shmangur mbidozimet që mund të krijohen në raste të mosrespektimit të vakteve të ngrënies.

1. Përdorimi i përditshëm i bulmetit

Rezultatet e hulumtimeve të fundit të publikuara nga revista “Vitaminat” tregojnë se femrat që hanë më shumë bulmet me yndyrë të ulët vuajnë më pak nga diabeti i tipit 2. Studiuesit mendojnë se një proteinë ??në bulmet mund të rritë sekretimin e insulinës. Një shumëllojshmëri ushqyesish, si vitamina D, kalciumi dhe magnezi, mund ta ulin rrezikun e diabetit. Përveç kësaj, femrat që hanë shumë bulmet mund të hanë më pak ushqime të tjera, si ëmbëlsirat, të cilat shtojnë rrezikun e prekjes nga diabeti.

2. Të hamë më shumë drithëra dhe fruta

Sipas një studimi të fundit të Institutit të Shkencës dhe Teknologjisë në Universitetin e Kembrixhit, përdorimi i drithërave të ndryshme është masa më efikase për parandalimin e diabetit. Po ashtu, pas kërkimeve të shumta, studiuesit zbuluan se njerëzit që hanë shumë fruta sëmuren 21 % më pak nga diabeti se ata që hanë pak. Njerëzit që hanë 16 lloje ushqimesh të ndryshme, kanë 40 % më pak mundësi të sëmuren nga diabeti.

3. Trajtimi duhet të mbështetet në gjendjen individuale

Trajtimi i diabetit duhet të ndryshojë nga personi në person. Sipas udhëzimeve të fundit të publikuara nga Shoqata Amerikane e Diabetit dhe Shoqata Evropiane për Studimin e Diabetit, treguesit e sheqerit në gjak varen nga mosha, gjendja shëndetësore dhe ndërlikimi i sëmundjeve të pacientëve me diabet. Sidoqoftë, nëse niveli i sheqerit në gjak tre muaj pas trajtimit ende nuk mund të mbahet nën kontroll në mënyrë efektive, duhen shtuar barna të tjera.

4. Ruajtja nga produktet plastike

Rezultatet e një studimi me më shumë se 1 000 veta në Suedi zbuluan që, kur gjaku përmban një kimikat të quajtur ftalat, mundësia për t’u prekur nga diabeti është dy herë më e madhe. Ftalati gjendet në një numër të madh produktesh, si në materialet e ndërtimit, veshje, kozmetikë, ambalazhet e ushqimit, lodra, parfume etj.

5. Pushimi duke ndenjur më këmbë

Nëse qëndrojmë ulur për një kohë të gjatë në punë, duhet të ngrihemi dhe të bëjmë ushtrime ose të bisedojmë me kolegët. Studimet me njerëz në moshë të mesme dhe me peshë të madhe treguan se, në krahasim me kolegët e tyre që qëndrojnë palëvizur gjatë punës, ata që ngrihen dhe lëvizin rreth dy minuta pasi kanë ndenjur ulur 5 orë rresht në punë, mund të kontrollojnë më mirë glukozën pas darkës dhe nivelet e insulinës.

6. Perimet dhe zarzavatet

Zarzavatet dhe perimet konsiderohen si armiqtë më të mirë që frenojnë komplikacionet që diabeti sjell në organizëm. Konkretisht dieta ushqimore duhet të ketë në përmbajtje të saj sasi të bollshme ditore të perimeve dhe zarzavateve të gjelbra. Përdorimi i gjallë këtyre zarzavateve në sasi të mjaftueshme si gjatë drekës apo dhe darkës, çdo ditë është një mundësi e mirë për të kontrolluar këtë sëmundje. Kjo pasi në përmbajtje të këtyre zarzavateve gjenden sasi të shumta antioksidantësh, vitaminash dhe kripërash minerale dhe fibra të cilat luftojnë radikalet e lira që pengojnë qarkullimin e lëndëve ushqimore nëpërmjet gjakut për në organet e tjera jetësore. Sa më pak të gatuara të jenë perimet dhe zarzavatet, aq më mirë i bëjnë organizmit, pasi gatimi shpesh herë humbet sasinë e vitaminës C që perimet kanë në përmbajtje të tyre, së bashku me shumicën e mineraleve që i shoqërojnë. Është e këshillueshme pirja e ujit në të cilin më parë janë zier perimet. Ky ujë ka në përmbajtje të tij sasi të bollshme të mikroelementeve të dobishme, siç janë zinku, magnezi, kaliumi, të cilat e ndihmojnë organizmin të kryejë më me lehtësi funksionet.

