15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

11 ditë më pas/ Misteret e supergrabitjes në Aeroportin e Rinasit

Më të lexuarat

Pikëpyetjet e një sulmi me armë në pistën e avionëve. Nga hyrja në Aeroport, shkëmbimi i zjarrit dhe emrat e disa të dyshuarve që kanë dalë në media. Askush nuk thotë sa para u morën dhe të cilës bankë janë. Pse sot Policia nuk ka prova për të zbuluar autorët?

E marta e 9 prillit ishte një ditë e ngarkuar me politikë në Tiranë. Një ditë gri. 10 minuta pas orës 3 të drekës, 5 vetë të armatosur çajnë rrethimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit, dhe për 2 minuta rrëmbejnë disa thasë deng me euro. Nga ai moment e deri më sot, në Shqipëri, në media, në parlament, në studio, nëpër kafene flitet vetëm për këtë ngjarje.

6.5 milionë euro, 10 milionë euro apo 20 milionë euro? Ky është misteri i parë i grabitjes brenda Aeroportit të Rinasit, ende i pazbardhur, 11 ditë pas një prej aksioneve më të forta të krimit në zonën që duhej të ishte më e sigurta në vend. Prokuroria dhe Policia nuk janë në gjendje sot të thonë shumën e saktë të grabitur në Rinas, madje as vetë ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, nuk tha sa para u morën me 9 prill, në një grabitje spektakolare, e denjë për një skenë filmash.

Kush ishte banka të cilës iu grabitën paratë? “Paratë që u grabitën në Rinas janë të një banke të re, që ka blerë një bankë tjetër. Nuk e dimë shumën e saktë sa është grabitur, por është një shumë e konsiderueshme”, u shpreh dy ditë më parë Sandër Lleshaj nga foltorja e Parlamentit. Pse sot institucionet mbajnë të fshehtë emrin e bankës që iu grabit një shumë e konsiderueshme parash?

Grabitja në pistën e avionëve

Autorët pasi çanë rrethimin e Rinasit, vetëm me një prerëse telash, hynë në pistë dhe askush nuk po i shikonte kamerat e sigurisë. Me makinën “Hetimi Tatimor” grabitësit shkuan deri tek avioni. Pasagjerët që prisnin të niseshin drejt Vjenës, e menduan një test të Policisë, por rezultoi ndryshe. Ndërkohë që 3 grabitës hidhnin thasët me para në makinën e tyre, të gjithë po shikonin, punonjësit e aeroportit, pasagjerët, pilotët, madje edhe vetë kompania koncesionare po ndiqte grabitjen, e cila zgjati rreth 3 minuta.

Cilët janë grabitësit

Burime në Policinë e Shtetit, thonë se dyshohen që pjesë e grabitjes përveç Admir Muratajt, mund të jenë edhe Klement Çala dhe Aleks Pepa. Të dy të identifikuar edhe më parë në grabitjet e blindave me para. Por sot Policia nuk ka prova që të tregojë se Klement Çala dhe Aleks Pepa janë të përfshirë në ngjarje. Madje, teksa paradite qarkulloi lajmi për këta emra, pasdite erdhi një përgënjeshtrim zyrtar. E dyta ka të bëjë me faktin se kanë qenë minimumi 5 grabitës, të gjithë të maskuar, të cilët kanë shkëmbyer zjarr me Policinë dhe ende, 11 ditë pas ngjarjes, nuk është bërë i mundur identifikimi i tyre. Pavarësisht provave që janë gjetur në makinën “Hetimi Tatimor” me të cilën e krye grabitja, Policia nuk ka prova për të identifikuar gjithë grupin e grabitësve. Flitet për një komando të përfshirë, që mund të ketë qenë pjesë e Ushtrisë, por asnjë emër të tij apo autorë të tjerë.

Përveç Admir Muratajt që u tha se u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit, asnjë prej grabitësve të tjerë nuk është gjetur.