7. Frutat

Krahas perimeve këshillohet edhe ngrënia e frutave, por jo në sasi të mëdha, pasi në përmbajtje të tyre ka nivele të larta sheqeri. Sipas rekomandimeve të bëra nga mjekët, rezulton se ngrënia e frutave dhe perimeve pakësojnë rrezikun për shfaqjen e sëmundjeve të zemrës dhe atyre kanceroze, të cilat janë shumë të lidhura me diabetin. Sasia e frutave dhe perimeve duhet të kombinohet gjatë gjithë vakteve. “Pacienti mund të marrë 2 fruta të vogla kumbulla ose kajsi, mund të marrë një dorë rrush ose feta të ndara të pjeprit, mollës, bananeve etj. E këshillueshme është që gjatë ditës të merren edhe një sasi e vogël e frutave të thata, rreth një lugë gjelle. Duhen konsumuar sa më shumë lëngje, veçanërisht uji. Duhet të pakësohet konsumi i lëngjeve të konservuara që kanë nivele të larta sheqeri”

8. Yndyrat që nuk mbartin rrezikshmëri

Organizmi ka nevojë edhe për një sasi të caktuar yndyrash, përzgjedhja e të cilave duhet të jetë kryesisht me bazë bimore. Duke qenë se yndyrat janë shumë të pasura me kalori këshillohet që konsumi i tyre të bëhet në nivele të kontrolluara që përfshijnë sasi të pakta, çka ndikon edhe në humbjen e peshës së tepërt e cila mbizotëron tek pacientët diabetikë. Kështu diabetikët duhet të qëndrojnë larg yndyrave që merren nëpërmjet produkteve të tilla si “pastat, gjalpi, mishi me yndyrë, djathi i deles” . Përdorimi në sasi të larta i këtyre yndyrave dëmton zemrën. Ndaj këshillohet që sasia e yndyrave që duhet të marrë organizmi të sigurohet nëpërmjet përdorimit të vajit të pastër vegjetal, vajit të ullirit. Por edhe këto të fundit duhet të konsumohen sipas sasive të përcaktuara nga mjeku pas verifikimit të gjendjes shëndetësore në të cilën ndodhet pacienti diabetik. Gjithashtu, konsumi i alkoolit duhet të jetë në sasi të monitorueshme. Kjo nuk do të thotë ndalimin e rreptë të tij. Në këtë rast lejohet konsumi i një gote verë të kuqe, por jo më shumë se 125 mil, pasi fenoli që ka në përmbajtje ndihmon funksionimin e zemrës.

9. Trajtimi përmes aktivitetit sportiv

Krahas ushqimit një ndër këshillat më të vlefshme që nuk duhet neglizhuar kurrsesi është kryerja e aktiviteteve fizike. Sa më shpesh të kryhet aktiviteti fizik gjatë javës aq më e lartë është edhe mbrojtja që organizmi fiton nga komplikacionet e rënduara të diabetit. Megjithatë, sasia dhe doza e ushtrimeve që duhen bërë gjatë ditës janë të ndryshme në varësi të stadit në të cilën ndodhet sëmundja e diabetit tek pacienti. Këshillohet ecja në këmbë të paktën 30 minuta. Më të rinjtë mund të kryejnë edhe sporte të tjera si not, vrapim basketboll, ecjet sportive. Këto të fundit duhet të zbatohen në varësi të rekomandimeve që jep mjeku, pasi jo të gjithë pacientët mund të kryejnë të njëjtat aktivitete.

10. Efektet shëruese tek vaji i peshkut

Përmban omega 3 i cili ka shumë efekte pozitive mbi organizmin tonë sidomos në mbrojtjen e zemrës, dhe rekomandohet që njerëzit me diabet të marrin 2-3 porcione në jave. Porcione të cilat mund të merren duke ngrënë peshk (sardele, ton etj). Nuk rekomandohen suplementet me vaj peshku, sepse janë më të mira të konsumohen të freskëta. Sheqeri duhet të reduktohet në maksimum, por nuk është e thënë që duhet të eliminohet fare, këshillohet të merret sheqeri i frutave në formën e fruktozës. Ekziston edhe sheqeri artificial në farmaci që është më i këshillueshëm tek njerëzit që duan të bien në peshë.

11. Konsumi i kripës, i rrezikshëm

Është e rekomandueshme që çdo diabetik të mos marrë më shumë se 6 gram kripë në ditë. Mënyra më e mirë për të ulur kripën është të përdoren sa më shumë prodhime të freskëta të prodhuara në kushte shtëpie. Nuk duhet harruar se më shumë se gjysmën e nevojave ditore të kripës i marrim me ushqime të konservuara. Reduktimi i kripës tek diabetikët çon në ulje të vlerave të tensionit,reduktim të sëmundjeve të veshkave, sëmundjeve të zemrës, trombozës cerebrale dhe disa llojeve të tumoreve.

12. Vitamina K ul rrezikun nga diabeti

Personat të cilët me anë të ushqimin fusin në organizëm sasi më të mëdha të vitaminës K kanë gjasa më të pakta për t’u prekur nga diabeti i tipit 2, bëjnë të ditur shkencëtarët holandez nga Universiteti i Utrecht. Pasi kanë studiuar prej 10 vitshe më shumë se 38 mijë persona, hulumtuesit kanë llogaritur se konsumimi i rritur i vitaminës K është i lidhur me gjasa 20% më të pakta për diabetin e llojit 2. Siç shkruan revista Diabetes Care, faktorët më të rëndësishëm të rrezikut për diabetin janë mosha e shtyrë, mbipesha, trashëgimia familjare e sëmundjes dhe prejardhja etnike. Vitamina K në natyrë është e pranishme në dy forma, K1 e cila gjendet në perimet e gjelbra dhe K2 e cila gjendet në mish, djathë dhe vezë. Shkencëtarët thonë se është pikërisht K2 ajo e cila ka ndikim më të shprehur në uljen e gjasave për prekje nga diabeti.

13. Acidet omega-3-yndyrore dhe diabeti

Një numër i madh studimesh kanë treguar se ndryshimet e vogla ushqyese mund të zvogëlojnë dukshëm rrezikun nga diabeti. Kështu, një studim i kohëve të fundit, bën lidhshmërinë ndërmjet nivelit të lartë të acideve omega-3-yndyrore në plazmë dhe përmirësimin e ndjeshmërisë ndaj insulinës, te personat e sëmurë nga diabeti tip 2. Në studimin e botuar në revistën Nutrition and Food Research, janë analizuar 180 pacientë me diabet tip 2 dhe 180 pjesëmarrës të shëndoshë. Shkencëtarët sugjerojnë që acidet omega-3-yndyrore mund t’i shtohen listës së ushqimeve, të cilat mbrojnë nga kjo sëmundje kronike.

14. Kush pi pak ujë, rrezikohet nga diabeti!

Dehidrimi është i lidhur ngushtë me sëmundjen e diabetit të“sheqerit”. Ky është përfundimi më i fundit i studiuesve në fushën e mjekësisë të cilët shpjegojnë se niveli i rritur i hormoneve vasopresin shkakton ruajtjen e ujit në trup dhe është shkaktar i sheqerit të tepërt në gjak. Duke folur me shifra ata që pinë shumë pak ujë kanë 28 për qind rrezik më të madh nga zhvillimi i sëmundjes së sheqerit. Sipas studimit 9 vjeçar të institutit francez INSERM, jep të dhëna se “Hormoni vasopresin është ndoshta hallka që na mungon për të kuptuar raportin e sheqerit në gjak dhe ujit në organizëm. Ai hormon antidiuretik na ndihmon në rregullimin e mbajtjes së ujit në trup. Nëse jemi të dehidruar, niveli i vasopresinës rritet dhe veshkat ruajnë ujin. Kështu që niveli i rritur i vasopresinës është indikator për sëmundjen e sheqerit”. Edhe pse shkencëtarët kanë vërtetuar që ekziston lidhja në mes pirjes së ujit dhe sheqerit të ngritur, nuk kanë zbuluar se cila është marrëdhënia shkak-pasojë e sëmundjes së sheqerit dhe e pirjes së ujit.

15. Kalciumi, vitamina D dhe diabeti

Konsumimi i shtuar i kalciumit dhe vitaminës mund të rregullojë nivelin e insulinës dhe në këtë mënyrë të ofrojë mbrojtje nga diabeti, pavarësisht konsumimit të zakonshëm të qumështit dhe produkteve të qumështit, pohon studimi i ri. Shkencëtarët kanë analizuar marrjen e përgjithshme të kalciumit dhe vitaminës D, nivelin e tyre në organizëm, si dhe nivelin e insulinës te femrat dhe meshkujt e shëndoshë. Rezultatet kanë treguar se meshkujt dhe femrat me nivel më të lartë të vitaminës D dhe kalciumit reagojnë më së miri në rregullimin e prodhimit të insulinës (hormonit i cili rregullon marrjen e glukozës nga qelizat).