Pse ikën grabitësit e tjerë pa u ndjekur nga Policia

Një fugon i FNSH-së u vu në ndjekje të grabitësve. Si nëpër filma, mes grabitësve dhe Policisë pati shkëmbim zjarri. Në periferi të Tapizës, autorët ndaluan, aty qëlluan në drejtim të Policisë, ku nga shkëmbimi i zjarrit u vra Admir Murataj. Kjo është një nga pistat më të diskutuara, edhe pse nuk mungojnë dyshimet se kush në të vërtetë qëlloi mbi viktimën. Grabitësit e tjerë u larguan me një makinë tjetër. Por pyetja që ngrihet është: Pse Policia nuk i ndoqi autorët e tjerë të ngjarjes? Pse nuk u ngrit helikopteri i Policisë sapo u mor njoftimi dhe a ka sot Policia dron për raste të tilla, apo përdoren vetëm për fushata në media?

Një tjetër fakt që ka qarkulluar gjatë këtyre ditëve, është se oficerët e FNSH-së nuk kishin armatim të mjaftueshëm për të ndjekur autorët e tjerë të grabitjes dhe qëndruan pranë një ure në Tapizë, aty ku ndodhi edhe shkëmbimi i zjarrit.

E vrau Policia apo shokët Admir Muratajn?

Ka për të mbetur një nga misteret e mëdha të kësaj ngjarjeje. Admir Murataj u vra nga një plumb, predha e të cilit ende nuk është gjetur. Plumbi ka qenë tejshpues, e ka goditur në pjesën e syrit dhe ka dalë në krahun tjetër të kokës. Dyshimet ngrihen mbi faktin se plumbi tejshpues, duhet të jetë shtënë nga një distancë e afërt. Policia asnjëherë nuk ka dhënë detaje për distancën ku ndodhi shkëmbimi i zjarrit mes Policisë dhe autorëve.

Po TIA?

Fugoni i FNSH-së, që rastisi në zonë, në momentin që po kryhej grabitja në Rinas, u lajmërua për ngjarjen. Policët kërkuan të futeshin në pistë, por kompania koncesionare nuk e hapi portën. Si është e mundur që grabitësit hynë shumë lehtë dhe mbërritën te barku i avionit në pistë, ndërsa kjo ishte e vështirë për policinë,  pasi një kompani private refuzon t’i hapë portën. 5 minuta iu deshën kompanisë private që të lajmëronte Policinë, ndërkohë që autorët tashmë kishin marrë arratinë. Ai që duhet të ishte vendi më i sigurt në vend, “Aeroporti i Rinasit”, rezulton se është vendi më i lehtë për të hyrë, madje pa u shqetësuar nga askush. Pak kohë më parë një i ri aventurier, çau rrethimin e Rinasit dhe përfundoi te dera e avionit, gati për të ikur në udhëtim, pa u pikasur nga askush. U desh punonjësi i avionit, i cili kërkoi biletën, për të zbuluar se i riu nga Dibra, kishte hyrë në mënyrë të jashtëligjshme.

Siguria e Rinasit

Kanë ndodhur grabitje edhe në aeroporte të tjera në botë. Por asnjëherë nuk ka ndodhur që një grup grabitësish të hyjë 2 herë në 3 vite, brenda aeroportit të vetëm ndërkombëtar, dhe të vjedhin miliona euro. Grabitja e 2016-s në Rinas, vuri në alarm gjithë autoritetet, por në fund rezultoi se nuk u mor asnjë masë. Policia akuzon kompaninë koncesionare, se nuk ka garantuar perimetrin, kompania akuzon autoritetin e Aviacionit Civil dhe në fund janë grabitësit ata që kanë arsye të festojnë me më shumë se 10 milionë euro të marra brenda 3 viteve.

 

Tunelet që ndihmuan grabitësit e Rinasit, që nuk i dinte as Policia

Paratë dyshohet se u ndanë në 4 çanta mes grabitësve, por nuk janë zbuluar nga Policia. Kjo grabitje tregoi dështimin e sigurisë në Shqipëri.

Pasi shoku i tyre Admir Murataj vdiq gjatë shkëmbimit të zjarrit, 4 autorët e tjerë u larguan në drejtim të fshatit Drithas, aty ku ka disa tunele. Brenda këtyre tuneleve dyshohet se u përgatit e gjithë grabitja e Rinasit dhe plani për t’u arratisur më pas. Në tunele një ditë më vonë, Policia gjeti makinën e djegur, që ndihmoi grabitësit për t’u larguar nga Tapiza. Autorët kishin ikur, por Policia e mori informacionin për këto tunele, me shumë vonesë. Uniformat Blu as e dinin ekzistencën e këtyre tuneleve, aty ku mendohet se grabitësit dogjën rrobat, ndanë paratë dhe më pas ikën të pashqetësuar, secili në drejtimin e tyre.