16. Çaji i zi mbron nga diabeti

Çaji i zi, i njohur për përmbajtjen e lartë të antioksiduesve, përforcimin e imunitetit dhe rregullimin e shtypjes së gjakut- duket se ka edhe disa efekte tjera dobiprurëse. Duke krahasuar efektet pozitive të çajeve të ndryshëm, shkencëtarët kanë zbuluar se çaji i zi përmban sasi më të madhe të një polisakaridi, i cili mund të jetë shumë i dobishëm për personat që vuajnë nga diabeti, duke qenë se ndihmon në absorbimin e ngadalshëm të glukozës. Për më shumë, revista “Journal of Food Science” njofton se çaji i zi kishte qenë më i suksesshëm edhe në luftën kundër radikaleve të lira.

17. Seleni ul rrezikun nga diabeti

Studimet e fundit të shkencëtarëve francezë kanë treguar se niveli i lartë i selenit në gjak mund të ulë rrezikun për të pasur çrregullime të metabolizmit të glukozës, me këtë edhe të diabetit. Është interesant edhe fakti se ky efekt pozitiv i selenit është vërejtur vetëm te meshkujt, dhe për fat të keq jo edhe te femrat. Studimi ka zgjatur nëntë vite dhe kanë marrë pjesë më shumë se 1000 meshkuj dhe femra të shëndetshme. Është treguar se meshkujt me nivel më të lartë të selenit në gjak kanë 50% rrezik më të ulur për të pasur çrregullime të metabolizmit të glukozës, në krahasim me meshkujt të cilët kanë vlera më të ulëta. Autorët kanë shtuar se është e nevojshme të arrihen vlerat më të larta të selenit në gjak, me qëllim që të arrihet efekti më i mirë parandalues i diabetit.

18. Arrat luftojnë diabetin tip 2

Diabeti i tipit 2 mund të bëhet shkak për sëmundje të zemrës, te veshkave dhe verbim. Por në një studim të kohëve të fundit nga shkencëtarët pranë universitetit “Harvard”, thuhet se gratë që hanë çdo ditë 30 grame arra kanë 30 për qind më pak gjasa për t’u prekur nga diabeti i tipit 2. Ndërsa te gratë që marrin çdo ditë nga një lugë gjalpë kikirikësh, rreziku është 20 për qind. Veç yndyrës së mirë, arrat gjithashtu përmbajnë vitamina të shumta, proteina, minerale dhe fibër. Në studim thuhet gjithashtu se ndryshe nga mendimi i përgjithshëm, arra, bajamet, lajthitë dhe kikirikët nuk luajnë ndonjë rol në shtimin e peshës trupore.

19. Hiqni dorë nga pijet me ngjyrë

Shkencëtarët në Boston, kanë zbuluar se, duke pirë rregullisht pije freskuese të ngjyrosura çdo ditë, ju dyfishoni rrezikun e sindromës së metabolizmit, sindromë e cila, përfshin një sërë shqetësimesh, siç janë: tensioni i lartë, vlera të larta të insulinës, shtimi në peshë, që rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe diabetit. Shkaktari i tyre mund të jetë substanca ngjyruese e këtyre pijeve, e cila ka rritur rrezikun e kësaj sindrome në eksperimentet që janë bërë tek kafshët. “Shkencëtarët, gjithashtu, mendojnë se, ata që pinë të tilla pije, janë të prirur të zgjedhin gjithmonë ushqime të ëmbla, të cilat çojnë drejt shtimit në peshë”, – thotë Vasan S. Ramachandran-i, M.D.,profesor mjekësie në Universitetin e Bostonit, në të cilin ka qenë udhëheqësi i studimit.

20. Çaji i manaferrës për diabetikët

Frutat e manaferrës përmbajnë sheqerna, vitaminë C, karotinë, vitaminë E, acide organike, pektinë etj. Po ashtu, edhe gjethet e saj janë të pasura me vitaminë C, acide organike, lëndë tonike dhe aromatike. Në fara ndodhet vaji yndyror në masën deri 12%. Të gjitha pjesët e bimës kanë veti mjekësore shumë të mirë. Qysh në lashtësi janë përdorur nga njeriu pjesët e bimës, si gjethet e majat, për të bërë çajra kundër sëmundjeve të aparatit tretës. Për diabetin merren dy duar me gjethe e maja manaferre, pastrohen, shtypen dhe vihen të zihen në një litër ujë. Nga lëngu i kulluar, i sëmuri merr tri herë në ditë nga një filxhan para buke. Përfundime të mira japin edhe frutat e manaferrës, të cilat mund të konsumohen të freskëta, si dhe në formë çaji me verë: Merren 150-200 gramë fruta manaferre, zihen në një gotë të mbushur me verë. Nga lëngu i prodhuar merren çdo ditë 1-2 gota të vogla, në gjendje të ngrohtë. Frutat e manaferrës shuajnë etjen, përdoren nga të sëmurët me diarre kronike, me dhimbje në kyçe, me infeksione në veshka e në fshikëzën e urinës, me kollë etj.