Ku shkuan paratë?

Nëse kanë qenë 10 milionë euro, mbetet e çuditshme se si grabitësit u larguan të qetë, pa u zbuluar. 4 grabitësve që ngelën, u duheshin minimumi nga një çantë e madhe për të marrë paratë e grabitura. Si është e mundur që Policia nuk ra në gjurmë të këtyre personave me çanta, kur ditën e ngjarjes, më shumë se 500 forca Policie, rrethuan periferinë e Tiranës, Fushë-Krujës dhe Kamzës. Pra, një zonë në zemër të Shqipërisë, aspak terren i vështirë, malor apo alpin. Paratë nuk janë gjetur. Janë kryer kontrolle edhe me detektorë, por përsëri asnjë cent i grabitur brenda Rinasit, nuk u kap nga Policia.

Grabitja që tregoi dështimin e sigurisë

Grabitja e 11 ditëve më parë, tregoi se në Shqipëri mund të cenohet siguria kombëtare dhe askush nuk arrestohet. Ka ndodhur edhe më parë, atëherë kur në mes të Tiranës u vra bankieri Artan Santo dhe askush nuk u arrestua. Edhe në Rinas, ai që duhet të jetë vendi më i kontrolluar, pas Presidencës dhe Kryeministrisë, u thye siguria. U thye në mes të ditës, jo natën. U grabitën më shumë se 10 milionë euro dhe në fund Policia dhe qeveria, i hedhin fajin koncesionarit, duke hequr përgjegjësinë. Këtu ngrihen disa pikëpyetje. E para, fugoni i “Hetimit Tatimor” pse nuk u ndalua nga patrullat e Policisë, kur dihej fare mirë që Hetimi Tatimor një javë para se të kryhej grabitja, u shkri si institucion.

Komisariati i Rinasit, ndodhet ngjitur me aeroportin. Pavarësisht se nuk u njoftua në kohë, si është e mundur që asnjë prej policëve të këtij komisariati nuk u vu në ndjekje të autorëve, por vetëm një fugon i FNSH-së.

Kur ndodhi grabitja e parë në Rinas, pse shteti nuk këmbënguli që kompania koncesionare të plotësonte kushtet e sigurisë, por u mjaftua vetëm më disa letra përcjellëse dhe në fund nuk u mor asnjë masë.

Pse Autoriteti i Aviacionit Civil nuk mban sot përgjegjësi. Në Kodin Ajror të Republikës së Shqipërisë thuhet se Autoriteti i Aviacionit Civil është përgjegjës për sigurinë e Rinasit. AAC-ja ndërmerr masat e nevojshme për parandalimin e ndërhyrjeve të paligjshme në sigurinë e aviacionit civil. Pra, Autoriteti i Aviacionit Civil, një institucion në varësi të qeverisë, qenka përgjegjësi kryesor për sigurinë në Rinas.

Përgjegjësia e bankave

Asnjë prej thasëve me para që u grabitën në Rinas, nuk kishte GPS. Asnjë prej këtyre thasëve nuk ishte me bojë, që i bën paratë të pavlefshme, në raste grabitjesh. Banka edhe sot, nuk e tregon shumën e saktë që u grabit. Pavarësisht kërkesës së Prokurorisë, banka private e ka mbajtur të fshehtë shumën që është marrë në Rinas, mesditën e 9 prillit. Që ndodhin këto grabitje në Shqipëri, përgjegjësi kanë dhe bankat, pasi zgjedhin t’i transportojnë paratë, pa plotësuar asnjë kusht sigurie. Pikërisht transporti i parave jo me makina të blinduara, ka frymëzuar shpesh grupin e Admir Muratajt që të kryejë grabitje.

Autorët, armatim dhe disiplinë

Një ushtarak dhe një ish-polic dyshohet se kanë qenë pjesë e grabitjes. Kjo tregon se këta persona kanë patur përgatitje për të qëlluar me armë, si dhe disiplinën e nevojshme për të kryer grabitje të këtij niveli. Kallashnikov, granata dhe pistoleta kishin grabitësit, të përgatitur për një luftë. Siç duket në Shqipëri qenka shumë e lehtë për të gjetur armatim të rëndë, madje arsenal luftarak.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit